Mjekët e maternitetit s’dinë të bëjnë një eko abdomenale

Nga Maksim Çela

Të nderuar kolegë, po i drejtohem në Facebook atyre miqve që kanë lidhje me mjekësinë. Sot dëgjova çudinë e radhës, ku ministri Beqaj tregoi se vdekja tragjike në Maternitetin “Koço Gliozheni” (dyfishe) ka ndodhur për arsye të “hemorragjisë në shpretke”. Në fakt, gjatë praktikës sime si mjek këtë syndrom nuk e kam hasur dhe (duke qenë se kam qenë 5 ditë me pushime) mendova të kontrolloj se çfarë ishte kjo nosologji e re dhe kontrollova tek wiki, Merk Dictionary dhe në asnjë vend nuk gjeta hemorragji nga shpretka (kishte 11 lloj hemorragjish që nuk është vendi t’i përmend, por në asnjë vend nuk pashë hemorragji nga shpretka. Pra, nuk e kuptoj ku e kanë psonisur këtë “diagnozë”.
Sipas raportimeve të familjarëve, duke hequr pjesën subjektive (pritjes, barelave etj.) duket se ajo ka qenë në një gjendje shoku hemorragjik ku hemoglobina po binte me shpejtësi, mendoj se është gabim të sorrollatet 5 orë e gjysëm në QSUT, Sanatorium.
Mjekët që e kanë pritur të sëmurën duhet të dinin se në tilla raste shoku ka një protokoll në botë që quhet FAST (focused abdominal sonography technique), e cila për tre minuta të vë në dukje diagnozën e shokut hemorragjik, e cila bëhet vetem me një EKO të abdomenit.
Ky gabim ndodh, sepse ata kanë mbaruar për Obstetër dhe në kurrikulumin e tyre nuk e kanë bërë këtë lloj ekzaminimi. Ata dinë të bëjnë vetëm eko të uterusit, vezoreve, barrës dhe t’u kërkosh të shtyjnë sondën e ekos pak më lart nuk dinë ta bëjnë, duke harruar që organizimi funksionon si një i tërë.
Mendoj se nga ky rast duhet të nxirren mësime që në kurrikulumin e mjekëve OB, Urgjencës të futen Ekografia e Urgjencës, e cila sot në botë është degë më vete.
Nuk dua të jem në rolin e Kasandrës, por po nuk u morën masa edhe të karakterit organizativ veç atyre që përmenda më lart, tragjedi të tjera do të na presin me këtë sistem shëndetësor të dështuar dhe të paaftë, për të mos thënë fjalë të tjera…

*Pedagog në Universitetin e Mjekësisë

Exit mobile version