Tifozët që pëlqejnë Silvinjon si trajner të skuadrës kombëtare mund të rrinë të qetë, pasi Inter Miami në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka gjetur trajner të ri dhe ai është Havier Maskerano, një shok i Lionel Mesit. Edhe pse braziliani i pankinës së përfaqësueses tonë shihej si një emër kandidat, duket se në Amerikë nuk kanë pritur diskutime e të humbasin kohë, ndaj e kanë bërë zgjedhjen e trajnerit shpejt e shpejt. Nga ana tjetër, disa lojtarë të Kombëtares kanë gjetur rrugën e rrjetës ditën e djeshme, duke spikatur me gola me skuadrat e tyre në kampionatet ku aktivizohen, ku vëmendjen kryesore e mori Mirlind Daku me dygolësh në Rusi, por s’mbeti pas edhe veterani Sokol Cikalleshi, që shënoi me Traktorin në Iran.
Pas disfatës me Ukrainën në ndeshjen e fundit të edicionit në Ligën e Kombeve, me pasojë rënien një ligë më poshtë, këto informacione janë shkëndija të një gjallërimi të kuqezinjve. Kujtojmë që Shqipëria e mbylli në vend të fundit në grupin 1 të Ligës B të Kombeve dhe ra një ligë më poshtë (në C) dhe kjo u pa si një dështim spektakolar i skuadrës dhe i trajnerit Silvinjo, për të cilin nuk munguan zërat se duhej shkarkuar. Ndërkohë, debatet e brendshme mes lojtarëve të përfaqësueses vijojnë, por ka dhe presion në rritje për ndryshime. Nga ana tjetër, performanca e kuqezinjve në disa vende sa vjen e rritet dhe kjo është gjë e mirë për ekipin kuqezi dhe vazhdimësinë në eliminatoret e Botërorit 2026 që do të luhen vitin e ardhshëm.
Silvinjo mbetet në krye të Shqipërisë
Silvinjo ishte një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Inter Miamit në sezonin e ri të MLS. Gjithsesi, tekniku brazilian nuk ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria, duke respektuar deri në fund kontratën e tij dhe të arrijë misionin për të kualifikuar kuqezinjtë në Botëror. Nga ana tjetër, David Bekham duket se e ka gjetur zëvendësuesin e Tata Martinos, i cili do të jetë një tjetër argjentinas. Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin e Barcelonës, Javier Maskerano. Sipas informacioneve të raportuara nga “Tyc Sports”, argjentinasi do të drejtojë një ekip plot me shokë të vjetër si Lionel Mesi, Luis Suarez, Zhordi Alba dhe Serxhio Buskets.
Daku kthehet në Rusi e shënon dy gola për Runin Kazanin
Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, ka qenë vendimtar të premten në fitoren 3:0 të Rubin-Kazanit ndaj Akron Togliattit. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 16-të të elitës së futbollit rus. Daku i shënoi dy golat e parë për Rubin-Kazanin. Golin e parë e realizoi në minutën e dhjetë ndërsa të dytin e shënoi në minutën e 20-të. Daku luajti deri në minutën e 90-të kurse Dardan Shabanhaxhaj luajti deri në minutën e 78-të. 26-vjeçari Me këto gola, Daku shkon në shifrën e tetë golave të shënuar në elitën e futbollit rus, ndërsa ka realizuar edhe katër asiste. Ekipi i tij, Rubin Kazani zë vendin e shtatë në tabelë me 22 pikë të tubuara në 16 ndeshje këtë edicion të garave në Rusi. Daku nuk ia doli të ishte përcaktues në ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kombeve dhe performanca e dobët e Shqipërisë tregon se sulmuesit nuk e thanë si duhet fjalën e tyre.