Mjekët dhe laborantët e laboratorit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë dalë sërish në protestë dje. Ata kundërshtojnë dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik.
Punonjësit e mjekësisë laboratorike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë me koncesion këtë shërbim.
Për teknikët dhe laborantët do të vendosë koncesionari dhe sipas tyre rreth 700 persona mund të dalin në rrugë. Monopolizimi sipas tyre shton pasigurinë në analiza dhe vendos në pikëpyetje diagnozën. Laborantët dhe teknikët kanë edhe një sugjerim.
Bashkë me punonjësit e mjekësisë laboratorike në protestë kishin dalë edhe studentë, të cilët janë të paqartë se çdo të ndodhë me arsimimin e tyre dhe praktikat mësimore nëse shërbimi laboratorik jepet me koncesion.
Tre ditë më parë mjekët dhe laborantët u hodhën në protestë njëkohësisht në 18 spitale publike të vendit, duke i kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tërhiqet nga dhënia me koncesion e laboratorëve. Mjekët dhe laborantët thanë se, po shkatërrohet një shërbim i mirëfilltë shëndetësor, duke u dhënë me koncension. Frika më e madhe për profesionistët e shëndetësisë është humbja e vendit të punës pas dhënies së laboratorëve privatit. Reagimi i laborantëve vjen vetëm pak ditë, pasi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqiti në Kuvend draftin për dhënien me koncesion 10-vjeçar të laboratorëve të 5 spitaleve terciare, 11 spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake.
Për koncesionin e radhës sipas modelit PPP, Ministria e Shëndetësisë do t’i paguajë partnerit publik privat 800 milionë lekë të reja në vit, nga 600 milionë që shpenzon aktualisht nga buxheti i saj. Me paratë e shtetit, koncesionari premton të realizojë 160 lloje analizash kundrejt 96 të tilla që kryhen sot në QSUT, referuar kjo deklaratës së ministrit Beqaj bërë në Komisionin e Shëndetësisë. Mjekët dhe laborantët lajmëruan protesta të përditshme deri në anulimin nga ministri të procedurës së nisur.