Spektakël i Monakos në “Velodrome”. Skuadra nga Principata regjistroi një fitore fantastike me shifrat 4-1 ndaj Olympique Marseille në transfertë duke u ngjitur në krye të Ligue 1, me pikë të barabarta me Nice që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Metz. Ekipi i Rudi Garcias ishte i pafuqishëm për t’i bërë ballë Monakos në superndeshjen e javës së 20-të në kampionatin francez. Në të 15-tën Lemar realizoi një gol të bukur për t’i dhënë epërsinë formacionit të Leonardo Jardim. Monako nuk u ndal këtu sepse 6 minuta më pas në skenë doli Radamel Falcao që i çoi shifrat në 0-2. Qendërmbrojtësi portugez Rolando u duk sikur riktheu në lojë Marseillen me golin e tij në të 28-tën, por Bernardo Silva pak përpara pushimit shënoi edhe të tretin për miqtë nga Montecarlo. Mesfushori portugez shënoi edhe golin e dytë personal në fillimin e pjesës së dytë, duke fiksuar shifrat përfundimtare të këtij takimi në 1-4.