Mirela Karabina: Matura Shtetërore – një proces i deformuar që duhej ndalur me kohë

Nga Mirela Karabina

Prej vitesh, Matura Shtetërore ka humbur kuptimin e saj si mekanizëm i drejtë dhe transparent për vlerësimin e nxënësve. Ky proces është kthyer në një rutinë të deformuar, mbushur me skandale, gabime shkencore në teza, kopjim masiv dhe dalje në rrjete sociale të tezës gjatë provimeve.

Ligji 80/2015 për Arsimin e Lartë parashikonte një ndryshim rrënjësor, duke i dhënë universiteteve të drejtën për përzgjedhjen e studentëve. Ky ligj do të duhej të ndalte praktikën e Maturës Shtetërore si e vetmja rrugë drejt arsimit të lartë.

Por, fatkeqësisht, ligji është shkelur dhe procesi i provimeve të maturës është i degraduar.

Edhe sot në provimin e parë të gjuhës së huaj të MSH kemi të njëtën fenomen të ripërsëritur:
– Teza qarkulloi në rrjete sociale gjatë provimit.
– Ministria e Arsimit nuk mban asnjë përgjegjësi dhe bën vetëm një postim në FAcebook që procesi nuk cënohet.
– Dhe Ministrja aktuale e Arsimit dhe ish-ministrat e kalojnë si një fenomen “normal”.
Madje edhe shpërblehen, të gjitha sot janë deputete të rizgjedhura në Kuvendin e Shqipërisë.

Fenomeni i Maturës Shtetërore të deformuar është një abuzim institucional pasojat e të cilit bien mbi nxënësit, familjet e tyre dhe shoqërinë duke ulur besueshmërinë e sistemit arsimor.

Rezultati është:
27 mijë maturantë më 2025,
1000 më pak se në 2024,
dhe mijëra më pak,
krahasuar me 47 mijë maturantë më 2012-ën.

Koha për një reformë të vërtetë të MSH ka ardhur e ka kaluar.
Ministria e Arsimit e ka centralizuar këtë proces dhe e ka përqëndruar në duart e saj.

Ndaj duhet me i dhënë besueshmëri shkollës dhe mësueve që të menaxhojnë ata provimet e maturës në shkollat e tyre.

Duhet t’i rikthejmë universiteteve autonominë për përzgjedhjen e studentëve dhe të ndërtojmë një sistem pranimi që mbështetet në meritë, transparencë dhe integritet.

Matura Shtetërore duhet të kthehet sa më parë në një proces normal dhe të besueshëm.

Të shohim si do të ecin provimet e lëndëve të tjera…

Artikulli paraprakKolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit
Artikulli tjetërZbuloni pesë lloje frutash të ngrira që ndihmojnë me uljen e niveleve të larta të sheqerit në gjak