“Misteri i arratisjes së radistit nga burgu i Tiranës dhe vrasja e tij nga…”/ Historia e panjohur e “diversantit” që u stërvit nga CIA

Nga Mexhit Prençi

‘Nëntë Malet’ e Dibrës, kanë hyrë në histori si simbol i mençurisë, qëndresës, trimërisë dhe atdhetarisë. Rapsodi këndon: “Nëntë Malet e Dibrës/ male përmbi male,/ nëntë këngë lirie/ derteve dhe halleve/ Nëntë të mprehta shpata / nëntë vetëtima / nëntë fole shqiponjash / nëntë djepe për trima”. Reçi dhe Dardha ishin Mal i Parë i Nëntë Maleve të Dibrës. Krahina më e varfër, por e pasur në bujari, besë dhe krenari. Shtëpia e Trocit, Dodës, Markut, Prençit ishin ndër më të nderuarat, me burra trima e urtakë popullorë, në Reçin e pjerrët e të thyer me këmbët në Drinin e Zi dhe trupin që ngrihej përpjetë rrëpirave e shpateve, drejt maleve të larta, dhe majave të mprehta, që dukej sikur preknin qiellin.  

Troci, i pari i fisit, thotë legjenda kishte prerë kokën e Arapit të Zi të Shkodrës në dyluftim dhe bash për këtë nderohej dhe respektohej nga të Nëntë Malet e Dibrës. Në çdo mjedis ku ndodhej Troci, i rezervohej kryet e vendit dhe koka e qengjit në gosti, gëzime a hidhërime. Para Trocit, nuk guxonte kush ta hante kokën.

Kështu thoshte legjenda. Realiteti dibran e dëshmon. Nga këto male që ua shkel syrin dielli i mëngjesit nga maja e Korabit, kanë dalë trima idealistë të cilët mbi gjithçka kanë vënë atdheun dhe lirinë, besën dhe nderin, për të cilat japin edhe jetën. Njëri prej tyre është edhe Tahir Prençi.

Fyelli i bariut nga kodrat me lajthi të Çakbardhës, shpati i Mllezës, Malet e Kaptinës dhe Maja e Rrasës, bie edhe sot duke përcjellë melodinë e këngës: “Tahir Prenç nuk ban ma nana/ N’dash për bes’, n’dash për trimni/…Sigurims t’shitoft-o, zana!/ “Pranoj vdekje, jo tradhti”.

Super-radisti sfidoi trysnitë, për ta detyruar të bënte lojë të dyfishtë, që të vihej në shërbim të komunistëve, për të shtënë në grackë shokët e tij nacionalistë, dhe idealet e tij, për ta poshtëruar dhe zhveshur nga morali i lartë i atdhetarit dhe luftëtarit të lirisë. Tahir Prençi lindi më 1921 dhe ishte fëmija i tretë i Sulejmanit, që njihej si trim i çartur në këto anë.

U rrit me këngët e trimërisë dhe vallet burrërore, me ajrin e pastër të bjeshkëve dhe maleve, me ujët e ftohtë të krojeve, me legjendat e lashta dhe me historitë e bëmat e luftëtarëve reçianë, në luftërat e përgjakura kundër shkjaut, të udhëhequra nga prijësi legjendar, Elez Isufi.

Pas masakrës genocidiste të Serbisë në Bardhaj, trimat e Reçedardhës me babanë e Tahirit, Sulejmanin që u printe, zbritën nga foletë e tyre nëpër malet dhe u turrën si stuhi mbi serbët, të cilët të tmerruar ia mbathën në panik, e, kur pushka u ngecte nëpër shkurre duke ikur, ata pa e kthyer kokën pas, thërrisnin: “Aman, ore aman, se është dërzhavës”! Dhe të çarmatosur u hodhën në Drinin i Zi, gjysmën e të cilëve i përpinë dallgët me ulërima.

Që në moshën 16 vjeçare e martoi i ati. Tahiri lindi dy fëmijë: Rifatin dhe Hiken. Dy fëmijë fatzinj, që provuan që në rini dhunën, burgun internimin dhe persekutimin komunist. Tridhjetë vjet nën diktaturë. Rifati, 22 vjet burg, burg politik, si ai i Burrelit që ua kalonte dhe burgjeve naziste.

Gjer më 1939, kur Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, Tahiri punonte në bujqësi. Ishte i zoti i punës. S’ia hante qeni shkopin, thoshin për të. Trup madh si i ati, i bëshëm, i forte e i shëndetshëm. Por edhe i fjalës dhe i besës. Me shokë e miq të mirë.

Pas ditës së Zezë të Shtatë Prillit 1939, kur fashistët pushtues rekrutonin të rinjtë për t’i shkolluar e vënë në shërbim të tyre, që në kontigjentin e parë, u thirr edhe Tahiri. Oficeri italian sapo e pa, seç foli në gjuhën e tij, pastaj tundi kokën, përkthyesi e shqipëroi: “Do shkosh në Itali”.

Kështu malësori i Reçit, u nis për studime ushtarake trevjeçare, për në Romë. Atje u specializua për radio-ndërlidhje. Ishte ndër studentët më të shkëlqyer. I rrallë. Rekordmen në alfabetin mors. Mjeshtër si mundës. Me vullnet dhe guxim të paparë. Kthehet në Shqipëri si oficer.

Shërben në Maqedoni për pak kohë…! Fashizmin e urrente aq sa donte atdheun dhe lirinë. Urrejtja dhe dashuria ushqenin njëra tjetrën. Urrejtja për pushtuesit italianë, rriste dashurinë për atdheun. Dashuria për atdheun dhe lirinë, rriste urrejtje për pushtuesit fashistë. Ziente përbrenda….lidhet me forcat antifashiste.

Fillimisht me Ramadan Kaloshin. Radhitet në brigadat partizane, duke menduar se ato luftonin për liri e për atdhe. U tmerrua kur pa sesi eliminoheshin djemtë e rinj të familjeve të ballistëve, zogistëve dhe të klasave të pasura.

Komandantët partizanë injorant, bënin ligjin. Shkonte pika e djalit, për “dhjam qeni”. Shpirti i Tahirit u lëndua. Brenda tij ngriti krye ndjenja e drejtësisë, idealit, lirisë dhe demokracisë. Para syve të tij, u pushkatua 15 vjeçari Salë Bodi.

U arrestuan heronjtë e luftës, Hasan e Halit Prifti. Në këto rrethana tragjike dhe fatale, Tahiri takoi dhe kuvendoi me burrat e mendjes dhe të shpatës, Hasan Spata dhe Ymer Doda, burra të nderuar të Çidhnës dhe Reçit…

Në një moment ai u drejtohet atyre: “Vëllezër, kjo nuk është Shqipëri e lirë. Prushin e shpupurit serbi. Ejani, të largohemi nga Shqipëria, që të luftojmë për për çlirimin e saj nga pushtimi komunist! Nesër do të jetë vonë”! …Më 1945-ën, arratiset me një grup zogistësh, për në Greqi.

Prej andej në Gjermani. Në Mynih u njoh me gjeneral Abaz Kupin, kolonel Xhemal Laçin, etj. Laçi ka dëshmuar se Tahiri shërbeu në Gjermaninë Perëndimorë, deri më 1950-ën. Ai thotë se ishte i guximshëm, i rrallë, i zgjuar, profesionist i klasit të parë, si radist.

Aftësia e tij si radist, vlerësohej e jashtëzakonshme. Maturia e gjakftohtësia, si virtyte të dibranit, bënin që mos t’i fliste kurrë goja, para mendjes. Emri i tij do hynte në faqet e shtypit në vitet e Luftës së Ftohtë. Dhe në zyrat sekrete. Kundërshtarët do ta thërrisnin; “Tigri dibran”.

Tashmë Tahiri ishte pjekur dhe përgatitur për t’u hedhur në luftë, kundër komunistëve-terroristë të Enver Hoxhës. Me thirrjen që bëri Abaz Kupi më 1950, bëhet më aktiv, punon më shumë, merr zemër e guxim më të madh, për të nisur betejën për mobilizimin e popullit në luftën më të vështirë, për çlirim nga pushtimi komunist.

Më 1952, vjen në Shqipëri ilegalisht bashkë me një grup nacionalistësh antikomunistë. Vendosen në zonën e Bulqizës. Ishte bashkë me Zenel Shehun. Në këtë zonë kryenin veprimtarinë e tyre patriotike. Në bisedë me Zenelin, në shtëpinë ku ishin strehuar, shpesh Tahiri i tregonte disa parandjenja të këqija.

Në mendje i faniteshin skena të tmerrshme, të kurdisura nga dora e tradhtisë. Ai i besonte ato, se besonte te Zoti. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Me sinjalet e KGB-së, Sigurimi famëkeq i Shtetit të tiranit Enver Hoxha, kishte ngritur kurthe, për t’i kapur nacionalistët që vepronin në këtë zonë….!

Koloneli anglez Kim Filbi, i kishte tradhtuar. Ishte lidhur edhe me Moskën. Bënte lojë të dyfishtë…! I vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, jepte informacione për të gjitha vendet e Lindjes për të neutralizuar, kapur dhe asgjësuar, nacionalistët që përpiqeshin të organizoheshin në forma të ndryshme, në luftë kundër komunizmit dhe pushtetit të tyre.

Nga libri “Fronti i heshtur”, shkëpusim: “Sipas planit Kim Filbi, ky kolonel anglez në shërbim të sovjetikëve, u dha atyre me saktësi vendndodhjen e nacionalistëve shqiptarë të cilët, filluan të binin një nga një në grackat e Sigurimit të Shtetit”.

Në duart e zeza gjakatare dhe të pista të tyre, ra edhe super-radisti Tahir Prençi. Në dokumentin e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Rendit, nr. 93/1, dt. 24.09.1992, midis të tjerash thuhet: “Në çastin e kapjes, Tahir Prençit i janë gjetur: një sasi floriri, dollarë amerikanë dhe materiale propagandistike nga ato të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.

Gjatë qëndrimit në burg, mbi të janë përdorur tortura nga më të rëndat dhe forma të ndryshme dhune, për ta detyruar ta bënin për vete, që me tërë aftësitë e tij si profesionist, si super-radist i paimitueshëm, ta vinin në shërbim të Sigurimit të Shtetit, që të bënte lojën e tyre; por Tahiri nuk tradhtoi kurrë, as shokët, as veten, as atdheun, as idealet.

Përballoi të gjitha llojet e dhunës. Nuk u ligështua. Nuk u nënshtrua. Nuk u dorëzua. Përkundrazi gjithnjë mendonte si të delte nga kjo skëterrë e zezë dhe të fluturonte drejt lirisë. Askush s’e di mirëfilli, si u arratis prej dhomave të izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, por dihet se më 26 tetor 1952, ai nuk ishte më në atë “Ferr”.

Thuhet që pas disa ditësh, vritet nga Forcat e Ndjekjes. Po enigma mbetet enigmë. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk përgjigjet. Askush nuk flet se ku gjendet varri i tij. I biri, Rifati, bëri çmos të mësojë të vërtetën. S’la gur pa lëvizur, s’la zyrë pa trokitur, për të gjetur varrin e babait të dashur.

Edhe nëpër Evropë pati shkuar. Edhe në Amerikë… për të marrë një sinjal, një fjalë, për enigmën e zhdukjes së të atit. Por siç thotë kënga, dëgjohet veç fishkëllima e erës dhe zëri i qyqes; ku-ku, ku-ku….! Ka dhimbje i biri që kërkon të dijë varrin e të atit…! Ka dhimbje dhe trishtim e bija…!

E shkreta grua vdiq me brengë në shpirt, pa e mësuar të vërtetën. Është një e drejtë njerëzore që të birit t’ia tregojnë vendin ku e kanë masakruar dhe groposur, që t’i zhvarrosë eshtrat e të atit, për t’i rivarrosur me ndere, siç e meriton çdo prindër, e jo më prindi i nderuar, siç ishte Tahir Prençi.

Ndoshta një ditë do të gjendet varri dhe eshtrat e birit të Reçit të Dibrës dhe Shqipërisë, Tahir Prençi; super-radistit të shkëlqyer, nacionalistit të vërtetë, shqiptarit të kulluar dhe trim, që sakrifikoi jetën në luftë për çlirimin e Shqipërisë, nga komunistët…! Shteti demokratik e ka për detyrë të zbulojë se ku janë eshtrat e tij, dhe t’ia rivarrosë me ndere, ashtu siç nderohen figurat e shquara të kombit. Memorie.al

Exit mobile version