Misteret që mbulojnë vdekjen e shkrimtarit Albert Kamy! Aksidenti mendohet të jetë “gatuar” në zyrat e kobshme të KGB-së

Alber Kamy mbetet një nga shkrimtarët më të mirë të botës. Ai ishte dhe filozof francez, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut.

 

U lind me 7 nëntor 1913. I ndjek rregullisht studimet në universitet dhe diplomon për filozofi. Në vitet tridhjetë ai kalon sprova të shumta në jetë dhe piqet nga përvoja gjithfarëshe: shkruan tekste te vogla meditative me theks biografik, shtohet ne spital për tuberkuloz, por i shpëton vdekjes, por jo kurimeve te vazhdueshme. Boton romanin e rinise “Vdekja e lumtur”, të cilën nuk pranon ta botojë për së gjalli. Viti 1937 shënon çast vendimtar në jetën intelektuale të Kamysë. Boton librin “E mbrapshta dhe e mbara” me ese të rinisë. Në vitin 1939 boton një tjetër libër me ese “Dasma”.

Më pas punon në gazetat serioze të Algjerit dhe shkrimet e tij i boton në një përmbledhje “Aktualet”. Bëhet i njohur me 1942 me botimin e eseut filozofik “Miti i Sizifit”, sfidë krenare e njeriut ndaj universit të dhunës e të pakuptimte që Kamyja e emërton me emrin “absurd”. Po atë vit boton romanin “I huaji”, pasqyrë e brishtësisë së njeriut dhe e vuajtjes absurde. Krijimtaria e Kamysë pasurohet dhe me dy drama. “Kaligula”, me 1944, përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore të mishëruar në figurën e perandorit romak Kaligula. Drama tjetër është “Të drejtët” himn i sakrificës për liri.

Vepër tjetër është eseja “Mendime për gijotinën” ku dënon heqjen e dënimit me vdekje. Botimi tjetër është romani “Murtaja” që mbahet si një nga romanet më të mira të shek XX, ku i bëhet një sintezë qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave të tiranisë. Botimi i esesë “Njeriu i revoltuar” me 1951, drejtuar kundër mendimit diktatorial e veçanërisht kundër terrorit stalinist, i shkakton Kamysë sulmin e ashpër të intelektualeve të majtë francezë, me në krye Sartrin dhe një lloj izolimi, të cilin ai e vuajti thellë. Në këto vite dëshpërimi e vetmie ai shkroi veprën e tij më pesimiste e të zymtë “Rënia”, aktualizim i parabolës biblike mbi gjendjen e njeriut si mëkatar dhe i pandreqshëm. Më 1957 suksesi letrar i Kamysë vlerësohet me çmimin Nobel. Kamy e gjen vdekjen nga një aksident automobilistik me 4 janar 1960. Dorëshkrimi i papërfunduar i Kamysë është romani “Njeriu i parë” që e botuan më pas nën kujdesin e së bijës më 1994.

MISTERET E VDEKJES

Albert Kamy vdiq në një aksident automobilistik apo ra pre e një kurthi vrastar të ngritur nga KGB-ja? Kjo as që do të marrë kurrë një përgjigje përfundimtare. Askush nuk do të besonte në një fund të tillë tragjik dhe misterioz që i ra për risk, gazetarit, publicistit, dramaturgut dhe romancierit nobelist, Albert Kamy. I gjithë opusi letrar i absurdit të ekzistencës së njeriut, gremiset në minutin tragjik të fatit të Sizifit. Mëngjesin e së hënës të 4 janarit 1960, filozofi dhe mendimtari radikal, Alber Kamy do të largohej vonë nga Hoteli “Chapon Fin” i qytezës franceze Tuasej, ku ishte akomoduar, për të rendur drejt shtegut fatal. Udhëtonte me makinën e botuesit të tij, Mishel Galimard, i cili ngiste makinën. Kamy ishte i ulur pranë Galimardit, ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit, Zhanina, gjendej e rehatuar në sedilen e prapme pranë vajzës së saj dhe qenit të racës “terrier”.

Ky ishte pak a shumë sinopsi i këtij udhëtimi fatkeq. Krejt papritmas në lartësinë e Peti-Vijeblevin, makina devijon për t’u përplasur fatalisht pas një rrapi në krah vijës ndarëse të rrugës. Albert Kamy do të këputej së gjalli, si një dritë qiriu, që një shkulm fryme e ndal dritimin e praruar, ndërsa bashkudhëtari do të kishte të njëjtin fat pas disa ditëve përpjekje agonike në spital. Një fund absurd për atë që me absurdin e ekzistencës ishte përballur triumfalisht si në rrapëllimat e jetës ashtu edhe në faqet e mbrujtura përplot nerv, ide e vizion të librave të tij. Kështu u shua në moshën 46- vjeçare një prej penave më me ndikim në shekullin XX, një prej zërave më të fuqishëm dhe mendimtarëve më kurajoz. I kësisojtë ishte fundi i autorit i të romaneve, “I huaji” dhe “Murtaja”, dhe monumenteve të mendimit filozofik “Miti i Sizifit” dhe “Rënia”. Laureati i Nobelit në letërsi, tre vite më për “përqafon” vdekjen në një aksident automobilistik, i cili edhe sot pas 55 vitesh vazhdon të mbetet e mbërthyer nën një mjegull të dendur misteri. Mes atyre llamarinave të shtrembëruara, me kafkën e thyer dhe qafën e këputur, përfundon mundin e tij prej Sizifi ekzistencialisti me fytyre njerëzore, “humanisti” libertin. Fundi fatal nuk do të kursente vullnetmirin, ngadhënjimtarin dhe dalzotësin e pashoq të fatit të shtypurve. Mbi shkaqet e daljes nga rruga të makinës, që rezultoi fatale për Kamynë, dhe njëkohësisht për vetë Galimardin, kanë dalë shumë hamendje: “Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, në një rrugë 9 metra të gjerë dhe pa trafik”, mëtohet të ketë kumtuar në përpjekjen për të hedhur dritë në terrin e ngjeshur të misterit të këtij fundi fatal, biografi Herbert R. Lotman në librin monumental të tij, “Kamy” botuar më 1984.

Por, një dokument i panjohur që publikohet spariherë para disa vitesh qaset të davarit mjegullën e dendur që mban të mbështjellë të vërtetën që mori jetën e një filozofi dhe mikut të tij. Kjo përpjekje e një disidenti çek hedh një rreze drite të habitshme dhe njëherësh tragjikisht të arsyeshme.

KUSH E AKSIDENTOI

Aksidenti i shkrimtarit Albert Kamy hamendet të jetë vepër e gatuar në zyrat e kobshme të KGB-së. Madje shkohet deri aty sa të drejtohet gishti nga persona konkret të iniciuar prej mërive që zanafillojnë prej penës dhe mendjes së antikonformistit. Akuzohet direkt ministri i asokohshëm i Ministrisë së Brendshme ruse, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Albert Kamy e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë nëpërmjet një artikulli të gazetës “Franc tireur”, në mars 1957. Opinioni publik dhe kritika janë të prirur të besojnë në këtë hamendje, si në një të vërtetë të pakontestueshme. Ai që “guxon” të ngre krye dhe të dëshmojë është një personazh aspak ekuivok dhe i padyshimtë për mitomani. Bëhet fjalë për poetin dhe përkthyesi çek, Jan Zabrana, i cili rreket ta çlirojë prej misterit këtë fund tragjik të Kamysë dhe këtë e mundëson në një faqe të ditarit të tij “Cely Zivot” (E gjithë jeta), publikuar pas vdekjes më 2004 nga shtëpia botuese “Torst” e Pragës. I ndarë nga jeta në vitin 1984, Zabrana, falë të cilit u përkthye në çekisht edhe romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut.

Ai kishte provuar burgjet pas vitit 1948 dhe u përndoq bashkë me familjen gjatë regjimit komunist, i cili ndaloi dhe botimin e poezive te tij. Asokohe ai u detyrua të merrej me përkthime, mbi të gjitha nga rusishtja. Kështu ai mund të njihte ambientin politiko-kulturor të atij “burri që di shumë gjëra, dhe ka burime nga mund t’i marre”. E citon ditarin e tij pa e përmendur në emër duke iu referuar një burimi të saktë në kontakt me shërbimet sekrete sovjetike. Ky ditar u bë publik rregullisht në edicionin e gjuhës çeke, origjinali i së cilës ruhet nga bashkëshortja, Maria Zabranova, i kataloguar si “Fletorja blu numër 91”. Ai që e ka zbuluar këtë thesar të tragjikut është shkrimtari italian, Antonio Tabuko, i cili “jeton në Pragë nga larg” dhe publikon lëmuesve në “Pais”. Por sapo mundet vrapon për në qytetin e Rudolfit II dhe Franc Kafkës, të Arcimboldit dhe Golemit, sikur ta kishte një atdhe të shpirtit. Behet fjalë për kremonezin Xhovani Kateli, autor i dy përmbledhjeve në prozë të shkurtër “Gjeografi dhe Largesi”, ndërsa kumton edhe librin e parë me poezi, “Trena”.

“E frekuentoj Pragën prej më shumë se 20 vjetësh”, tregon Kateli, “dhe e njoh mire Maria Zabranovan, e cila ka mbikëqyrur versionin çek të librit “Gjeografi”. Kur, ndërsa lexoja ditarin e burrit të saj, u gjenda përballë lajmit që lidhej me vdekjen e Albert Kamysë. Pata një lloj shoku. Hidhte një dritë të re mbi fundin e një autori shumë të rëndësishëm për formimin tim dhe të kushedi sa të tjerëve. E mora si detyrë për t’ia bërë të njohur të gjithëve”. Ne fakt, ditari “Cely Zivot”, një vëllim i rënde prej 1.000 faqesh, nga i cili qe publikuar tre vjet më parë në Francë një pjesë nën përkujdesjen e Patrik Ourednik në bashkëpunim me shtëpinë e vogël botuese “Allia”. Por, bëhej fjalë për një antologji rreth 150 faqesh, ku pjesa për vdekjen e Kamysë ishte lënë jashtë. “Në gjendjen aktuale”, nënvizon Kateli, “mbetet fakti se në rreshtat akuzues të ditarit të Zabranas, kaq përvëlues në ftohtësinë e objektivitetit të tyre, nuk është reflektuar aq sa duhet”.

Dhe shton një tjetër motiv, veç polemikës mbi faktet e Hungarisë, që mund ta ketë shtyrë Shepilovin për të armatosur krahun operativ të KGB-së kundër një shkrimtari të fortë vetëm në pacifizmin e rrënjosur thellë tek ai dhe në humanizmin e pamposhtur: “Nuk duhet harruar mbështetja vendimtare që i dha Kamy një autori të përndjekur nga regjimi sovjetik, si Boris Pasternaku për të marrë çmimin Nobel në letërsi, që, në fakt, autori i “Doktor Zhivagos” e mori në vitin 1958, një vit pas tij”. Në një letër që ia dërgonte Roland Bartezit në vitin 1955, Albert Kamy shkruante për një romanet me të famshëm të tij: “Murtaja ka si përmbajtje të dukshme, luftën e rezistencës evropiane kundër nazizmit”. Nga hipoteza e sabotimit mes 1.000 faqeve të ditarit të Zabranas, një tjetër murtajë totalitare do të bëhej përgjegjëse për fundin e parakohshme të Kamysë, të përhershmit njeri në revoltë që nuk besonte në revolucionin komunist.

Exit mobile version