Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
S’jam në gjendje ta pohoj apo mohoj këtë fakt, ngaqë s’kam qenë kurrë një birucë me të. Porse në një rast kur i përmenda shkarazi ngjarjen, vura re të stepej, mornica i përngjethën fytyrën e menjëherë bëri prapaktheu dhe s’mu duk ca kohë. S’provova t’ia zija me gojë përsëdyti por, bindja se ky person kish bërë një krim dhe, ashtu si Makbethi, e vuante e do ta vuante për tërë jetën, s’mu shqit.
Edhe pse më mungon informacioni për fatin e mëtejshëm të këtij individi, përsëri i mbetem mendimit se: ai do ta ketë vuajtur, deri në ekstrem, krimin që kish kryer dhe me siguri, shpirti s’do t’i gjejë prehje kurrë! Më pas u njoha me djalin e Ali Maliqit, Avninë, ia hapa këtë temë, por shkurt, më tha: “Gjithë kjo histori, or mik, ka vetëm një emër: “KRIMET E SIGURIMIT!”.
Po përmend tani, dy shembuj të dënimeve ekstreme. Edhe pse gjykatat s’kishin dhënë dënime mirëfilli kapitale, ekzekutim me pushkatim, gjithsesi ata persona përfunduan në vdekje, për arsye se dënimet i kapërcenin kufijtë e moshës fizike. Për koincidencë, të dy pleqtë që njoha unë kishin të njëjtin emër, Karafil. Njëri ishte dibran, tjetri devolli. Të dy i kishin dënuar mbi kufijtë e moshës fizike, për dy vepra të njëjta penale dhe që të dy patën të njëjtin fund, vdekjen. Njëri në burgun e Burrelit dhe tjetri, në kampin e Ballshit. Xha Karafili nga Dibra, ishte një plak me mustaqe të prera shkurt, paksa i zymtë, hollak, i gjatë dhe pak i përkulur nga mosha.
Veshur me tirq e qeleshe, të cilën edhe kur flinte s’e hiqte nga koka, por vetëm sa e zhvendoste mbi sy, të mos e vriste drita, ai ende s’ish shkëputur prej modës së vjetër. Edhe në mendime ishte po aq arkaik. Përfytyrimet për nderin dhe besën, i kish mbetur pak a shumë, perceptimet e shqiptarit të viteve tetëqind. Kur fliste, dukej pak naiv por, kur u njoha nga afër, e kuptova se isha gabuar; ai ishte inteligjent, shakaxhi, me fjalor të pasur krahinor dhe këngëtar i rrallë. Kur merrte çiftelinë dhe këndonte me zërin e zvarguar, nga goja e tij rridhnin mijëra vargje që, sapo linte veglën muzikore mënjanë, s’i përsëriste dot më.
Shpesh pyesja veten: “Mos është pak poet, ky plak?” Po, ishte rapsod! Deri në momentin kur e dënuan me burg, si më i moshuari udhëhiqte familjen dhe fisin. Ia mbërrinte me djersën e ballit e me ndershmëri, të ushqente kallaballëkun e tij, ndonëse s’renditej ndër më kamurit, po ndër më punëtorët. S’qe përzier kurrë në çështje politike, këtë e konsideronte: “Luks për zengjinët! Fukarasë i duhet me sigurue bukën për gjininë dhe nderin për miqtë!” Kjo kish qenë motoja e tij në jetë. Por s’qe e thënë, ta ngryste pleqërinë pranë plakës! Në vitin 1967 u dha orientimi për kolektivizimin e bujqësisë pa përjashtim, në gjithë vendin.
Bëhej fjalë kryesisht për zonat malore sepse pjesa tjetër, kishte përfunduar me vakt. Pavarësisht propagandës për kolektivizimin vullnetar, në fakt metodat përdorura s’ishin dhe aq me dëshirë, sa thuhej. Atje ku s’pinte ujë, ja niste dhuna; njërin e cilësonin kulak, edhe pse mund të kishte pesë dynym tokë, dy që dhe dhjetë dhi; tjetrin e shpallnin “armik të pushtetit”, e rrasnin në burg dhjetë vjet, për agjitacion e propaganda, që t’iu linte datën të tjerëve dhe në fund, dashje pa dashje, do bëheshe anëtar kooperative.
Mirëpo në kooperativa nuk bashkonin vetëm tokat dhe krahët e punës, dhe gjënë e gjallë, si bagëtitë e imëta, gjedhët apo kafshët e barrës. Fshatarëve këtej e mbrapa, u lejuan të mbarë-shtronin një numër të kufizuar bagëtish të imta, si për shembull, dhjetë dhenë ose dhi, natyrisht këto për një periudhë të shkurtër kohore, se më vonë ua morën të gjitha. Kaq pak, shihej e mjaftueshme për ekonominë e dobët fshatare që ajo u dobësua edhe më. Kështu, xha Karafilit mbasi i morën tokën, gjysmat e dhenve dhe pendën e qeve, edhe pse në moshë të shkuar, u detyrua të punonte argat në kooperativë sepse, nuk përfitonte asnjë lekë pension, ngaqë s’kish punuar në shtet asnjëherë por, sipas traditës, gjithë jetën ish rropatur në bujqësi dhe blegtori.
Si të moshuar, brigadieri e caktonte në detyra të lehta. Por atij i hanin duart e s’i rrihej rehat, ish rritur me punë. Sa mbaronte në brigadë, nisej dhe gjezdiste mezhdat që të mblidhte bar për qetë. Në një farë mënyre, i konsideronte ende mallin e tij; të paktën kështu ngushëllohej. Meqë s’i rrihej pa ta, kujdesej dhe i ushqente, ani-pse tashmë ato më radhë do t’i mbrihte në zgjedhë. Mirëpo edhe vetë pendarët qenë kthyer në argatë, vetëm sa iu vinin kularin në sabah kur gdhihej dhe ua hiqnin në mbrëmje, kur ngrysej. Ç’bëhej më pas për mbarë-shtrimin e tyre, as që e vrisnin mendjen; i konsideronin pronë e të gjithëve, rrjedhimisht e askujt.
Dhe qetë erdhën e t’u dobësuan e t’u bënë tezgene, iu ra qimja dhe përditë e më shumë, po iu shëmbëllenin ca qenve të zgjebosur. Xha Karafili, kur i shihte të katandisur në këtë derexhe, i pikonte në zemër, ndaj shtonte përpjekjet t’i ushqente më tepër. Por, përkujdesjen e xha Karafilit, s’e mposhtën dot trajtimin mizor të pendarëve xhahilë. Ky qe motivi i fillimit. Mes tij dhe atyre që punonin me qetë, u ndeh një antipati e ndërsjellët. Në një krah plaku i akuzonte për stërmundim të tepruar, nga ana tjetër brigadierët, ngulmonin të realizonin dhe tejkalonin planet; erdhi një moment e t’u bë një gjullurdi e pazgjidhshme.
Përfundimisht plaku u gjend mes dy zjarreve, me vërejtjet vend e pa vend u kthye në bezdi e pendarëve, po edhe i padëshiruar për kryesinë. Përfundimisht, shfrytëzuan moshën e kaluar dhe e urdhëruan të mos paraqitej më në punë. Faktikisht e përzunë si zevzek. E thanë, e bënë! Qysh të nesërmen, xha Karafilin s’e pranuan më në brigadë. Tashmë, i mbeti pylli me ato pak dhen që zotëronte. Me qetë, piqej rrallë e për mall. Po gjuha vete ku dhemb dhëmbi, meraku i rinisë të ndjekërka pas, edhe në pleqëri të thellë! Atij s’i shqitej shpirti nga qetë. I kish rritur e veselitur me duart e veta, që viça, i kishte mbrehur së pari, në zgjedhë, kur u bënë dema, u kishte mësuar me mundime të hapnin brazdën edhe pa pendar pas.
Një ditë në kullotë kur sheh qetë e tij mes tufës së kooperativës, s’iu ndenj pa u avitur që të çmallej me ta. Iu thirri në emër “Kazil” dhe “Verdhan”, siç i kish pagëzuar që të vegjël, e nisi t’i ledhatoj. Qetë, me ata sytë e mëdhenj paqësorë, e këqyrnin si të donin t’i shprehnin mirënjohje për përkëdhelat. Plaku kqyri sytë e xhamtë të “Verdhanit”, i kishin mbytur sklepat. Diçka nuk shkonte. Hoqi peshqirin nga qafa e nisi t’ia fshinte. Kur pas zverkut dora i zuri një bëlldungë të madhe sa grushti, gishtat i rrëshqitën mbi një masë viskoze. Doli në krahun tjetër, kur vëren një plagë nga kullonte një lëng i verdhë e i trashë. E shtrydhi gungën me forcë, copëza të mëdha shtrepash dhe llurbë e përgjakur, rridhnin nga vrima e hapur në lëkurën e kaut.
Sytë e plakut nisën të lotojnë. Shpërtheu në dënesa. Qante dhe pastronte plagën, ndërkohë i pëshpëriste, si të përkëdhelte një fëmijë: “A kuku, mori ‘Verdhan’, zemra për ty, po më kjan!/ Si t’asht ba qafa ferr, nj’ashtii zemra po m’qet vner!/ Plaga jote pa shërim, ma sterroi shpirtin tim”! Ia pastroi dhe ia lidhi, pastaj kur i mori bariu, u shkëput me dhimbje, si të ndahej prej një të afërmi të dashur, të cilin rrezikonte të e shihte më. Dikush pas ledhit e kish dëgjuar këtë monolog dhe kishte denoncuar Sigurim. Mbas ca ditësh, “Verdhani”, përfundoi në kasaphanë, kurse xha Karafili, në hapsanë.
Ustallarëve iu erdhi sahati. Me këtë rast, edhe plakut zevzek, i qepnin gojën, edhe fshatit i fusnin dërrmën. Me pak fjalë, e torën dhe e shturitën shtëllungën, deri sa e krodhën brenda, edhe pse i moshuar. Atje, nisi kalvari i pyetje-përgjigjeve: “Ke sharë Partinë”! – e akuzonin hetuesit.- “Jo bre, për Allah”! – këmbëngulte plaku. – “E ç’punë kam unë me Partinë apo Partia me mue”?! – “Ke sharë Enverin”! – vazhdonin avazin hetuesit. – “Tobe estagfurullah! Ç’punë kam me Enverin, bre? Ai asht n’Tiranë, e në këto anë, as e njoh e as më njeh, as e kam vra e as m’ka prë”! “Ke mashtruar kooperativën”! – sërish ata.- “Or zotnëj, s’kam punë me kooperativën unë! Allah’ile, vet m’kan qit punët, tash kam delet e mia e, me nj’ato, shkoj ditën n’pyll”!
Kështu vazhdoi hetuesia për mjaft muaj. Qëmtuan në fshat, se mos gjenin ndonjë dëshmitar, po s’qe e thënë dilte njeri, askush s’pranonte të merrte përsipër shahitin, kundër tij, kjo jo vetëm në shenjë respekti për të, po më shumë prej frikës së marrjes. “Se ku i dihej, asht fis i madh ai, e hajd m’i dalë n’kry”?! Kur dolën huq, hetuesit ndërruan taktikë: nisur nga mentaliteti i malësorëve për të pasur secili nga një armë në shtëpi, hartuan planin. Hodhën hipotezën se; edhe plaku duhej t’a kishte një të tillë. Po se në zgëqe të konakut e fshihte, s’po mundnin t’ia nxirrnin. I provuan të gjitha metodat, që nga teknika e fshehtë me aparatura dhe spiunë në qeli e, deri te torturat fizike. Plaku s’u dha, nuk e shqepi gojën, i rezistoi dhunës shtazarake, me vetëmohim dhe heroizëm .
Mirëpo si çdo gjallesë edhe ai kish dobësinë e vet; ishte fetar fanatik. Në gjithë krahinën e njihnin për besimtar dhe adhurues i librit të shenjtë, Kur’hanit. Këtë fatalitet shfrytëzuan hetuesit. Mbas shumë torturash ndërruan metodë. I vunë mbi tavolinë një libër të trashë, të mbledhur me beze jeshile. – “Ja, tek ke Kuranin, vere dorën mbi të dhe betohu se s’ke armë! Po e bëre, që sot do jesh i lire” – i thanë. Xha Karafili hezitoi, po ata ia vendosën dorën forcërisht mbi beze. Plaku besimtar, në të tetëdhjetë vitet e jetës së tij, s’e kishte ndjerë veten më ligsht. Kujtoi se i erdhi ora e rrëfimit të fundit, solli ndërmend predikimet e hoxhës dhe të pleqve të odave: “Para Pejgamberit, thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta”!
Kjo edukatë e kish bashkëshoqëruar për gjithë jetën, që nga fëmijëria, deri në pleqërinë e thellë; s’mund të gënjente para shëmbëlltyrës së Zotit. Ndjesia se po betohej me dorë mbi librin e shenjtë, e imponoi të thosh të vërtetën: – “Allah’ile, e kam një ‘Martinë’ të fshehun në kamaren e odës”! – u rrëfye ai. Policët rendën në shtëpi, bën kontroll dhe si triumfatorë, u kthyen me “Martinën” në krah. Sakaq, me zgërdhima cinike, për rrengun që i punuan, shpështuallën bezen dhe i tundën para syve një libër kapak-kuq, me figurën e një mjekroshi, stampuar mbi të:
– “Ja, ky është Kurani dhe ky këtu, Pejgamberi ynë”! – u gajasën së qeshuri me hutimin e tij. Xha Karafili u ndërgjegjësua për gafën që bëri, por tashmë ish shumë vonë, ç’ish për të ndodhur, ndodhi, ndaj me forcat e fundit që i kishin mbetur, i pështyu me neveri:- “Ptuh… xhins domuzësh! Ju që jeni tall me Kuranin, gur mbi gur, s’ka me ju mbet! Mallkimi i Allahut, ka m’u ndjek me breza! Farë e keqe”! Hetuesit, të trembur se gjithë mundi iu shkonte dëm, dhe plaku i handakosur mund t’u mbetej në duar, pa e nxjerrë në gjyq, shpejtuan: kopsitën dosjen fët e fët, me akt-akuzën për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe armëmbajtje pa leje. Brenda tri ditësh, i njoftuan datën e gjykimit. Gjykim i thënçin!
Seç sajuan në oborrin e shkollës së fshatit, nën hijen e një molle, një tip podiumi me ca dhoga lisi të shtrira mbi ca gurë dhe ca stola dërrasash, në të diellit, për demek spektatorët. Organizuan, me bashkëfshatarë dhe komunistë, të sjellë nga fshatrat rreth e rrotull, një komedi publike. Filloi linçimi. Në vendin më të dukshëm, u ul prokurori, mbi kokë i vigjilonin portretet mjekër-kreshpëruara të marksistë-leninistëve, ndanë tij, në një kënd nëntëdhjetë gradë, ishin rreshtuar trupi gjykues. Mbi ta, si shpata e Damokleut, buzëqeshte me cinizëm Komandanti i Përgjithshëm. Gjyqin e deklaroi të hapur kryetari, një imcak i shogët verdhacuk, me të trasha me skelet zhgualli breshke.
Mbasi mbaroi formalitetet për të dhënat gjenealogjike të të pandehurit, ia dha fjalën prokurorit. Ky u çua në këmbë çehrevrarë e hijerëndë, i hodhi një vështrim përfshirës turmës së fshatarëve, si për t’iu thënë: “Unë jam përfaqësuesi i djallit mbi tokë”, mandej iu kthye portretit të Njëshit, përshëndeti me grusht dhe nisi të zbrazë kundër plakut, breshërinë e akuzave pa fund. Kush e dëgjoi këtë lumë padish, pickonte veten: “Jam apo s’jam unë”! Secili i thërriste kujtesës, si të ish zgjuar, atë çast, i tromaksur prej një irre të makthshme: Të jetë ky, xha Karafili real, ai që ne bashkëfshatarët kemi njohur vetë për dekada, apo të kemi para një sozi mashtruese!? Kaq të fshehta paskëshin qenë bëmat e tij!? Bre, bre-eee”!
“O paska qenë i shitun te imperializmi amerikan e social-imperializmi sovjetik, qysh motit, bre!? Po na paska stehuar edhe diversantë në stan! Po na paskësh ken spiun i vjetër i U.D.B.-së?! Bre, bre-eee! Na syleshët, s’paskemi kuptu kyrrgja?! Si ka mujt bre, me vepru me agjenturat e huja?! Jo, mo! Kaq i rëndësishëm paska kenë ky, bre! O Zot, ç’po na ndijnë veshët! Or, po na kënka taku me të mëdhajtë e dyrnjasë, bre?! E, na thojshim se, s’kish ra as n’Peshkpaj! Pa shih, pa shih”?!
Çudia, për ç’po iu dëgjonin veshët, i kapërceu caqet e fantazisë së fshatarëve injorantë dhe u shndërrua në habi kolektive. Por këto i përkisnin së shkuarës, habia do dhjetëfishohej kur prokurori do zbrazte thesin me akuzat e fundit. U përqendrua në momentin kur u prishën objektet e kultit, xhamitë dhe kishat. Dhe plaku, “si ato nepërkat e shullëhut, na paskërka shfryrë zeherin helmues kundër Partisë dhe shokut Enver, po mbi të tjera, na paskësh anatemuar rininë dhe bazën. Pa le ma, kundër kolektivizimit vullnetar të fshatarësisë, na paskej shpërthyer e s’paskej duruar! S’paskej lënë gur e kusur pa lëvizur, për t’i vënë spica në rrota lokomotivës socialiste”!
E paskish quajtur këtë metodë: “Kolektivizim vullnetar, me hu”! “K’saj s’ke ç’m’i thua, or burra, me të grabit tjetri mallin e gjanë, që t’ka ra bretku tan jetën, m’e vu dhe me duartrokitë hajnin”! Mandej, na paskej shtuar me dashakeqësi: “Ene Turkia, ene Austria, ene Italia, ene Nemcja, ene Sërbia, ene Junani; na kan vra bre, po s’na i kan nga gjanë! Tash se nga na dueln ca hajna toskënie, dojn me na i përla t’tana, e me na lanë cupllak! Burra, ky asht turp; s’durohet ma!” Ç’nuk paskej thënë e bërë i pandehuri, për të penguar ecurinë e proceseve revolucionarizuese të rinisë dhe gruas socialiste dhe kur askush s’ia paskej varun, na paskërka nisur dialogun edhe me kafshët!
Veprimtaria e tij armiqësore shtrihej ngado, por kulmin e paskej arritur, kur me vrerin e tij vdekjeprurës, na paskej infektuar edhe ‘Verdhanit’, ish kaut e tij, që mbas yshtjeve në vesh nga i pandehuri, përfundoi në thertore! Dhe e fundit, po jo nga rëndësia, me keqdashje na u armatos me synimin e mbrapshtë të organizonte grupe terroriste, të godiste njerëzit e përkushtuar të Partisë dhe të pushtetit popullor”! – në këto e sipër, prokurori tundi mbi kokë “Martinën” e ndryshkur të kohës Turqisë:
– “Të gjitha sa përmenda më lartë, janë të dokumentuara, të vërtetuara nga dëshmitarë okularë, të cilët me vullnet të lirë, i kanë pohuar me gojën e tyre. Përfitoi nga rasti, në emër të shokut Enver, të Partisë dhe timin, t’i falenderoj gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan drejtësinë popullore, për vënien para ligjit të këtij krimineli të regjur…”! Kaq u zgjat zinxhiri i akuzave, sa edhe; “Një e qinda e tyne ba me kën vërteta, plaku meritonte jo konopin me dhjam thiu, që për të do ish kapak florinit, po e kish ba hak me ia qeth mishin me gërshanët e lenve”!
Mandej nisi dueli pyetje-përgjigje: “O, po ke thënë kështu dhe ashtu; jo, po në filan vit, je takuar me filanin dhe me fistanin; jo, po në iks vend, ke pritur dhe përcjellë Zenel Shehun, Hamit Matjanin; jo, po ke qenë mik me Fiqiri Dinen e, Halil Alinë, me Kaloshët e me Agollët e me të tjerë, pafund”! Fillimisht plaku u hutua. S’po iu besonte veshëve, kur përmendeshin gjithë ata emra burrash shquar. Por e mblodhi veten, u ngrit pa leje dhe mori fjalën: – “Or zotnëj, do isha shumë i nderuem me i pas miq, tan kta burra të ndigjuem! Po ku pata me i njoht, se?! Ata n’Tiranë e unë në mal, me dhitë”!? Kur prokurori tregoi me pompozitet dëshmitarët, ai kërkoi t’ja sillnin: ne ia than të vërtetën ballazi, si burri burrit! Por me gjithë ngulmimin e tij, asnjë s’ dëshmoi.
Prokurori i skuqur gjer në rrëzë të flokëve, pretendonte se s’kishin ç’i duheshin dëshmitarët, kur këto probleme i dinte vetë Partia, dhe citonte parullën: “Ç’thotë Partia, bën populli! Ç’don populli, bën Partia”! e të tjera si këto. Në momentin e padisë për helmimin e kaut, gjyqi u kthye në komedi. Xha Karafili pretendonte se:
“S’është e vërtetë, t’i kem qitur nga goja ato fjalë, që më akuzoni: – Vërtetoma, i nderuar, se i paskam folur kaut”! – iu drejtua ai prokurorit. – “Si folka njeriu me kafshën, bre?! Hajt, se po i marrkam përsipër, se ja paskam thanë taman njashtu si thuej zotnia juaj, po kush ka spiunue?! O kau ka spiunue për mue, o vet kam spiunue për vetin, se rob të qerë s’kishte rrokull”!
Kjo batutë e ktheu gjyqin në skeç estrade, kori i të qeshurave ushtoi në oborrin e shkollës. Por atë çast ndërhyri kryetari, i cili e mbylli seancën. Mbas një ore, e hapi sërish për të dhënë vendimin. Edhe pse prokurori në pretencë kërkoi dënim kapital, për një “det me krime”, tashmë akuza u reduktuar në agjitacion e propagandë dhe armëmbajtje pa leje, të një “Martine” të ndryshkur.
Kryetari foli në emër të popullit: “I pandehur, dënohesh me shtatë vjet heqje lirie, me pesë vjet internim mbas mbarimit të dënimit, si dhe me pesë vjet humbje të të drejtave elektorale. T’i konfiskohet pasuria, pjesa e tij. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit. Fjala e fundit i pandehur”?
– “Lus Zotin, me m’dhan jet ene aq sa m’keni d’nue, me dal gjall, për me ju pështy n’surrat”! Me kaq mori fund farsa gjyqësore. Tetëdhjetë vjeçari do duhej të jetonte edhe dymbëdhjetë vite të tjerë, që të paktën të mbyllte dënimin e dhënë nga gjykata, me burg dhe internim.
Mirëpo, plaku i cilësuar aq i rrezikshëm, sa e çuan të vuante dënimi në burgun e Burrelit, pas gjashtë vitesh, do ndërronte jetë. Shpirti do t’i drejtohej qiellit për prehje pranë të Madhit Zot, kurse mbetjet mishtore e kockore, do varroseshin me të shumtët, në gropë ndanë “Qershizës”, si një mallkim që do ndiqte prapa kryetarin që do vdiste nga veremi dhe prokurorin që do plaste nga damllaja! Memorie.al