Ish-deputeti i PD, mjeku i njohur, Tritan Shehu, ka folur në lidhje me akuzat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndaj qeverisë, i cili pak ditë më parë deklaroi se po fshihen shifrat reale të viktimave nga COVID-19.
“Janë ata që merren me menaxhimin e dokumenteve dhe nuk merren mjekët me menaxhimin e dokumenteve,” tha ai.
Sipas Shehut, testimet mund të të nxjerrin negativ edhe nëse ke simptomat e virusit, madje ato të dalin në skaner. Kjo ndodh disa ditë pasi janë shfaqur simptomat.
Jo vetëm kaq, por Shehu tha se testimet në disa raste nuk bëhen ose bëhen me shumë vonesë. Sipas tij, pacientët dalin nga spitali dhe më pas vdesin si pasojë e efekteve të rënda të koronavirusit, por nuk regjistrohen.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Albert Nikolla insistoi se janë mjekët që firmosin çdo certifikatë vdekje dhe ata janë profesionistë.
“Të akuzoj ty personalisht si zëvendësministër, ju që menaxhoni. Ju i menaxhoni shtrembër të dhënat. Ju krijoni metodika të tilla për të fshehur shifrat, jo mjekët,” tha Shehu ne Syri.net.
“Je bërë varrmihës i keq. Po akuzon mjekët,” reagoi Nikolla, duke shtuar se është i pamundur mashtrimi me të dhënat për koronavirusin.