Monako nuk do shesë “xhevahirët” në verë

Monako mund të konsiderohet pa më të voglin dyshim si zbulimi i madh i këtij sezoni. Formacioni i Leonardo Jardim zhvilloi një kampionat fantastik në Francë duke zbritur, Paris Saint Germain-in nga froni dhe duke fituar titullin e parë pas plot 17 vitesh. E gjitha falë punës së shkëlqyer të portugezit Jardim, por edhe për meritë të një grupi futbollistësh që pavarësisht moshës së re treguan se zotërojnë një potencial të jashtëzakonshëm duke e çuar Monakon edhe deri në fazën gjysmëfinale të Champions Leagues.
Paraqitjet e mira të lojtarëve të tillë si Kilian Mbape, Bernardo Silva, Benjamin Mendy, Fabinho apo edhe Thomas Lemar kanë vënë në lëvizje klubet më të mëdha të Europës, të cilat kërkojnë t’i shkëputin Monakos, xhevahirët e saj. Por ky mision nuk do të jetë aspak i thjeshtë për gjigantët e futbollit europian si Reali i Madridit, Manchester United apo edhe Atletico e Madridit, sepse drejtuesit e Monakos kanë vendosur të mos shesin asnjë nga yjet e tyre.
Presidenti Vadim Vasyliev i ka siguruar të gjithë se asnjë lojtar nuk i ka kërkuar largimin dhe në merkaton e ardhshme, Monako do të synojë të përforcohet dhe jo të shesë lojtarët e saj më të mirë. Duket e vështirë që klubi nga Principata të mbajë në skuadër emra të tilla si Kilian Mbape apo Bernardo Silva duke patur parasysh milionat që ofrojnë Reali i Madridit e Manchester United, megjithatë ky është një sinjal që drejtuesit e Monakos kanë një projekt të rëndësishëm për të patur një skuadër akoma edhe më të fortë se kjo aktualja në të ardhmen.

Artikulli paraprak12 historitë e nxehta të verës
Artikulli tjetërInteri hap “thesin”