Mirela Karabina: Mungesa e transparencës në media dhe pazaret politike deformuan votën e 11 majit

Në një intervistë për gazetaren Denisa Pasholli në A2 CNN politikania Mirela Karabina ngriti shqetësimin për mënyrën se si u administrua procesi zgjedhor i 11 majit dhe rolin që mediat luajtën në këtë kontekst.

Sipas saj, mungesa e prezantimit të kandidatëve të Koalicionit Euroatlantik në mediat kombëtare i mohoi publikut mundësinë për t’u njohur me alternativat reale politike. Ajo theksoi se “mediat që përdorin frekuenca publike kanë një detyrim ligjor dhe moral për t’i shërbyer interesit publik”, ndërsa nuk mund të bëjnë marketing selektiv për kandidatët e pushtetit.

Karabina akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për tjetërsimin e votës përmes, siç shprehet ajo, “pushtetit, krimit, parasë dhe pazareve me PD-në”. Ajo e cilëson mandatin e katërt të Ramës si rezultat të një “pazari të turpshëm për Kodin Zgjedhor mes PS dhe PD”, duke e konsideruar këtë një tradhti ndaj demokratëve dhe një humbje të madhe për shqiptarët.

Në analizën e saj, vota e 11 majit është në kontrast të thellë me realitetin e Shqipërisë: boshatisja masive e vendit, korrupsioni galopant, aferat e inceneratorëve dhe skemat mafioze si ajo e famshmja “5D”.

“Shqipëria meriton më shumë”, përfundon Karabina, duke bërë thirrje për reflektim dhe një model të ri politik që i jep zë qytetarëve të vërtetë dhe aspiratave të tyre.

Exit mobile version