Mirësevini në Amerikën e Trumpit

Sarah Kendzior 

Fitorja e Donald Trumpit brenda Partisë Republikane ka përhapur panik për atë çfarë mund t’i ndodhë Amerikës nëse ai arrin të fitojë zgjedhjet presidenciale. Këto shqetësime ndryshojnë çdo ditë teksa Trump shpalos gamën e tij të gjerë të politikave të çmendura dhe të rrezikshme.

A do ta nxjerrë ai Amerikën nga NATO dhe të miratojë një pushtim të drejtuar nga Rusia të Europës Lindore? A do të sulmojë ai myslimanët? A do të dëbojë meksikanët? A do të nxjerrë në Twitter informacione të klasifikuara? A do ta lyejë Shtëpinë e Bardhë me ngjyrë të verdhë dhe të ndërtojë monumente të vetes së tij në “National Mall”? Këto janë të gjitha shqetësime mëse të kuptueshme, por ekziston një tjetër pyetje më shqetësuese që të vjen më rrallë ndërmend, edhe pse është pikëpyetja kryesore e zgjedhjeve të nëntorit: Po sikur Donald Trump të humbasë?

Prej më shumë se një viti, ekspertët, veçanërisht ata republikanë, të cilët rrezikojnë më shumë nga dorëzimi i partisë së tyre, kanë shprehuar gjithmonë se Trumpi do të heqë dorë dikur nga pozicioni i tij ekstremist. Këtë e thanë përpara zgjedhjeve paraprake, e thanë pas zgjedhjeve paraprake, madje edhe pas konventës së GOP-it ku për të disatën herë radhazi Trumpi u vlerësua “i denjë” për t’u bërë Presidenti i ardhshëm vetëm sepse demonstroi aftësinë e tij për të lexuar një skript që transmetohej në ekran. Megjithatë, momenti i tij i përmbajtjes rezultoi të ishte afatshkurtër. Trumpi e ka kaluar të gjithë javën e mëparshme duke nxitur Moskën të hakojë e-mail-et e Hillary Clinton-it dhe duke sulmuar familjen e një myslimani veteran të rënë në luftë. Këto ishin vetëm dy shembuj gafash të mëdha, të cilat në kushte normale, do të kishin shkatërruar kandidaturën e çdo individi tjetër. Por këto nuk janë zgjedhje “në kushte normale” dhe duket qartë se Trump nuk ka aspak ndërmend të heqë dorë nga pozicioni ekstremist.

Trump është duke i shtyrë amerikanët drejt këndvështrimit të tij fanatik dhe paranojak. Ai e ka bërë ekstremizmin aq të përhapur sa David Duke tani ndihet mëse i denjë për të kandiduar si anëtar i Senatit. Me inkurajimin e tij, mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar amerikanët me ngjyrë dhe ata jo kristianë. Të dëshpëruara për vlerësim dhe ndjekës, mediat amerikane në vështirësi financiare kanë luajtur rolin kyç në normalizimin e figurës së Trumpit, duke i dhënë atij më shumë kohë transmetimi se çdo kandidat tjetër, madje shpeshherë nuk kanë arritur as të sfidojnë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij.

Megjithatë, Trump nuk është krijimi i mediave. Ai ka ushqyer fanatizmin dhe tërbimin për çështjet e ekonomisë, natyrisht i ndihmuar nga mediat, por këto probleme ekzistonin kohë përpara se të niste fushata e tij. Në fund të fundit, shtresa e mesme amerikane ka përjetuar rënie që prej viteve 1970, kur pagat filluan të uleshin dhe punët e prodhimtarisë filluan të zhdukeshin. Nëse Donald Trump humbet, këto probleme, tashmë të ndërlidhura fort me politikën e nacionalizmit të egër, do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Si do të jetë Amerika në presidencën e Hillary Clinton? Do të jetë pikërisht si Amerika që shohim sot: me vuajtje, ankth dhe dhunë. Ta përshkruar vendin thjesht si “të përçarë”, do të thotë fatkeqësisht të tregohesh optimist. Këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah kontradikta të mëdha ndërmjet partive demokratike dhe republikane dhe kanë vënë në dukje prevalencën e qëndrimeve radikale si në anën e majtë ashtu edhe në të djathtën, që nga neonazizmi e deri tek anarkizmi. Rrjetet sociale kanë përhapur teori konspiracioni dhe fjalime urrejtjeje duke bërë që ekstremi të pozicionohet në qendër dhe amerikanët nuk e dinë më se çfarë populli janë.

Të shqetësuar nga ngritja e Trumpit dhe përhapja e dhunës që ka karakterizuar fushatën e tij, demokratët po përpiqen me çdo kush të rindërtojnë qendrën. Fushata e Clinton-it dhe Konventës Kombëtare Demokratike që ka bashkuar një gamë të gjerë etnish, besimesh fetare, orientimesh seksuale, profesionesh dhe ideologjish, shpalosi një Amerikë të diversifikuar, por të bashkuar nga patriotizmi dhe dëshira për të përmirësuar të mirën publike. Është një mesazh që do të duhet të vihet në praktikë në rast se Clinton fiton për shkak se kandidatura e Trumpit ka rrezik të lërë pas tre trashëgimi veçanërisht të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara.

Së pari, kemi rritjen e vazhdueshme të ekstremizmit të djathtë dhe grupeve militante. Më 26 qershor, pesë njerëz janë therur gjatë përleshjes në Sacramento të neonazistëve të supermacisë së bardhë dhe aktivistëve antiracizëm, disa prej të cilëve shfaqeshin si anarkistë. Ky event mund të jetë harruar nga shumë njerëz, edhe pse është një histori që dikur do të kishte mbushur të gjithë titujt kryesorë, për shkak të javëve të tëra të dhunshme që pasuan atë: vrasja e Alton Sterling dhe Philando Castile, vrasja e policëve në Baton Rouge dhe Dallas dhe një sërë sulmesh terroriste jashtë vendit, për të mos përmendur masakrën e Orlandos dy javë më parë. Në Amerikën post Trumpit, pesë njerëz të therur në një demonstratë të supermacisë së bardhë nuk është ndonjë lajm shumë i bujshëm.

Por përhapja e grupeve të urrejtjes është një trend që po zien prej kohësh. Që kur Obama u ngjit në pushtet, numri i grupeve të militantëve dhe “patriotëve” të supermacisë është rritur nga 150 në vitin 2008 në 1400 në vitin 2012. Ende nuk e dimë sa grupe të tjera urrejtje janë krijuar pas fushatës së Trumpit, por e dimë se ai i ka fuqizuar dhe tërhequr ata.

Nëse Trump humbet zgjedhjet, as ai dhe as mbështetësit e tij nuk kanë për ta pritur mirë këtë disfatë. Disa ekspertë pyesin veten nëse Trump do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Më 1 gusht ai deklaroi se zgjedhjet do të jenë të manipuluara: një lëvizje paraprake për të delegjitimuar një humbje potenciale të tij për shkak të rënies që ka pësuar nëpër sondazhe. Një ditë më pas, këshilltari i Trumpit, Roger Stone, deklaroi se do të “derdhet gjak” në rast se zgjedhjet “vidhen”.

Kur u intervistuan disa mbështetës së Trumpit gjatë muajit mars, shumë prej tyre thanë se do të formonin milici nëse ai nuk arrin të fitojë kandidaturën dhe këtë e kanë thënë shumë reporterë që kanë intervistuar individë të tjerë. Humbja e Trumpit mund të jetë shkaku i bashkimit të grupeve të ndryshme të urrejtjes së vendit, ndoshta duke çuar në ngritjen e tyre kundër qeverisë.

Sfida e dytë madhore buron nga fakti se, falë Donald Trumpit, pakënaqësia ekonomike tashmë është lidhur ngushtë me populizmin e bardhë. Në përpjekje për të diagnostikuar fenomenin Trump, ekspertët në Washington kanë krijuar profilin e fansave imagjinarë të Trumpit, duke imagjinuar sikur e gjithë baza e mbështetësve të tij të ishte një bllok i vetëm monolit. Në fakt, baza e votuesve të Trumpit është tepër e diversifikuar, ashtu si edhe mendësia e tyre: të hapur ndaj fanatizmit, agonisë ekonomike, urrejtjes për Clinton-in apo dëshirës për ndryshim. Megjithatë, emëruesi i tyre i përbashkët është ngjyra e lëkurës. Mbështetësit e Donald Trump janë të gjithë, pothuajse ekskluzivisht të bardhë.

Këtu përfshihen milicitë dhe organizatat e urrejtjes të përshkuara më sipër. Por mbështetësit e Trumpit janë gjithashtu dhe thjesht meshkuj të bardhë punëtorë të thjeshtë. Shqetësimet kryesore të këtyre individëve janë puna, tregtia dhe ndjesia se qeveria i ka braktisur. Këta janë fraksioni i njerëzve që ushqehen me statistika të keqinterpretuara të rënies ekonomike dhe papunësisë.

Problemi është se, edhe pse nuk janë plotësisht të hapur ndaj racizmit, këta votues e falin plotësisht racizmin përmes mbështetjes së Trumpit, duke kontribuar në përhapjen e supermacisë së të bardhëve. Joshja ndaj versionit racist të pakënaqësisë ekonomike që ofron Trumpi është aq e madhe saqë është përhapur në audienca të papritura. Një kontigjent i vogël, por i zhurmësh i bazës së mbështetësve të Bernie Sanders duket se kanë migruar në kampin e Trumpit. Ideologjikisht, ky ndryshim nuk ka asnjë kuptim, por duke pasur parasysh precedentin e vendosur gjatë zgjedhjeve paraprake, nuk është edhe aq i çuditshëm. Zgjedhjet paraprake demokratike ishin më të përçarat në historinë amerikane nga këndvështrimi racial – shtetet me popullsi me ngjyrë ose latine mbi 10 për qind votuan të gjithë për Clinton-in.

Teksa meshkujt e bardhë me perspektiva të ndryshme ideologjike bashkohen nën sloganin e Trumpit, shumë prej tyre falin ose bashkohen gjithashtu edhe me këndvështrimet e tij raciste, duke i njollosur plagët e tyre të legjitimuara ekonomike me një ndjenjë të shëmtuar nativizmi. Ndërkohë, ripërtëritja e shumëpritur amerikane nuk po arrin dot të krijojë mjaftueshëm vende të reja pune. Rezultati është që populizmi i bardhë jo vetëm që rritet, por përfshihet gjithmonë e më shumë në politikën amerikane.

Sfida e tretë madhore është rënia e vazhdueshme e medias amerikane. Si një kontribuese e fuqishme e ngritjes së Trumpit, media dhe pushteti i saj nuk duhet të nënvlerësohet. Që në muajin janar, një numër i madh mediash të ndryshme janë mbyllur ose kanë reduktuar ndjeshëm stafin e tyre duke përfshirë:Al Jazeera America”, “Mashable”, “HuffPost Live”, “Yahoo News”, “Guardian”, “New York Times” etj. Ankthi i industrisë mediatike lidhur me këtë rënie të ndjeshme është arsyeja përse Trumpi është promovuar kaq shumë.

Krerët e rrjeteve mediatike si “Les Moonves” kanë pranuar hapur se fushata e Trumpit mund të mos jetë e mirë për Amerikën, por është jashtëzakonisht e mirë për “CBS”-së. Kjo bindje ndahet edhe nga rrjetet e tjera si “CNN”, kompani e cila punësoi menaxhenin e fushatës së Trumpit, Corey Lewandowski (i cili është akuzuar një herë se ka sulmuar një reportere) si një komentator me pagë të plotë.

Kur bravurat e Trumpit të shterojnë, mediat do të humbasin fonde dhe do të largojnë më shumë njerëz, duke ofruar një mbulim të dobët të aktivitetit të administratës së re dhe një diskurs politik akoma më të frakturuar. Media ka mësuar se shfrytëzimi i dhunës, trazirave dhe mashtrimeve sjell punë dhe para. Ky nuk është një leksion i ri, por fushata e vitit 2016 ka treguar se përhapja e ekstremizmit është veçanërisht tërheqës për industrinë mediatike.

Çfarë do të ndodhë kur Trump të mos jetë më kandidat për President? Ekspertët e mediave parashikojnë përsëri rritjen e “lajmeve të Trumpit”, si një perandori mediatike që do të mbledhë një bazë popullsie që më parë nuk kishte zë. Nëse organizatat mediatike ndjekin shembullin e fushatës së Trumpit, kjo bazë do të përfshijë klane të ndryshme, anëtarë të grupeve militante dhe racistë të rastësishëm, duke ofruar teori nga më të ndryshmet konspirative për të shoqëruar lajmet e situatës ekonomike.

Nuk ekzistojnë vetëm tri aspekte të humbjes së Trumpit, por të gjithë ndjekin të njëjtën temë, atë të fenomenit Trump: përhapja e ekstremizmit. Fushata e tij e ka tërhequr betejën në qendër, ka ekspozuar dobësitë në media dhe sistemin dypartiak dhe ka shtuar pakënaqësinë e përgjithshme. Edhe nëse humb apo fiton, fushata e tij tashmë ka shkaktuar një ndryshim të madh të kulturës politike amerikane. Në nëntor mund të mos shohim vërtet Amerikën e Donald Trumpit, por një pjesë të saj me siguri.

 

Exit mobile version