Real Madrid duhet të bëjë një kthesë radikale për të ndryshuar dinamikën negative të skuadrës në La Liga dhe t’u lejojë lojtarëve të rifitojnë besimin për t’u përballur me duelin e madh kundër PSG në Ligën e Kampionëve. Dhe ky transformim mund të vijë me një “grusht shteti” në formën e nënshkrimeve të reja. Pavarësisht refuzimit të trajnerit Zidane për t’u përforcuar në dimër (“unë nuk dua askënd”, u shpreh francezi të martën), shtypi europian insiston te një emër, Mohamed Salah.
Nga “Sky Sport Italia” pohojnë se Real Madridi jo vetëm e do të talentuarin egjiptian, anësorin e Liverpool, por ka për qëllim ta përfshijë këtë janar si përgjigje karshi nënshkrimit të Coutinhos me Barcelonën. Duke supozuar se të pamundurat nuk ekzistojnë më në botën e futbollit, operacioni do të jetë shumë më pak kompleks, duke pasur parasysh se Liverpool është shkëputur tashmë nga njëri prej yjeve të vet, çka në masë të madhe e zvogëlon potencialin e “Reds” në përpjekje për të fituar Ligën e Kampionëve.
Sidoqoftë, në këtë pikë, nuk është më sekret interesi i Real Madridit për Salah, një nga lojtarët më të mirë finalizues në futbollin botëror. Me 23 gola të shënuar në 29 ndeshje dhe 8 asiste, sulmuesi 25-vjeçar egjiptian është golashënuesi i dytë më i mirë në Premier League (prapa Harry Kane) dhe është votuar “Lojtari më i mirë afrikan i vitit 2017”. Përveç kësaj, dhe për të larguar çdo dyshim, Hector Cúper, trajneri aktual i Egjiptit, kohët e fundit pranoi se kishte marrë “lajme të konfirmuara” për interesimin e Real Madridit për këtë lojtar.