Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar vjen në Tiranë për të konsultuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2017. Njëkohësisht do të bëhet edhe rishikimi i nëntë i marrëveshjes trevjeçare. Gjatë qëndrimit disa ditor në Shqipëri misioni do të vijojë konsultime me ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë, ministrinë e Ekonomisë, atë të Energjisë, Transportit etj. Inspektimi i këtij misioni do të ketë rëndësi kyçe për shkak se marrëveshja është drejt fundit. Në shkurt të vitit që vjen marrëveshja e ngushtë e bashkëpunimit FMN –Shqipëri përfundon dhe me shumë gjasë marrëveshja e re do të jetë më fleksibile. Nga kushtetues bashkëpunimi i ri me Institucionin Financiar Ndërkombëtar do të kalojë në këshilluese kanë lënë të kuptojnë zyrtarët e ministrisë së Financave. Gjatë këtij misioni në themel të bisedimeve pritet të jetë amnistia fiskale një projekt i propozuar në korrik nga qeveria shqiptare por që nuk ka marrë një formë përfundimtare. Duket se FMN nuk është dakord me faljen e plotë të principaleve dhe tani është në diskutim në një variant i ndërmjetëm, ku pritet të falen vetëm gjobat. Gjithashtu në themel të diskutimeve pritet të jetë dhe pragu i deficitit primar. Qeveria shqiptare kërkon ti ikë objektivit fillestar prej 0.3%, por duket se Fondi nuk është dakord me këtë devijim. Në shkurt të vitit 2014 qeveria shqiptare dhe FMN nënshkruan marrëveshjen tre-vjeçare të bashkëpunimit, e cila shoqërohej me hua të butë prej 295 milionë eurosh, nga e cila 209 milionë euro janë disbursuar.