Nga Agim Xh. Dëshnica
Mitrush Kuteli, mjeshtër i prozës shqiptare njihet qysh nga vitet ‘20 me rrëfimet e një tipi të veçantë në letrat shqipe, për ritmin, rrjedhjen e shprehive dhe gjuhën e pasur, i vlerësuar nga shkrimtarët e studiuesit: Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Ali Podrima, Petraq Kolevica, Aurel Plasari, Agim Vinca, Agron Tufa e shumë të tjerë. Ndër ta, poeti Petraq Kolevica, në kujtimet e veta, shkruante me trishtim: “Te shkrimtari i madh Mitrush Kuteli vija shpesh sepse atje – siç thotë Lumo Skëndo për Naimin – “I varfër vinja, i pasur shkonja, i urët vinja, i nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja veten të gjallë e me shpirt” Kurse me emrin Dhimitër Pasko njihet nga ekonomistët shqiptarë të financave e bankave për aftësitë e ndershmërinë në punë, të vlerësuara edhe nga akademikët e bankierët rumunë, italianë etj. Ndërkohë .në librin e mohimeve Historia e Letërsisë Shqiptare-1983, emri i Kutelit përmendet shkaras, prapa letrarëve thuajse pa vepra, siç ndodh edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar – 2008.
Në veprën-1, që përmban prozë dhe vargje të zgjedhura të Kutelit, botim i vitit 2001, A. Pasko shprehet: „Cilido që merr përsipër të shkruajë për jetën e shkrimtarit Mitrush Kuteli, do të jetë i detyruar të flasë edhe për ekonomistin Dhimitër Pasko, madje të alternojë fillin që do të endë ekonomisti, pastaj shkrimtari, pastaj sërish ekonomisti, etj. Por kur flet për shkrimtarin, duhet të përmendë edhe Kutelin – poet, publicist, kritik letrar, përralltar e folklorist, dhe të mos harrojë as Paskon përkëthenjës… Sepse Dhimitër Pasko, i njohur në letërsinë shqipe me pseudonimin Mitrush Kuteli, i zhvilloi këto veprimtari njëherazi, duke i ndërthurur dhe brenda 24 orëve të ditë-natës.“
Edhe pas shembjes së diktarurës, kur Mitrush Kuteli nuk ishte më në jetë, ata që morën përsipër të shkruanin për Kutelin shumë ndodhi nga jeta e vet, i kaluan në heshtje, ndërsa disa nga vrastarët e veprës së tij, u rrekën ta fyejnë, duke i kujtuar vitet e luftës, kur ai shkruante e botonte tregimet e dhimbëshme kushtuar nënës së dashur, të cilën nuk mundi ta shihte gjallë pas kthimit në atdhe, apo për të atin e vrarë e shtëpinë e djegur tok me librat e dorëshkrimet nga ushtria italiane. Ndoshta se shkroi rrëfimet e shkëlqyera për kapedanët e luftës për pavarësi, apo përgatiti e botoi krijimet e Lasgushit e Nolit dhe mbrojti me guxim ekonominë shqiptare nga grabitësit e huaj. S‘është çudi, ndonjë instikt i egër i nxit të përsëriten ngjarjet e frikëshme në Kampin e Vloçishtit, ku shkrimtari i paharruar vuajti, pa asnjë faj në atë ferr, nga torturat e paraardhësve të tyre, në baltrat e kanaleve, i pamposhtur deri në vetmohim.
* * *
Mitrush Kuteli apo Dhimitër Pasko, i lindur më 13 shtator 1907 në Pogradec, me rrëfimet e një niveli të lartë, la gjurmë të thella në letërsinë shqiptare, ndërsa me aftësinë prej dijetari, mbrojti në çdo kohë, ekonominë e financat shqiptare të rrezikuara nga vjedhësit e korrupsioni.
Qysh në fëmijëri në mjedisin e ngrohtë familjar, nga nëna mësoi gjuhën e ëmbël shqipe dhe dëgjoi përrallat e bukura të rrethinave të Pogradecit, ndërsa nga i ati u njoh me librat e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos e Lumo Skëndos. Mësimet e para i mori në Pogradec, të mesmen – në Shkollën Tregtare Rumune në Selanik më 1921. Aso kohe u shqua për prirjet në letërsi. Më 1924 dërgoi shkrime në gazetat Shqipëri e Re e Kosova në Kostancë të Rumanisë për Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, për ngjarjet, si vrasja e Bajram Currit e Luigj Gurakuqit, analiza e kritika për ekonominë në Shqipëri, etj.
Më 1928, në Rumani me punën e llogaritarit, studioi në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike të Bukureshtit. Më 1931 mori diplomën e tre vjet më pas – doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, “Diplomam Magnam cum Laude.” Mbi bazën e këtyre arritjeve u emërua në ministrinë e Financave dhe drejtoi Bankën Çërnëuci e Bankën Nacionale të Rumanisë. Ndërkohë ndoqi kurse letrare, përvehtësoi disa gjuhë, botoi tregime e përkthime nga poezia e Mihal Emineskut, drejtoi gazetën Shqipëria e Re të Kostancës me rubrikën Shënime letrare. Mori përsipër botimin e dy librave me poezi të Lagush Poradecit, Vallja e Yjeve dhe Ylli i Zemrës. të pasuruar me vlerësime të nivelit shkencor.
Po në ato vite botoi në shqip e rumanisht artikuj e 17 libra për problemet ekonomike në Shqipëri e Ballkan. Më fillim të Luftës së Dytë Botërore, u thirr nën armë në ushtri si shtetas rumun. Papritur u njoftua se nëna dergjej e sëmurë në Pogradec. Desh fati që me përkrahjen e disa miqve në Bukuresht, pas një mërgimi prej 21 vitesh, më 1942, u kthye në atdhe. Mjerisht nuk mbërriti në kohë, se nëna, të cilën e desh aq shumë, ishte larguar nga jeta. Në atë vit filloi punën e ekonomistit në shoqërinë SASTEB. Më 1943 vizitoi Kosovën. Udhës krijoi poemën Kosovë. Pas kthimit në Tiranë, dha dorëheqjen nga puna, për shkak se vuri re shpërdorime, të cilat nuk mundi t’i ndalonte, dhe u punësua në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, si këshilltar në fushën e monedhës e drejtor.
Në orët e lira pas punëve me shifra e probleme bankare, vijoi krijimtarinë letrare, botoi librat Ago Jakupi e rrëfime të tjera, Mall e Brengë, me disa nga krijimet e Nolit, me një parathënie të përkryer, ku ndër të tjera shprehet “Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mezin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesave të rrumbulla, por çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rendë.”
Mitrush Kuteli së bashku me Ernest Koliqin themeluan prozën moderne shqiptare.
Për larminë e gjuhës e cilësinë e shkrimeve, Kuteli renditej krahas Konicës e Koliqit. Më 1944 botoi librat, Kapllan Aga i Shaban Shpatës, Sulme e lotë (Poemi Kosovar dhe Poemi i ShënNaumit) Këngë e britma nga qyteti i djegur, Shënime letrare-Kritikë, Netë Shqiptare, Dashuria e barbarit Artan e Havadan më Havadan. Në fillim të atij viti Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse e Nexhat Hakiu, botuan Revistën Letrare dyjavore, vetëm në gjashtë muaj për shkak të luftës.
Gjatë punëve si drejtues i Bankës Kombëtare, Dhimitër Pasko, u përball me zyrtarët e komandës gjermane për çështjen e kartmonedhës së re dhe për shpëtimin e thesarit shqiptar nga grabitja. I rrezikuar nga zvarritjet e qëllimshme gjatë bisedimeve, në tetor iku maleve në zonat e lira. Pas luftës, me themelimin e Bankës Kombëtare, u emërua anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qëndrore. Dy vjet më vonë dha dorëheqjen, sepse nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav. Më 1947, pa asnjë akuzë të qartë ligjore, u dënua si “armik i popullit” me pesë vite heqje lirie e u rropat si skllav në baltrat e Kampit të Vloçishtit. Kuteli kujton: “
“Kur na shkarkuan nga kamioni atje, isha me ca rroba të vjetra e si mos më keq nga pluhuri i asaj rruge të gjatë. Në kokë, për t’u mbrojtur nga dielli, kisha lidhur një shami me nyje në të katër cepat, siç e lidhin armaxhinjtë. Një polic erdhi e më pyeti:
–
Sa shkollë ke ti?
-Hiç. Katër klasë të fillores kam! – i thashë.
-Mirë, shko këtej, ti!
Për fatin tim të mirë e besoi se, siç isha katandisur unë, do të besonte edhe sikur t’i thoshja se isha pa shkollë.”
Në atë kamp mizor për mëngjes e drekë, të burgosurve u jepnin diçka si çaj e bukë si baltë e supë të zezë. Në punë i detyronin të shkonim duke vrapuar zbathur nëpër baltra. Punonin në kanale me ujrat mbi gjunjë. Ushujzat ndër këmbë, mushkonjat në qafë e krah, pinin gjak të munduarish. Në kthim, aty nga mbrëmja, ecnin me këmbë e duar të këputur nga puna. Kuteli kujton: “Kur më liruan, ndërsa po më hipnin në kamion, për të na sjellë në Tiranë, u ndodh përsëri ai polic…Duke shtrënguar dhëmbët, më foli gjithë inat:’Ti paske pasur shkollë të madhe, moré! “
Më së fundi Mitrush Kuteli, i liruar me falje, nga fajtorët tradhtarë, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, hoqi dorë përgjithnjë nga punët në financë dhe iu kushtua tërësisht letërsisë, sidomos përkthimeve, duke punuar i sfilitur nga normat mizore të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri.” Iu botuan edhe disa nga librat si, Pylli i gështenjave, Xinxifillua, Tregime të moçme shqiptare, Baltë nga kjo tokë, etj.
Askush nga studiuesit e veprave të ndrituara të Kutelit nuk ka mundur të mësojë as sot, përse ndëshkuesit e vet të panjohur e quajtën “armik të popullit.”
Disa nga rrëfimet, herë të dhimbëshëm, herë gazmorë e shpotitës janë:
Xha Brahua i Shkumbanores, Më kot. E madhe është gjëma e mëkatit, Fshati im e pi rakinë, ABC-ja e kreshnikëve, Natë Kolloxhegu,Vjeshta e Xheladin Beut, Lumi i madh, Pranvera në Transilvani, Natë marsi, Natë prilli, Natë qershori, Një natë tetori, Rinë Katerineza, etj.
Romanet:
Mërgim e kthim, Në një cep të Ilirisë së Poshtme, Dashuria e barbarit Artan
Vargje:
Mëmës Shqipëri, Skënderbeu, Poemi Kosovar, Poemë e ShëNaumit, Natë vere, Hëna e humbur, Një ndajnatë në Poradecin e vjetër, Rrjedhin Lumejtë, etj.
Përkthime:
Sipas gjetjeve të përafërta, Kuteli me emrin Dhimitër Pasko ka përkthyer mbi pesëdhjetë libra. Nga letërsa ruse: Tregimet e Petërburgut dhe Frymë të vdekura të Gogolit, Kujtimet e një gjahtari të Turgenjevit, Zotërinj Gollovliovë dhe Përralla të Salltikov – Shçedrinit. Vajza e kapitenit të Pushkinit, Fabula të Krillovit, Tregime dhe përralla të Italisë nga Gorki, trilogjinë Rruga e mundimeve të A. Tolstoit, Vërshimet e lumejve dhe Tregimi i pyjeve të Paustovskit, vëllimet Klasikët rusë dhe Klasikët sovjetikë, Fati i njeriut të Shollohovit, Vetmi të N. Virtës etj. Nga letërsia rumune: poezi nga Mihal Eminesku, Mitri Kokor dhe Korija e mrekullive në prozë të Sadovenaut, E drejta për të jetuar dhe Kapedan Gardani me shokë nga autorë të ndryshëm rumunë. Përveç tyre, ai bëri përkthime nga letërsia franceze, polake, persiane, arabe, kineze, mongole, etj.
Nga fusha e shkencës ekonomike:
Mendime mbi krizën bujqësore – 1931, me të cilin fitoi çmimin e parë në një konkurs.
Tri probleme në lidhje me bankën Kombëtare të Shqipërisë – 1932.
Huara me forcë përqarkullimin monetar – 1933
Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit- 1934 (tezë për doktoratë.)
Kapitalet e huaja në bankat e mëdha të Bullgarisë – 1935
Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit – 1935
Banka Kombëtare e Shqipërisë – 1936, etj.
Shumë nga dorëshkrimet iu dogjën gjatë luftës, të tjerat i humbën gjatë kohës kur ishte në burg, bashkë me bibliotekën e pasur.
* * *
E tërë kjo veprimtari e këtij mjeshtri e themeluesi të prozës moderne shqiptare, e një stili të veçantë, e këtij ekonomisti të rrallë, u ndërpre para kohe më 4 maj 1967. Pra, në atë vit të dhunshëm, i munduar dhe i fyer, Mitrush Kuteli, ky shkrimtar dhe ekonomist adhetar, u largua nga jeta. Po kush ishte Mitrushi, njeriu me tërë këto aftësi? Lexoni testamentin e tij, apo letrën e fundit për të shoqen: “Kam punuar pa interes vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete, me vjedhje a me tradhëti, dhe unë s’kam përdorur asnjërën prej tyre. Duke tradhëtuar, pra, duke u shërbyer të huajve, për të grabitur vendin dhe për të marrë prej saj shpërblim.
Zgjodha rrugën e kundërt, luftën kundër atyre që grabisnin. Por nuk i ndala dot të tërë, jo se s’desha, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e urtë e të butë me lugën plot. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët donin të më varnin përpara bashkisë, kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi, as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi me veprimtarinë time praktike në fushën ekonomike në Rumani.”
Titulli Nderi i Kombit, tashmë i shpallur zyrtarisht për shkrimtarin Mitrush Kuteli, apo për ekonomistin e nderuar Dhimitër Pasko, nuk duhet të jetë gjysmak, por i plotë, ashtu si vepra e tij e ndritur në letërsi dhe në ekonmi, në shërbim të kombit shqiptar.
Çdo adhuruesi të Kutelit, teksa rri buzë liqenit, ku zhurmojnë valët, i bëhet sikur dëgjon zërin e tij:
Jam Kosovar
Pra, jam shiptar:
Zot e krenar,
Zot e bujar,
Mbi këtë Dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fe:
E kam vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që bres pas bres,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,-
gjer lart në ret:
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mali i zi
Un jam këtu nga moti,
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Un jam këtu e do të jem
den baba den,
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.
Nga vargu i krijimeve të Kutelit, japim një rrëfimin mjaft me vlerë për të gjitha kohët, një rrëfim ku biseda rrjedh e humori përzihet me hidhërimin, një rrëfim qortues kundër gjakmarjes, edhe hakmarrjes në kohët e reja, kinse sipas e kanunit, të trashëguar brez pas brezi që nga vitet kur shteti e ligjet mungonin:
Abc – ja e kreshnikëve
– E njeh Zenelin?
– Jo, nuk e njoh!
– U bë për të vrarë. E do ta vras!
– Si e qysh?
– Dje më shkeli hijen!
– Hijen tënde?
– Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç’të bëj?
– Vraje!
– E vrava.
– Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan:
– Fëmijë ka Zeneli?
– Ka, po janë të vegjël.
– Vraji!
– T’i vras?
– Vraji, se do të rriten. Më mirë tani sesa më vonë!
– Mirë thua, ke të drejtë! Do t’i vras! Do t’i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s’është pak.
* * *
– Dëgjove gjë?
– Jo.
– E vranë Todrin.
– Ku?
– Në mes të tregut.
– Kishte faj?
– Tani s’ka faj, se është i vdekur, po atëherë kish.
– Si e qysh?
– Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur, se s’kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: – Bre, qen!
– E njihte burri me mustaqe Todrin?
– Jo, nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre, qen! – i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre, qen i qenit! Pse e vështron me inat drunë e telefonit?
– Më fal, se të pres fjalën, druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
– Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
– Ndofta, sepse kish barkun bosh…
– Punë e tij. Bre, qen, – tha trimi, – bre qen i qenit! Pse, bre, e vështron me inat drunë e telefonit?
– Todri desh t’i përgjigjet, po trimi nuk e la, nxori koburen edhe e vrau. – Na – i tha, – të të mësoj unë ta shikosh me inat drunë e telefonit!
– Kish të drejtë trimi.
– Doemos, se po të mos kish, nuk e vriste.
* * *
– S’po e shoh prej disa ditësh Zefin.
– As e ke për të parë, Zefin e vranë.
– Pse? Kush?
– Fajin e kish Zefi.
– Fol!
– Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit…
– Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem!
– A ka një vëlla Zefi?
– Ka.
– Edhe ky a ka një kunat?
– Ka.
– Edhe kunati a ka një nip?
– Ka.
– Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
– Vetë nipi?
– Jo, shtëpia. Punë e vjetër prej gjyshstërgjyshi, po ti e di se gjaku s’falet.
– Jo! Po të falet, humb burrëria, ndera e trimnia.
– Po, pra… E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
– Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimëria e burrëria hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit! Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë – pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar… po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimëria e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbërore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimërie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë, siç ka thënë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini, që na la Kanunin, duhet medoemos t’i digjet shtëpia Zefit edhe t’i priten drurët e kopshtit kombëtar.
– Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimërinë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare, që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
– Eja të pimë, po koburet t’ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni…
* * *
– Ore, thonë se ti e vrave Selmanë…
– Unë, jo!
– Po kush?
– Dyfeku im!
– Ky që ke në krah?
– Ja, ky! Pse s’ta mbush synë?!
– Si jo! Dyfek të këtillë s’kam parë as në Turqi.
– E ke mirë. Dyfek si të turkut s’ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s’të pëlqen…
– Si u bë puna e Selmanit?
– I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
– E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
– Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën me tabut.
– Ti ku ishe?
– Prapa ferrës.
– Ai?
– Shkonte rrugës.
– Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t’i thotë: faleminderit se më vrave, si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan ia fali këtë të metë.
– Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani, sepse ka një nip nga ana e mbesës. Dhe nipi ka një qen, edhe ky qeni qopek i ka lehur njëherë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipit, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë…
* * *
Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekësh edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Suli Sulës:
– Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
– Kam zbrazur njëzet paketa. Qé kalamidhet!
– Ke zbrazur në bosh, jo në plot…
– Qysh në bosh!? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër…
– Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s’hyn në radhën e burrave. Hajt!
– …
– Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s’ke vrarë njeri!
– Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t’ia shkrep.
– Prit gomar, të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Suli Sulës:
– Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
– Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Suli Sulës:
– Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
– S’di cili është…
– Çudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t’i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s’ta mban?
– I bie po mos merret vesh…
– S’ka si merret vesh. Unë s’rrëfej!
– Me besa – besë?
– Me besa – besë e për kokën e dyfekut.
– Atëherë t’i bie?
– Bjeri!
Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar, se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit, se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më…
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e lartë…
… Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën…
* * *
Selmani vrau Selmanin, Stefani vrau Stefanin, Hasani vrau Kristanin, Mestani vrau Vasilin…
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
– Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
– Jo, e ke jangëllësh! Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
– Jo, ti e ke keq!
– Jo unë, po ti!
Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil…
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri – tjetrit.
Dhe malet mbetën si ishin: male…
Shkruesi i këtyre radhëve dhe adhurues i krijimeve të Mitrushit, në shenjë nderimi i ka kushtuar këta vargje:
Kur këndoj Mitrushin
Kur këndoj shkrimet tinguj e ngjyra të Mitrushit
shfaqet tej fshati, që pi rakinë e rrushit.
Bleta del nga zgjoi, ndër lule e fletishte,
kaposh laroshi thërret mbi kulm plevice.
Lauresha fërfërin në çastet e zgjimit,
mbi ujë e në bar rend e loz puhiza,
kur bryma e ngrica, bora e fërfëlliza,
treten, humbasin në mbarim të dimrit.
Shkumëzime valësh nga guri në gur,
korrës të nxirë në vapë arave me grurë,
dridhmë trokashkash, vërtitje mokrash qark
e hënargjenda ndrin dhe hepet si hark.
Kapllan Aga i Shaban Shpatës na vjen,
me kuajt ngarkuar Ago Jakupin na gjen,
këmbëkryq Mitrushin, këputur zinxhirët,
shtruar kuvendon, gëzohet me të mirët.