Nëse ai luan, Khedira, Juventusi është e sigurt se nuk humbet. Dhe nëse shënon, fitorja është e garantuar. Deri pak kohë më parë ai që shihej si truri i mesfushës në Torino ishte Andrea Pirlo, por tashmë që ai është larguar, ndikimi pozitiv që Sami Khedira ka te Juventusi shpjegohet lehtësisht me pak numra: në 21 ndeshje të luajtura në Serinë A kanë ardhur 20 fitore dhe një barazim (0-0 kundër Interit në “San Siro”, në fazën e parë).
Ta quash hajmali duket si diçka banale, duket sikur i ul vlerat një futbollisti që nuk është vetëm një “mobilie” e bukur në këtë skuadër që dominon prej pesë vitesh në Itali. Përkundrazi, pesha e Samiut është aq e madhe, sa kur mungon ai aty në mes, prezenca e tij ndihet dhe shumë madje. Por pikërisht kjo është ana e dobët e Khedirës…
Në sezonin e kaluar, ai luajti 20 ndeshje nga 38 në kampionat (25 prezenca nga 52 gjithsej në sezon). Nëse sivjet do të arrijë të rrisë numrin e paraqitjeve të tij në fushë, ndoshta duke kaluar 30 ndeshjet, atëherë po që 29-vjeçari do të jetë një vlerë e shtuar edhe më e rëndësishme e këtij Juventusi që sivjet kërkon të festojë edhe jashtë kufijve të gadishullit apenin, pikërisht në Champions, një turne që Sami Khedira e njeh mirë, pasi e ka fituar me Realin e Madridit.
“Khedira është lojtari më i fortë në rolin e tij”, nënvizonte sa herë që kishte mundësinë Zhoze Murinjo, i cili e kërkoi me forcë te Reali i Madridit, për t’i dhënë më shumë siguri, estetikë dhe njëkohësisht finesë një reparti që jo më kot quhet boshti i skuadrës.
Dhe këtë peshë të tijën Khedira e ka ruajtur edhe në Torino, duke e treguar shumë qartë në startin e këtij sezoni, pasi fitorja kundër Fiorentinës ishte mbi të gjitha meritë e tij; një rast i humbur, një gol me kokë dhe iniciatori i golit të Higuainit. Ai di të mbrojë, të shpërndajë lojën, të ndihmojë në sulm, por edhe të shndërrohet në një sulmues të fshehtë.
Edhe këtë e konfirmon një statistikë e thjeshtë: me Khedirën në fushë, bardhezinjtë kanë pësuar shumë pak, vetëm 10 gola, por në të njëjtën kohë kanë shënuar shumë, 51 gola (2.4 mesatarisht për ndeshje). Por, nuk mbaron këtu.
Në të 6 ndeshjet në të cilat Sami Khedira ka gjetur golin, skuadra e Alegrit ka fituar gjithmonë dhe ka dalë nga fusha gjithmonë me dy ose më shumë gola të shënuar. Me pak fjalë, gjermani është një mjeshtër, një busull për ekipin.
Duke shpresuar që Sami Khedira sivjet do të kalojë një sezon pa probleme, ai që ka lënë pas dëmtimin e pësuar është mesfushori tjetër bardhezi, Miralem Pjaniç.
Boshnjaku, i cili mungoi me Fiorentinën, është rikthyer dje në stërvitje dhe e ka kompletuar pa shqetësime seancën. Në këtë mënyrë, ai do të jetë gati dhe natyrisht titullar, në pritje të transfertës me Lacion, të shtunën, në kampionat.