Nga Enver Bytyçi
I pari i Kosovës, Hashim Thaçi, thirri në ndihmë Johannes Hahn përmes Mogherinit, me qëllim që ta “mposhtë” kundërshtarin dhe rivalin e tij, kryeministrin Haradinaj. Hahn nisi rrugëtimin e tij fillimisht direkt në Prishtinë e më pas u kthye pak nga rruga për të takuar Aleksandër Vuçiq në Beograd. Vuçiq i premtoi Hashim Thaçit se do t’i bëjë presion zotit Hahn, me qëllim që Brukseli ta shpallë Haradinajn ekstremist. Por nuk ndodhi kjo. Shkaku i vizitës ishte vendosja e taksës 100 përqind të vlerës së mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Sot pasdite komisioneri Europian për Zgjerim u takua në kryeqytetin e Kosovës me tri personalitetet e vendit, presidentin, kreun e Parlamentit dhe kryeministrin. Takoi dhe deputetët e Listës Srpska, të cilët u ngujuan dje ora 11.00 në ambjentet e parlamentit të Kosovës, në shenjë proteste pse Hahn kishte refuzuar këtë takim.
Ndërkaq nga deklaratat në përfundim të takimeve dhe bisedave duket se qeveria e Kosovës është e vendosur në zbatimin e vendimit të marrë për taksën, ndërkohë që komisioneri europian ka shpreh befasi nga marrja e këtij vendimi. Haradinaj thotë në deklaratën e tij për shtyp se ia ka shpejguar zyrtarit të lartë të Brukselit arësyet pse qeveria mori vendimin përkatës. Sigurisht që Hahn nuk është pajtuar me ato argumente dhe ka kërkuar heqjen e taksës për mallrat që vijnë nga Serbia në Kosovë.
Por Johannes Hahn u duk se e ka zbutur qëndrimin e tij për këtë çeshtje kur deklaroi se “Ka nevojë që të dyja palët t’i adresojnë këto çeshtje”! Kjo do të thotë se gjatë vizitës ai ka kuptuar që nuk është e nuk mund të bëhet fajtore vetëm Prishtina. Në të vërtetë fajtore dhe përgjegjëse për konfliktin e stërzgjatur shqiptaro-serb është Beogradi. Vitet e fundit është bërë bashkëpërgjegjës edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Kemi parë tashmë se sa më shumë lëshime ka bërë Thaçi, aq më shumë është rritur veprimtaria diversioniste e sabotuese e Beogradit në drejtim të Kosovës.
Më e keqja është se zoti Thaçi ende nuk dëshiron t’i kundërvihet kësaj skeme. Prandaj dhe fajëson Haradinajn për gjithçka, përfshirë taksën për mallrat e Serbisë. Kësisoj nuk është vështirë të kuptohet se presidenti i Kosovës thërret në ndihmë Serbinë dhe Beogradin për t’i qëruar hesapet me kundërshtarët dhe rivalët e tij politikë në Kosovë.
Duhet hetuar a ka bërë të njëjtën gjë me Ibrahim Rugovën dhe Fatmir Sejdiun?! Ka shumë gjasa që po. Derisa sot presidenti i vendit bashkëpunon me të gjitha qarqet antiKosovë në Serbi, Rusi e në botë kundër Kosovës dhe qeverisë së saj, atëherë duhet besuar se ky bashkëpunim nuk ka ardhur “në befasi”, siç u shpreh Hahn për taksën. Bashkëpunimi i zotit Thaçi për eleminimin fizik të Rugovës dhe eleminimin politik të Sejdiut janë përvojat e para të skemës së Thaçit në bashkëpunim me Beogradin!
I nxitur nga Beogradi dhe Hashimi Johannes Hahn erdhi me shumë pompozitet në Prishtinë. “Magjinë” e tij e ngjizën te publiku gjithashtu mediat e Ramës dhe të Thaçit. Por në fund të ditës kemi një sukses të pamendueshëm. Në vend që Hahn ta qortojë kryeministrin Haradinaj, ai la të kuptohet se kreu i ekzekutivit të Kosovës është tashmë më shumë faktor sesa kreu i shtetit.
Prandaj vizita e tij në Prishtinë do të ketë efekte pozitive. Infoja që ai do të çojë në Bruksel do të jetë ndryshe nga çdo info e mëparshme e shpëlarë, e manipuluar dhe e intriguar edhe si rezultat i retushimeve dhe redaktimeve që atyre u ka bërë Beogradi para se të arrijnë në kryeqytetin europian përmes Hashim Thaçit dhe Gebelsit kosovar, Baton Haxhiu.
Takimi me Haradinajn dhe besoj edhe me Kadri Veselin e ka bindur komisionerin për Zgjerim se nuk ekziston vetëm Kosova e Hashimit, por ka dhe një Kosovë tjetër jashtë perimetrit të përceptimit dhe imagjinatës së presidentit të Republikës. Mjafton kjo që ta konsiderojmë të suksesshme vizitën e sotme të Johannes Hahn në Kosovë. Shkoi e u mbars në Beograd, por u shkarkua pas pak orësh në Prishtinë. Ky është sukses jo i vogël.
Tiranë, më 3.12.2018