Një nga mediat më të majta në vend dhe që tradicionalisht ka qenë pranë Partisë Socialiste ka sulmuar ditën e sotme, disa nga emrat që u graduan ministra nga Edi Rama ditën e djeshme.
Gazeta “Dita” në një shkrim të sajin të gjatë me nota investigative, ka zbuluar disa detaje dhe motive “jo politike”, të cilat qëndrojnë pas përzgjedhjes së ministrave të rinj që hynë në qeverinë e Edi Ramës.
Në këtë shkrim të fortë denoncohet, se pas disa emrave të rinj nuk ka kritere që vijnë nga profesionalizmi dhe partia Socialiste, por vetëm sipas njohjeve private dhe familjare të kryeministrit dhe asgjë më shumë.
Ja çfarë zbulon me fakte mes të tjerave kjo gazetë, për standardin dhe kriteret që Edi Rama ka përdorur pë të emëruar disa nga ministrat e rinj:
“Anila Denaj, e ardhur nga sistemi bankar privat, e vendosur në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një nga institucionet më të akuzuara për korrupsion, një zgjedhje e familjes Rama, jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje me të majtën, por kjo e majtë rrihej në sheshe nga shikasit e Gazidedes, ku bënte pjesë edhe babai i ministres së sotme. Ndoshta merita e vetme është që gruaja e tij e pi kafen në të njëjtin vend ku e pi edhe Linda Rama. Gjërat puqen nganjëherë!
Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga një emër që u synua të bëhej e njohur nga studio e Fevziut. Arkitekte e thjeshtë arredimesh. Elva Margariti Asllani. Njeriu që u njoh me Ramën përmes një firme të vogël të bashkëshortit të saj dhe që morën përsipër të gjejnë perdet, kolltukët, abazhurët që donte Rama, që kaloi edhe kjo rendin e këshilltares, u stërvit si koordinatore të një projekti mbi fshatrat, tani është ministre.
Nëse Kumbaro kishte anësinë e saj, që e rëndoi historinë e së majtës padrejtësisht, askush nuk e di se kush është zonja Elva, veç atyre që kanë pasur rastin të akomodojnë banesat ose sallat e tyre përmes firmës së familjes së saj.
Asnjëherë drejtimi i kulturës nuk ka qenë në duart e njerëzve anonimë ndaj kulturës dhe, edhe nëse do të ishte dashur të paraqitej një tablo e zymtë e njeriut të artit ndaj kulturës, nuk do të mund të kishte gjetur”, shkruan gazeta “Dita”
Gazeta në fjalë që njihet si protektore e qeverisë ka siluruar, edhe ministrin e ri të Jashtëm Gent Cakaj, i cili sipas saj nuk di mirë as gjuhën shqipe. Ndërsa për “surprizën Braçe” shkruhet, se nuk ka nevojë për prezantim, sepse edhe vetë zotëria është kapur në befasi nga detyra që iu ngarkua. Qëllimi i këtij emërimi sipas kësaj media të majtë, ka qenë vetëm për ti mbyllur gojën për qokën që Rama i bëri Ridvan Bodes, duke e çuar në bordin e Bankës së Shqipërisë.
Nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur. A nuk u bë Fate Velaj deputet dhe këshilltar nga histori të ngjashme? Ky është Edi Rama. Kjo është Shqipëria. Nuk i dihet, të gjithëve mund të na bjerë shansi të blejmë tapetë apo divanë në të njëjtin vend me ata që nuk duken për atë që janë. Duhet vetëm pak fat.