Mirëmbajtja e rrugëve, tjetër tender për tunelin e Krrabës

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat e tenderimit për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të operimit të tunelit të Krrabës me një fond limit prej 98 milionë lekësh. Përmes kësaj synohet menaxhimi dhe mirëfunksionimi i tunelit, ambienteve përreth tij, mirëmbajtja e pajisjeve gjatë një periudhe 12-mujore nga kontraktori, i cili do të lidhë kontratë. Aktualisht ka përfunduar Loti 1 i tunelit të Krrabës nga rrethrrotullimi i TEG-ut në rrethrrotullimin e Ibës, Loti 3 – Dalja e tunelit të Krrabës–Elbasan. Aktualisht, në drejtimin Tiranë–Elbasan funksionon me të dy korsitë, ndërsa në drejtimin Elbasan–Tiranë vetëm me një korsi. Operatorët do të kenë mundësi të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 23 mars 2018. Kohëzgjatja e kontratës është parashikuar të jetë 12 muaj që nga nënshkrimi i saj. Mirëmbajtja rrugëve është prezantuar edhe si një nga objektivat parësorë të qeverisë shqiptare, e cila muajin e kaluar krijoi edhe Flotën e Solidaritetit. Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, është shprehur më herët se procesi i mirëmbajtjes së rrugëve do të vazhdojë sipas modelit të Bankës Botërore.

 

Artikulli paraprakKLSH: Doganat kanë dështuar
Artikulli tjetërVasili: ‘DEA të stacionohet në Shqipëri’