Misioni i dështuar i së majtës

Misioni i së majtës për të rritur punësimin dhe për të zbutur pabarazinë sociale përtej disa caqeve të limituara dhe rastësore, ka dështuar.
Zënia në punë në Shqipëri kurrë nuk ka zbritur nën 10 për qind. Megjithëse kemi pasur një rritje ekonomike, që është luhatur në mesataren historike mes 3 dhe 5 për qind, rritja e punësimit nuk ka kërcyer asnjëherë më shumë se kjo shifër. As fenomeni i fundit i rizgjuar i emigracionit masiv nuk po e përmirëson treguesin e punësimit, megjithëse krijoi vende bosh nga të larguarit dhe që duhen mbushur nga të papunët.
Ndërkohë, varfëria, brenga më e madhe sociale dhe ekonomike e vendit, nuk është lehtësuar. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare në Shqipëri, rreth 45 për qind e shqiptarëve i kanë të ardhurat nën 5 dollarë në ditë. Zhvillimi i deritanishëm ekonomik nuk ka mundur të krijojë një shtresë sociale me të ardhura të konsoliduara mesatare, por veçse një grup që është aq i ndjeshëm saqë e ka të lehtë të zbresë poshtë kufirit të sipërm të varfërisë sa herë ekonomia ka goditje.
Por, edhe të majtët, të ardhur rishtaz në pushtet me program qeverisës të mbështetur fort te zbutja e pabarazisë dhe rritja e punësimit, sërish kanë dështuar.
Dikush tjetër, përveçse shumicës së popullatës, po konsumon rritjen ekonomike.
Gjatë këtyre tri viteve të mandatit, e majta nuk arriti të krijojë një sistem të ri të shpërndarjes së pasurisë, ndaj sot, rreth 5 për qind e popullatës, vazhdojnë të kenë mbi 90 për qind të të ardhurave. Një mënyrë për të ndrequr këtë raport do të ishte taksimi ndaj konsumit, me parimin që ai që konsumon më shumë, paguan më shumë, por taksat e të majtëve në Shqipëri u përqendruan te kapitali dhe puna, duke vrarë shpirtin sipërmarrës e duke shuar mundësinë e shumicës së njerëzve për të zgjidhur vetë çështjen e mirëqenies.
Të dhënat e fundit tregojnë se nga 100 kompanitë më të mëdha në vend sipas fitimeve, ato që kanë pasur rritjen dhe fitimin më të lartë vitin e kaluar (subjektet që kanë punuar si nënkontraktorë të kompanive publike të energjisë për shembull, rezultojnë me një normë marramendëse fitimi prej 70%!), janë kompani të krijuara rishtaz dhe kanë pak të punësuar. Shpërthimi i këtyre bizneseve është artificial e nuk ka ndodhur për shkak të mjedisit ekonomik nxitës e as për aftësi të brendshme menaxhuese, por për shkak të stilit qeverisës me koncesione të dyshimta për leverdisshmërinë ekonomike dhe që s’kanë kurrfarë tavani mbi fitimin; ka ndodhur përmes tenderëve me prokurime të drejtpërdrejta pa garë dhe përmes përqendrimit të fondeve publike vetëm në pak emra.
Për të dyja këto arsye, taksa e keqorientuar dhe përdorimi i fondeve publike për të krijuar vatra pushteti artificiale ekonomie janë arsye të mjaftueshme për të besuar se elita e majtë ka dështuar.
Në këtë Shqipëri me paradokse, tani mund ta besosh se mund të bëhesh i pasur me thërrimet e të varfërve. Në vend është instaluar diktati i elitave artificiale të pakicës, që kërcënon çdo ditë të drejtën tonë për të jetuar në mirëqenie.

“Monitor”

Artikulli paraprakDixhitalizimi, shumë televizione drejt mbylljes
Artikulli tjetërPse në Shqipëri pagat janë më të ulëtat në rajon?