Mirela Karabina: Mbylli TikTok në emër të “sigurisë”, por Rama i ka lënë shkollat si “han pa porta”

Nga Mirela Karabina

Me një arrogancë dhe propagandë të paskrupullt, tashmë dhe “ndërkombëtare”, Edi Rama nuk kursen as tragjedinë me humbje jete të një fëmije në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

Në emër të kësaj tragjedie po mbyll platformën onlineTikTok për një vit, por për këtë tragjedi nuk mori asnjë përgjegjësi dhe nuk dha asnjë zgjidhje.

Por si mjeshtër i manipulimit publik, edhe këtë radhë po përdor keqazi prindërit për hallin e tij.

Para se “të pyeste” prindërit për TikTok dhe të na e shesë si të vërtetë, Rama të pyesë njëherë prindërit se sa të sigurtë ndjehen ata për fëmijët e tyre në shkollat që nuk kanë ende Roje të derës së shkollës?

Pasi sot shkollat janë derëhapura e në rrezik sepse Rama me qeverinë e tij nuk kanë siguruar nevojat bazike të nxënësve, sigurinë e jetës përmes derës së shkollës, por po “siguron” TikTok që nuk është fare përgjegjësi e shkollës apo e tij.

Rreziku i pasigurisë në shkolla është i përditshëm dhe i vazhdueshëm dhe tragjedi të tjera kanë gjasa të ndodhin.

12 vite në pushtet Edi Rama por prindërit paguajnë vetë, në të zezë, rojen e shkollës dhe në shumë shkolla nuk kanë fare roje.

Ky është realiteti i hidhur dhe i frikshëm, kjo është e vërteta, ky është halli i parë i prindërve që kërkon zgjidhje, e Rama i flet për TikTok që as nuk e zotëron shkolla e as qeveria e tij.

Po të kishte dashur shkollën, cilësinë dhe sigurinë e saj e kishte bërë përmes investimit 12 vjeҫar duke filluar nga: roja që kyҫ derën e shkollës; te uji e ngrohja; te kujdesi për mësues të kualifikuar; te mjetet shkollore, te infastruktura digjitale dhe të tjera.

Por i ka lënë shkollat të pasigurta si “han pa porta”, ku vetëm TikTok “nuk hyn” dot.

Qesharake në dhimbje!

Exit mobile version