Mirela Karabina: Tallet Rama, jo vetëm TikTok, por dhe prindërit që nuk dëgjojnë mësuesit paskan “faj”

Nga Mirela Karabina

Propaganda e Edi Ramës për të mbuluar dështimet në arsim, nuk kursen askënd.

Ngjarjen tragjike në shkollën “Fan Noli” në Tiranë që dëshmoi se sa të pasiguta janë shkollat dhe kujdesi i munguar ndaj fëmijëve, po e përdor si alibi që të bëj gjoja dëgjesa me mësues e prindër se si të jenë shkollat të sigurta, ku flet e vendos vetë dhe “gjen” dhe fajtorët madje, tani jo vetëm TikTok “ngatërron” fëmijët por dhe prindërit që duhet të dëgjojnë mësuesit.

Këtë tha në “dëgjesën” në Kamëz me mësues e prindër, me një intonacion pa ngjyrë e të ngadaltë, Rama fliste si “ e ëma Zeqos në majë të thanës”, kalonte nga në degë në tjetrën pa marrë asnjë përgjegjësi.

E nisi me akuzën për TikTok si “fajtor” ; te konsolidimi” i mësuesve që paska ndodhur sipas tij; pastaj fliste për suksesin e shkollës së drejtorëve të cilën në fakt e rregulloi me ligj duke shpërfilluar programet universitare kur erdhi në pushtet;
u mburr që kishin ndërtuar palestër në shkollë që në fakt nuk mbulon dot nevojat e saj dhe fushat sportive të shkollave janë gllabëruar në metra katrorë ndërtim; iu “turr” prindërve që duhet të dëgjojnë e të pranojnë kritikat e mësuesit; kaloi te numri i psikologëve në shkolla që do të rritet thotë; te oficerët e sigurisë dhe digjitalizimi i tyre që do të ndodhte dhe do të rriste sigurinë; jepte këshilla për celularin që nuk duhet të merret në klasë, e pastaj kaloi përsëri te TikTok, pra, rrotullonte e rrotullonte fjalët si “punë” për të mbaruar.

12 vite në pushtet e dështim në arsim, “PISA 2022” dhe Raporti i Bankës Botërore 2024 kanë zhveshur propagandën e Ramës tashmë, dhe sot ai nuk ka më besueshmërinë t’i japë mend mësuesve dhe prindërve dhe sidomos pa dhënë asnjë shpjegim se pse mësuesit vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira e nxënësit me turne, shkollat nuk janë të sigurta e me infrastrukturë shkollore të munguar për veprimtari praktike që ndikon në aftësimin e nxënësve, e jo më ajo digjitale që ekziston vetëm në propagandën e qeverisë.

Shkollën e ka “marrë lumi”, gjendjen e rëndë të cilësisë e sigurisë në shkolla dhe dështimin në arsim, Edi Rama nuk e mbulon dot më, aq më tepër para mësuesve dhe prindërve që janë ndër “viktimat” e drejtëpërdrejta të reformave të dështuara të tij në arsim.

Edi Rama nuk bëri gjë tjëtër sot, por me paqartësinë e tij dëshmoi edhe njëhërë se sa rëndë është gjendja në arsim dhe sa i papërgjegjshëm është ky kryeministër.

Exit mobile version