Monako do hakmarrje

“Si përballohet Juventusi? Çelësi i arritjeve tona është besimi. Fakti që jemi në gjysmëfinale na ka ekzaltuar, por do të vëmë zemrën në fushë edhe në dy ndeshjet me Juven për të arritur në finalen e Champions-it, në Kardif”. Ishte ky komenti “i nxehtë” nga Nioni i Lydovik Zhuli, menjëherë pas hedhjes së shortit.
Ish-mesfushori dhe kapiteni i Monakos, tashmë drejtues i klubit, nuk e humb buzëqeshjen pas njohjes së kundërshtarit të radhës. Përkundrazi, në Principatë janë euforikë dhe optimistë se mund të vazhdojnë më tej, madje duke mos pasur frikë që edhe t’i thumbojnë italianët, siç bën zëvendëspresidenti i klubit, Vadim Vasilijev.
“Pika jonë e fortë e 180 minutave kundër Juventusit do të jetë fakti i të mos pasurit asgjë për të humbur, ajo që na ka sjellë deri në këtë pjesë të turneut, vazhdon Lydovik Zhuli. Në këtë moment jemi një skuadër që qëndron mbi re. Euforia do të jetë forca jonë, por pa dyshim kemi një grup shumë cilësor, një staf drejtues kompetent dhe të rëndësishëm dhe pa dyshim një trajner që po bën gjëra madhështore. Sa shanse kemi për kualifikim? Nuk jap shifra, them vetëm që kalojmë ne. Në ndeshjen e parë në shtëpi fitojmë 2-1 dhe në Torino kënaqemi edhe me një barazim 1-1”.
Penalltia e fituar nga Morata dhe e transformuar në gol nga Vidal në vitin 2015, i vetmi gol i 180 minutave në çerekfinalen Juventus-Monako, e cila vulosi kualifikimin.
Pas Zhuli, ishte radha e zëvendëspresidentit Vadim Vasilijev për të ndezur edhe më shumë sfidën me Juventusin: “Shorti? Në këtë pikë e dinim që na priste një kundërshtar i fortë, sepse në fund mbesin më kompetitivët. Por edhe në pritje të këtij dueli ne qëndrojmë shumë të qetë, sepse presioni do të jetë i gjithi për Juventusin. Ata duhet të kualifikohen me çdo kusht, jo ne. Shpresoj vetëm që këtë herë të jetë një ndeshje e ndershme. Tri sezone më parë, kundër tyre, u mposhtëm vetëm nga një penallti e paqenë, nga një gol i dhuruar nga arbitri. Prandaj sivjet shpresoj që të gjendet një arbitër korrekt, sepse Monako është gati për hakmarrje”.
Pavel Nedved është treguar i matur në deklarata pas shortit të Ligës së Kampionëve. “Të luash kundër një skuadre plot me talente të rinj që nuk kanë çfarë të humbasin është e rrezikshme”, deklaroi zv.presidenti i Juventusit. Nedved tha më tej se, Juventus synon të bëjë më të mirën kundër Monakos. “Në Ligën e Kampionëve duhet të bësh më të mirën tënde në çdo lojë dhe ky është synimi ynë”, shtoi ai. “Në Barcelonë bëmë një gjë të madhe, por lojtarët tani janë të fokusuar që të fitojnë Kupën”, tha çeku.

Artikulli paraprakGuarin ëndërron rikthimin te Inter
Artikulli tjetërAlegri: Monako s’duhet nënvlerësuar