Mogherini i bën thirrje Ukrainës që të luftojë korrupsionin

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini i ka bërë thirrje Ukrainës që të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe të themelojë një gjykatë antikorrupsion, kërkesë e cila është në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të pavarur.
Mogherini i ka bërë këto komente gjatë vizitës së sotme në Kiev. Ajo është takuar me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko dhe me kryeministrin Volodymyr Hroysman.
Më 1 mars, Parlamenti ukrainas ka miratuar në leximin e parë projektligjin për formimin e gjykatës antikorrupsion. Krijimi i kësaj gjykate është kërkuar nga grupet e protestuesve dhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat i japin Ukrainës ndihmë financiare. Pas votimit, Poroshenko kishte deklaruar se ligji do të miratohet “në pranverë”. Megjithatë, disa reformatorë brenda Ukrainës dhe aleatë në Evropë kanë thënë se legjislacioni nuk përmbush standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias, që përbëhet nga ekspertë të pavarur dhe sipas kërkesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Më 2017, Ukraina është ranguar në vendin e 130 nga 180 shtete, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të publikuar nga Transparency International.

Artikulli paraprakKosovë, demarkacioni ose zgjedhje të parakohshme
Artikulli tjetërBritani, thirrje konservatorëve të kthejnë donacionet ruse