Moment i artë për Hysajn

Fundjavë e suksesshme për një pjesë të lojtarëve shqiptarë në Europë. Sigurisht emri më i lakuar i momentit është Etrit Berisha, i cili bashkë me Atalantën janë surprizat e vërteta të këtij sezoni në Serie A. Gardiani shqiptar e ruajti të paprekur katërkëndëshin në sfidën e Bergamos kundër Sampdorias ku zikaltërit triumfuan 1-0 dhe u rikthyen në garën për një biletë europiane. Edhe pse portieri i lindur në Prishtinë nuk kishte shumë punë në 90 minutëshin e luajtur në “Atleti Azzurri”, ai konfirmohet sërish një siguri e madhe për portën e skuadrës së Gasperinit. Më e hidhur rezultoi e diela për kapitenin e Pescaras, Ledian Memushaj. Mesfushori kuqezi hyri në fushën e lojës si zëvendësues në minutën e 63, ndërsa skuadra abruceze regjistroi një tjetër humbje, këtë herë ndaj Sassuolos 3-1 në “Adriatico”.
Memushaj u bë protagonist 3 minuta nga fundi i takimit kur fitoi një 11-metërsh për skuadrën e tij që Biraghi nuk arriti ta transformonte në gol. Po në Serie A, minuta të limituara edhe për mbrojtësin Frederik Veseli që u aktivizua në minutën e 56 të ndeshjes Empoli-Udinese të fituar 1-0 nga skuadra toskane. 24-vjeçari kuqezi u tregua në lartësinë e duhur duke dhuruar edhe asistin e golit të shënuar në minutën e 82 nga Mchedlidze. Moment i artë për Elseid Hysajn me Napolin. Tashmë nuk përbën më lajm fakti që mbrojtësi shkodran është një pikë kyçe në formacionin e Sarrit. Hysaj bëri një paraqitje pozitive në fitoren e “San Siros” 2-1 ndaj Milanit, duke u treguar i vëmendshëm në të dyja fazat, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Në Serie B, Rey Manaj e nisi që nga minuta e parë ndeshjen e parë me Pisa-n.

Artikulli paraprakBerisha: Ëndrra, kombëtarja kuqezi
Artikulli tjetërEtrit Berisha nuk thyhet, Atalanta kalon Milanin