Luka Modriç ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit me Ajax, e vlefshme për fazën e 1/8-ve të Champions League, teksa ndeshjen e parë në Holandë e fituan me rezultatin 1-2.
Kroati ka folur për krizën që e ka kapluar skuadrën dhe pa hezituar, ka thënë se është për shkak të mungesës së golave të Cristiano Ronaldos.
Modric ka thumbuar paksa edhe shokët e skuadrës, duke thënë se nuk kanë në ekip një lojtar që shënon të paktën 20 gola, edhe pse Gareth Bale e Marco Asensio shiheshin si çelësi i suksesit pa CR7.
Që të dy, kanë dështuar të zëvendësojnë Ronaldon, përveç kësaj, kanë dështuar që të ndihmojnë ekipin edhe në ndeshjet më vendimtare të sezonit, pasi si në Champions, ashtu edhe në La Liga e Kupë të Mbretit, nuk po startojnë – para tyre më shumë po luajnë Vinicius dhe Lucas Vasquez.
Luka e di se është e vështirë që të gjejnë një lojtar që garanton 50 gola, por ka thënë se ata momentalisht nuk kanë në skuadër as lojtarë që garantojnë 10, 15 apo 20 gola.
“A po i mungon Cristiano Realit? Sigurisht që Ronaldo do i mungonte çdo ekipi dhe të gjesh një zëvendësues për të është pothuajse e pamundur”, u shpreh Modric.
“Ajo që ai ka bërë për ne dhe klubin, sigurisht që na mungon”.
“Klubi solli lojtarë të rinj në vend të tij, por të dalësh sipër tij nuk është e lehtë”.
“Ai shënonte nga 50 gola dhe nuk mund të gjesh dikë që shënon kaq shumë në këto ditë”.
“Dikush është dashur që të përparojë dhe disa lojtarë të shënojnë 10, 15 dhe 20 gola, por ne nuk kemi (futbollistë) të tillë, ky është problemi ynë, goli!”, u shpreh mes tjerash Luka.
Vetëm Benzema ka shënuar mbi 10 gola në Ligë, numëron 11, kurse Bale ka realizuar 7, Asensio, befasisht, edhe pse ka luajtur 20 ndeshje, ka shënuar vetëm 1, në total 3.
“Vinicius? Ai na ka dhënë shpejtësi, diçka ndryshe”, shtoi Modric.
“Është akoma shumë i ri, por ka treguar se ka shumë talent dhe ambicie”.
“Ai duhet të vazhdojë kështu, ka personalitet, talent, është djalosh i jashtëzakonshëm dhe ne jemi aty ta ndihmojmë që të rritet edhe më shumë”.