Mjellma e zezë – Bukuria që vret

Nga Aladin Stafa

Dëshira e njeriut për të parashikuar të ardhmen do të ekzistojë sa kohë njeriu të jetë në Tokë. Kurioziteti se çfarë e nesërmja sjell, e bën jetën e tonë sa interesante, aq edhe të padeshifrueshme, ndërsa çdo vendim apo ngjarje që na ndodh gjithmonë hap portën e një udhëtimi të mundshëm prej skenarëve të pafundmë që universi na sjell. Përgjatë historisë kanë qenë pikërisht këto ndodhi të befasishme, të cilat kanë surprizuar këdo duke impaktuar kështu jetën e humanëve dhe duke shkaktuar më tej shkatërrim dhe konfuzion. Ngjarje të ashtuquajtuara si “Black Swan” apo “Mjellma e Zezë” janë fenomene të shpjeguara qartë në librin me autor Nassim Nicholas Taleb, sjellë mjeshtërisht në shqip nga prof. Blendi Lami, i cili i hap rrugë idesë se për shkak të limitit të shqisave tona, diturisë së kufizuar dhe eksperiencës sonë minimale, njeriu nuk është në gjendje të përfytyrojë që e pamundura edhe mund të ndodhë.
Por, përse është quajtur ky fenomen si “Mjelma e Zezë”? Çfarë do të thotë kjo? Cili është kuptimi? Deri në vitin 1697 njerëzimi besonte se të gjitha mjellmat ishin të bardha, si pasojë e dëshmive empirike mbledhur nga studiuesit e fushës. Por pak më vonë, disa eksplorues holandezë u ndeshën me një tipologji të re të kësaj specieje; mjellmën e zezë. Për herë të parë u pa ajo në Australinë Perëndimore, shanset për ekzistencën e së cilës ishin minimale. Ky ilustrim vërtetoi edhe njëherë kufizimin e njohurive të njeriut nga observimi dhe besimi i fortkrijuar që rridhte nga evidencat faktike ndër mijëra vjet. I çuditshëm është fakti prej këndej sesi ky fenomen, pra befasia me të cilin u gjendën shkencëtarët kur panë mjellmën e zezë, të quhej dhe si fenomeni i Mjellmës së Zezë, me anë të të cilit mund të shpjegosh lehtësisht disa realitete të papritura të botës sonë. Në libër përshkruhet qartë suksesi që sjellin idetë e mëdha, çfarë sjell përhapja e fesë, ngritja apo dhe rënia e hegjemonive, si dhe aspektet e ndryshme që përbëjnë jetën tonë të përditshme.

Në botën financiare ky fenomen i kudogjendur, dëshpërimisht rreket të kapet nga profesionistët e fushës, duke sjellë shpeshherë dështime dhe suksese. Kriza financiare e vitit 2008 dhe propabiliteti i riskut në periudha afatshkurtra dhe afatgjata, janë shembuj që treguan qartë përllogaritjet e bëra deri në njohjen e limituar të mundësive, duke mos e çuar ndërmend pamundësinë si një faktor kyç në këtë proces. Por si çdo gjë, edhe ky fenomen ka anën e tij pozitive krahas asaj negative. Mjellmën e Bardhë, shansin e lumtur, fenomenin Yang që përndryshe na tregon se për të qenë i suksesshëm duhet bërë diçka më shumë që kalon përtej sferës së mundësive. Nëse njeriu nuk mund ta parashikojë të pamundurën/ befasinë/ të papriturën, atëherë pse ai të mos e injorojë atë? Në vend të përpjekjeve të njëpasnjëshme naive për parashikimin e këtij fenomeni, e duhur do të ishte përshtatja dhe pranimi i vetë ekzistencës së tij. Fluturimi pas rrymës dhe mosdorëzimi ndaj vështirësive që rrethanat sjellin, do të ishte një rast për të maksimalizuar mundësinë drejt suksesit. Përgjithësisht, gjërat e mira duan kohën e vet të vijnë ndërsa e kundërta ndodh me shkatërrimin/ rrënimin, që në shumë raste vjen menjëherë. Libri na e mëson këtë ndërsa është jeta ajo që na e dëshmon. Njeriu ka shekuj që endet në Tokë.

Në disa raste në kërkim të së vërtetës e në disa të tjera në betejë me atë çfarë e pret. Në të dyja rastet pothuajse ka dalë i mundur, sepse shanset e tij janë të limituara. Por kjo duhet parë si një gjë pozitive, sepse çfarë kuptimi do të kishte jeta atëherë? Nëse do të dinim çdo përgjigje e nëse me të dhënat e së shkuarës do të mund të parashikonim të ardhmen efekti surprizë do të humbiste. Prandaj dhe fenomeni i Mjellmës së Zezë do të vazhdojë të ekzistojë. Që nga krijimi i Tokës, zhvillimi i jetës në këtë planet ka marrë formë nga ngjarje të rastësishme me kohën, vendin dhe aktorët përkatës.

Fenomeni i mjellmës së zezë nuk na mëson vetëm se si ekuilibrat mund të prishen në pak sekonda, por dhe se si ne nuk duhet të bazohemi vetëm tek ajo çfarë shohim apo perceptojmë. Libri na mëson se sa të ekspozuar jemi që në orët e para të ditës nga e papritura dhe se asesi nuk mund t’i shmangemi asaj që pret të na vijë. Stoikët do ta quanin ‘Fati’, ndaj përtej kontrollit dhe mundësive tona për të ndikuar sado pak tek ai, pranimi i tij si pjesë e realitetit është mundësia e fundme për të bërë më e pakta një jetë të qetë. Por, sigurisht të paparashikueshme dhe shpesh të vështirë./Gazeta Panorama

Artikulli paraprak“Dua rikthimin te Milani”, Sandro Tonali: Asgjë konkrete me Juven
Artikulli tjetërPunëtorët e huaj ndihmojnë në rritjen ekonomike të Spanjës