“Mister” 1 miliard

Zhoze Murinjo ka fituar shumë epitete në karrierë, si “Special One” për shembull, por në të njëjtën kohë emri i tij është i barasvlefshëm me trofe, por gjithashtu, “Mou” do të thotë edhe lumë milionash të shpenzuara në merkato. 53-vjeçari, i cili u bë i njohur me Porton në vitet 2003 dhe 2004, ku fitoi përveç titujve kombëtarë edhe Kupën UEFA (sezoni 2002-2003) dhe Ligën e Kampioneve (sezoni 2003-2004) brenda dy viteve, ai u josh nga të gjitha klubet më të mëdha të botës dhe disa prej tyre arriti t’i prekë:
Chelsi, Real Madrid, Inter dhe tashmë Mançester Junajtid. Por Zhoze Murinjo nuk është vetëm një trajner, ai kërkon të jetë edhe “bosi”, prandaj kudo që shkon, kërkon të ketë gjithçka në duart e tij, por në të njëjtën kohë edhe shuma të mëdha financiare për të bërë skuadrën e menduar prej tij.
Jo më kot, ai ka urdhëruar disa prej blerjeve më të shtrenjta të historisë së futbollit, por edhe më të shtrenjtin, Pol Pogba-në, i paguar 90 milionë stërlina, që e konvertuar në euro shifra kap 105 milionët.
Nisur nga kjo çmenduri që familja Glejzër ka bërë për Murinjon dhe Mançester Junajtid, e përditshmja britanike “Daily Mail” ka bërë studim të të gjitha blerjeve të trajnerit portugez, pas largimit të tij nga atdheu. Dhe rezultati është i frikshëm, 846.8 milionë stërlina, e thënë ndryshe 1 miliard euro.
Trajneri luzitan u ul në pankinën e “Djajve të Kuq” më 27 maj 2016, por atij i kanë mjaftuar diçka më pak se tre muaj për të sjellë trofeun e parë në klub, Superkupën e Anglisë, por njëkohësisht shpenzoi edhe një shifër jo të vogël në merkato.
Përveç Pogba-së së paguar 90 milionë stërlina, ai afroi edhe mbrojtësin Beili nga Vijareali për 30 milionë stërlina dhe mesfushorin Mikhitarjan nga Dortmundi për 26 milionë stërlina, përveçse Ibrahimoviçit, me parametër zero, për një total prej 146 milionë stërlinash.
Por klubi në të cilin ai ka shpenzuar më shumë ka qenë Çelsi, me të cilin pati dy aventura, e para më 2004-2008 dhe e dyta qershor 2013-dhjetor 2015. Edhe pse te Blutë e Londrës solli mjaft trofe (3 tituj, 3 Superkupa, 2 FA Cup), në fund fatura e shpenzimeve ishte shumë e kripur, plot 452.4 milionë stërlina.
Pas aventurës së parë te Blutë kaloi në Serinë A, tek Interi, ku pas dy sezonesh ai shpenzoi 101.4 milionë stërlina, por ia vlejti sepse ai solli Champions-in në Milano, pas gjysmë shekulli, por edhe dy kampionate dhe dy Kupa Italie.
Aventura italiane pasoi me atë në Madrid, te Reali, aty ku pas 3 vitesh u largua me 1 titull, 1 Kupë Mbreti dhe 1 Superkupë, për të cilat ai shpenzoi 147 milionë stërlina dhe ku blerja më e shtrenjtë ishte ajo e mbrojtësit Fabio Koentrao, prej 26.7 milionë stërlinash, një aventurë dhe një blerje për të mos u krenuar shumë.
Por tani, “Special One” ka vendosur të rikthejë në elitë Mançester Junajtid, jo vetëm me lojë, por edhe me emra të mëdhenj, si Zlatan Ibrahimoviç e Pol Pogba për shembull. Dhe nëse ruan të njëjtin ritëm shpenzimesh në merkato, Zhoze Murinjo pritet që ta thyejë bindshëm jo vetëm murin e 1 miliard eurove shpenzime, por të prekë shumë shpejt atë të 1 miliard stërlinave.

Artikulli paraprakStanislav Cherchesov, trajneri i ri i Rusisë
Artikulli tjetërMojes shpëton Januzajn nga turpërimi