Modest për Chelsin

I përulur dhe me ide të qarta. Ky është çelësi i suksesit të trajnerit të “Bluve të Londrës”, Antonio Conte, i cili të paktën deri më tani po tregon, se metodologjia e tij e lojës, po jep rezultatet e kërkuara te Chelsea. Nëntë fitore radhazi ka arritur skuadra e teknikut italian, që përkthehen me vendin e parë në tabelën e klasifikimit me 37 pikë të grumbulluara. Ndalesa e radhës është Sunderland, që pozicionohet në vendin e fundit. Një rival i lehtë në letër, por që gjithsesi duhet patur kujdes. Vetë Conte e pranon se nuk e priste këtë ecuri kaq pozitive të skuadrës së tij.
“Nuk e prisja që të arrinim vendin e parë. Jo se unë nuk kam besim tek skuadra ime, por sepse luajmë  në një kampionat shumë të vështirë, ku rivaliteti është shumë i madh. Në çdo takim të luajtur duhet të japësh maksimumin, nëse në fund të garës dëshiron të dalësh triumfues. Nuk jam i sigurt që do të vazhdojmë  me këtë ritëm deri në fund të kampionatit, unë shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë edhe pse nuk do të jetë një mision i lehtë”, u shpreh Konte.
Kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi i 2016-ës, Conte bën një bilanc të vitit që po lëmë pas, për skuadrën dhe futbollistët. Sigurisht që i pari në këtë listë është sulmuesi Diego Costa, që po kalon një moment të shkëlqyer.
“Diego po kalon një formë të shkëlqyer. Golat e tij, po na japin një ndihmesë shumë të madhe e shpresoj që të vazhdojë kështu deri në fund. Përsa i përket të ardhmes se Fabregas, nuk mund të flas dot me garanci. Mund të them se është një element shumë i rëndësishëm për ne. Dua t’i komplimentoj të gjithë futbollistët, sepse janë duke dhënë maksimumin në çdo takim”, përfundoi Konte.
Ndërkohë, mesfushori i Çelsit, Oskar, do t’i bashkohet në janar klubit kinez të Shanghai SIPG, i cili do të paguajë rreth 52 milionë paund për futbollistin brazilian. Lojtari nuk po luan rregullisht me londinezët, që nga momenti kur drejtimin e skuadrës e mori Antonio Konte dhe që nga muaji shtator, nuk ka luajtur asnjë takim si titullar në kampionat. Ndaj, sipas mediave angleze, ai ka zgjedhur të largohet drejt një klubi, ku do të gjejë bashkëkombësin e tij, Hulk dhe ku trajner është portugezi Andre Vijas-Boas.
Sigurisht që rroga e tij në Kinë do të jetë shumë më e lartë se ajo që përfiton në Angli, ndërsa parashikohet që t’i afrohet asaj prej 320 mijë paund në javë që përfiton Hulk. Kina është kthyer në një destinacion të preferuar për lojtarët e Çelsit, duke llogaritur se atje luajnë aktualisht edhe Demba Ba e Ramires, pa harruar eksperiencat në të kaluarën të Didier Drogba dhe Nikolas Anelka.
Gjithsesi, duket ende e çuditshme se si futbollisti zgjodhi që në moshën 25-vjeçare, duke qenë pjesë e kombëtares braziliane, të largohet drejt Kinës vetëm për para, ndonëse kërkohet me ngulm nga shumë klube me emër. Gjatë verës, për futbollistin kishin shfaqur interes thuajse të gjitha klubet kryesore italiane apo edhe PSG, por ai zgjodhi që të qëndronte te Çelsi, duke shpresuar më kot që të gjente hapësira me Konten.

Artikulli paraprakAngela Merkel në krye të botës së lirë?
Artikulli tjetërNjë bullgare në krye të Gjykatës Speciale në Kosovë