Vehap Kola
Argumenti kryesor që ka përdorur Berisha ndaj shpalljes së tij non-grata është mospublikimi i fakteve nga ana e Departamentit të Shtetit. Megjithëse, siç janë shprehur përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit, bëhet fjalë për fakte dhe prova që mund t’u dorëzohen vetëm institucioneve të drejtësisë, mosbërja publike e tyre i ka dhënë oksigjen kundërshtimit nga z. Berisha. Nëse nxirreshin faktet, ish-kryeministri do të detyrohej të përfshihej në një fushatë të mbrojtjes dhe riparimit të reputacionit dhe, ndoshta, nuk do të mund të niste një rebelim kundër Bashës.
Pasi është përpjekur ta paraqesë, jo pa sukses, shpalljen non-grata si një dizenjim politik dhe pa prova, Berisha është përfshirë vetë në një fushatë të gjerë propagandistike të bazuar tërësisht mbi mite. 3 mitet kryesore të përdorura nga Berisha janë: konspirimi i Xhorxh Soros kundër tij, ndëshkimi për shkak të refuzimit të projektit për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për kundërshtimin dhe kritikën ndaj reformës në drejtësi.
Këto mite, të vendosura në një rrëfim koherent të sistemuar me skema konspirative dhe intriga kundër Berishës dhe me heroizma që tejkalojnë fuqitë e një politikani normal nga Ballkani e kanë shndërruar lëvizjen e tij në një kult personal. Kolumnisti konservator amerikan George Will vërente përpara më shumë se dy vitesh se Partia Republikane ishte shndërruar në një kult të Presidentit Trump për shkak të zhvendosjes së saj drejt një situate të mungesës së ideve.
Lëvizja Berisha ka qarkulluar gjatë 4 muajve të saj deri më 8 janar, kur de facto ajo e humbi tërësisht fuqinë, ide të përdorura dhe të konsumuara si alibi nga shumë zhvillime apo grupime politike shqiptare përpara saj. Por asnjëra prej këtyre ideve nuk kishte në vetvete vlerë e marrë veç nga kulti i Berishës. Ishte nxjerrja e këtyre ideve nga arkiva e debatit politik e publik shqiptar nga ana e këtij të fundit që u jepte vlerë në sytë e ndjekësve të kësaj lëvizjeje.
Por ndërsa konservatorët amerikanë kanë një histori të gjatë dhe bujare që t’u kujtojë atyre se çfarë është realisht konservatizmi përpara se të kapej nga populizmi dhe të kuptojnë edhe mënyrën se si ai u kap prej populizmit, Partia Demokratike nuk e ka një mundësi të tillë. Prandaj, edhe ndarja nga kulti i Berishës nuk do të jetë as e lehtë, as e shpejtë. Sepse që të shquajnë këtë gjë, demokratëve shqiptarë u duhet të kthejnë sytë nga e ardhmja.
Nëse dikush nuk beson se PD nuk ka qenë parti e ideve, përfshirë idetë që u artikuluan nga Berisha dhe mbështetësit e tij gjatë 4 muajve të lëvizjes, le të japë një përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
A ju kujtohet kur e quanim veten konservatorë dhe dëgjonim z. Berisha të na fliste për konservatorizmin përpara se ai të ikte nga pushteti? Sigurisht që jo, sepse Partia Demokratike ka qenë gjithnjë një lëvizje populiste që një herë ishte anti-komuniste, një herë liberale, një herë social-demokrate por asnjëherë konservatore.
A ju kujtohen primaret në PD për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në vitin 2013? Po primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal në 2011? Sigurisht që jo, sepse nuk ka patur procese të tilla në PD. I vetmi proces që mbajnë mend demokratët është përzgjedhja e kandidatit të PD për bashkinë e Tiranës në vitin 2000, arsyet e të cilit nuk është vendi të përmenden.
A ju kujtohen vendimet kolegjiale të PD për shumë nga drejtuesit e saj të larguar në vite? Sigurisht që jo, sepse Berisha nuk ka njohur asnjëherë rolin dhe vlerën e kolegjialitetit dhe e ka drejtuar PD-në me dorë të fortë edhe atëherë kur ishte president dhe ‘thjesht’ anëtar i Kryesisë së kësaj partie.
Synimi i vërtetë i përqafimit të këtyre ideve nga Berisha pas 9 shtatorit duket të jetë galvanizimi i pakënaqësisë së demokratëve veçanërisht me rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Edhe kjo puthje e ish-kryetarit të PD me konservatorizmin është thjesht e vetëm një moment populist që i rri përkundruall plotësisht idesë konservatore.
Përdorimi i miteve dhe sentimenteve, si dhe përkthimi i tyre në teza politike personalisht nga z. Berisha, pa iu referuar asnjë institucioni tjetër të PD-së, ndërmarrja e çdo nisme politike e organizative ekskluzivisht prej tij, caktimi prej tij, jo prej firmëtarëve, i datës së kuvendit të jashtëzakonshëm dhe imponimi po prej tij i konkluzioneve të kuvendit në fjalë, thonë shumë për qëllimet polarizuese të lëvizjes Berisha. Akuzat ekstreme për tradhëti, për marrëveshje të fshehtë me Ramën, për përdorim të opozicionit për përfitime personale, asnjëra prej tyre e mbështetur me fakte, nuk kanë funksion tjetër përveç polarizimit të demokratëve dhe të të djathtëve në tërësi.
Polarizimi dhe mitet, thotë historiani Timothy Snyder, janë themeli i autoritarizmit. Demokracia mbështetet mbi pluralizmin dhe faktet. Përdorimi i pakursyer i miteve dhe akuzave pa fakte për të polarizuar dhe armiqësuar demokratët me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar kultin e tij në të djathtë, na kanë sjellë edhe një herë në vëmendje të vërtetën autoritaritariste të z. Berisha.
Ky po që është momenti për të thënë se topi është në fushën e Lulzim Bashës për të dëshmuar se ai mund të ofrojë një model tjetër të drejtimit të të djathtës dhe kjo është arsyeja përse demokratët kanë vetëm një zgjedhje: të kthehen nga e ardhmja për ta kërkuar këtë model.