Lulzim BASHA
Dua të siguroj të gjithë shqiptarët se, Partia Demokratike po bën dhe do të vazhdojë të bëjë deri në çastin e fundit, shpresoj në një konsensus mbarë kombëtar për Reformën në Drejtësi, atë që ka premtuar, gardiane kundër kapjes politike të sistemit të drejtësisë si forma më e lartë e korrupsionit, korrupsioni politik. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë dhe në funksion të kësaj kemi insistuar për përfshirjen në këtë proces të Komisionit të Venecias. Përfshirja e Komisionit të Venecias me kërkesën e Partisë Demokratike, garantoi që në të dy draftet e dërguara nga qeveria në këtë komision, Venecia të thoshte fjalën e saj e të çmontonte jo një herë, jo dy herë, por plot 38 herë projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë nga qeveria aktuale. Tash një javë palët ndahen në një pikë të vetme, por të rëndësishme: mënyrën e përzgjedhjes së institucioneve të reja vendimmarrëse dhe kontrolluese të sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk ka asnjë interes tjetër përveç asaj për të cilën jam zotuar para qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialistë, si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si jurist me formim perëndimor që e ka parë se ç’bën drejtësia e pavarur dhe e pakapur, si qytetar, si familjar, si bir e prind në këtë vend: Moskapja politike nuk është thjesht kusht, është vetë reforma. Me kapje politike nuk ka reformë. Sot, pas insistimit tonë parimor – përkundër presioneve të jashtëzakonshme e të paparimta – për të qëndruar në modelet dhe parimet e ofruara nga Komisioni i Venecias kemi një lajm të mirë. Edi Rama pranoi sot parimin e konsakruar në opinionin final të Komisionit të Venecias, në rekomandimin 88, atë që njihet gjerësisht si modeli i vendeve të rezervuara. Pranoi parimin, por nuk dëshiron ta aplikojë atë siç e kërkon Komisioni i Venecias në të katër institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, por në vetëm 2 prej tyre. Dëshiron ta aplikojë në KLGJ-në dhe në KLP-në, për të cilën ne kemi rënë dakord që prej muajit shkurt. Më 17 shkurt, Partia Demokratike pas sugjerimeve të OPDAT dhe EURALIUS zgjodhi mes modeleve të ofruara, modelin e vendeve të rezervuara për këto dy organe vendimmarrëse. Por po kaq të rëndësishëm e konsideron Komisioni i Venecias zbatimin e këtij parimi edhe për 2 institucione të tjera, Komisionin e Posaçëm të Verifikimit dhe Komisionin e Apelimit.
Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias
Më lejoni ta lexoj përsëri:
Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias. “Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme: – Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK”, që janë dy dhomat e tjera, pra vetingu dhe apeli për vetingun “ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes”. Ky është opinioni final i Komisionit të Venecias. Z. Rama pranoi parimin, por ama vetëm për dy institucione. Për dy të tjerat jo. Përse?! Çfarë do të bëjnë këto dy organe?! Këto do të ndajnë shapin nga sheqeri. Do të largojnë gjyqtarët dhe prokurororët e korruptuar e do të lënë në sistem ata me dinjitet e integritet e që i shërbejnë ligjit, që janë ushtarë të ligjit dhe jo të Edi Ramës, e sigurisht as të Lulzim Bashës. Por që kjo të ndodhë kështu siç është planifikuar të ndodhë, as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mund të kenë dorën vendimtare të përzgjedhjes te këto dy organe. Sepse përndryshe na dalin gjyqtarët që hetojnë skandalin e përgjimit të korruptuar e na del prokurorja që pushoi çështjen e narkotaksisë së Tahirit, e pastër. Shqiptarët e kuptojnë fare qartë, këtu fle lepuri. Dhe këtu Partia Demokratike nuk kërkon asnjë vend të vetëm për militantët apo për anëtarët e saj. Ne nuk duam që në këtë sistem të vendoset Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi apo Ivi Kaso, por nuk pranojmë kurrsesi që pala tjetër të vendosë në këtë sistem Sokol Sadushin, Ardian Dvoranin, Sokol Berberin, Fatmir Xhafën apo Pandeli Majkon. Parimi i konsakruar nga Komisioni i Venecias është ai i përfaqësimit propocional, por jo i personave me kredenciale politike: i personave me integritet profesional e personal. Dhe për këtë ka dhe duhet të ketë një sistem të pastër vetingu për kandidatët që do të propozohen. Ndaj sot duke iu dorëzuar parimit të Venecias, z. Rama pranoi se ishte ai dhe vetëm ai pengesa deri më sot për një konsensus mbarëkombëtar për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Por duke e pranuar vetëm për dy organe ekspozoi po kështu se nuk heq dorë nga kapja politike e atyre që do të bëjnë vetingun apo kontrollin e integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Pra, ekspozoi se kërkon të kapë politikisht këto dy organe të rëndësishme për këtë proces.
Opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3
Në këtë moment dua të sqaroj para çdo shqiptari edhe një herë se opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3 dhe e dini pse?! Sepse 2/3 me mekanizmin zhbllokues do të thotë kapje e plotë dhe totale e drejtësisë. Edi Rama kurrë nuk do të pranonte e nuk do të pranojë konsensusin me opozitën në Parlament me 2/3 e votave, por do të kapë mekanizmin zhbllokues dhe përmes tij do të kapë institucionet e drejtësisë. Kaq e thjeshtë është. Prej janarit ne përzgjodhëm një formulë tjetër. Pse?! Pse Venecia tha vende të rezervuara?! Se kërkon që ta kapë opozita?! Pse janë çmendur komisionerët, raporterët e Venecias?! Dhe Rama është më i mençur se gjithë ekspertët që këshillojnë Europën për reforma kushtetuese? Apo Rama e do drejtësinë e pavarur dhe Komisioni i Venecias do t’ia japë drejtësinë Partisë Demokratike?! Jo. Absolutisht jo. Venecia tha qartë se vendet e rezervuara janë formula që opozita të kryejë detyrën e saj për të mos e kapur qeveria drejtësinë. Armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike. Kapja nga qeveria, kapja nga Kryeministri, qoftë Rama sot ose Basha nesër. Paragrafi 88 e ka përcaktuar qartë se modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik mes palëve për dy institucionet që tashmë z. Rama i ka pranuar sipas këtij parimi, por edhe për dy të tjerat që reziston t’i bindet të njëjtit parim, të njëjtit rekomandim të Komisionit të Venecias. Rruga është e hapur që z. Rama sot apo nesër t’i bindet plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Përsa më përket mua dhe Partisë Demokratike, mbi këtë parim nuk ka e nuk mund të ketë cedim. Por jemi të hapur që sot që së bashku me palën tjetër të rakordojmë të gjitha detajet e një sistemi filtrimi të kandidaturave që do të shmangnin depërtimin në procesin e miratimit të kandidaturave me vendet e rezervuara në të gjitha organet, të sadushëve, të dvoranëve, të berberëve, të bardhëve, të kasove dhe të alibeajve. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të gatshëm që sot.