Danezët u surprizuan në natën e Vitit të Ri, ndërsa Mbretëresha Margrethe II njoftoi abdikimin e saj nga froni.
Mbretëresha e vetme në fuqi në botë dhe monarkja më jetëgjatë në Evropë do të japë dorëheqjen më 14 janar, 52 vite nga dita që kur ajo u mori fronin.
“Unë do t’ia lë fronin djalit tim, princit të kurorës Frederik”, tha Mbretëresha Margrethe II në një deklaratë televizive.
Por çfarë dimë për mbretin e ri të Danimarkës?
Princi i kurorës Frederik u diplomua në Universitetin Aarhus në 1995 me një master në shkencat politike. Ai ishte i pari mbretëror danez që përfundoi një arsim universitar.
Gjatë studimeve shkoi në Harvard në Shtetet e Bashkuara, ku u regjistrua me pseudonimin Frederik Henriksen.
Më vonë ai shërbeu në marinën daneze, ku iu vendos pseudonimi “Pingo”, kjo pasi rrobat e tij u mbushën me ujë gjatë një kursi noti dhe iu desh të ecte si pinguin.
55-vjeçari e ka fituar emrin e tij si një guximtar, duke marrë pjesë në një ekspeditë katër-mujore të skive nëpër Grenlandë në vitin 2000.
“Unë nuk dua të mbyll veten në një kështjellë. Unë dua të jem vetvetja, një qenie njerëzore”, ka deklaruar ai më parë, duke këmbëngulur se do t’i përmbahej kësaj edhe pasi të merrte fronin.
Princi i kurorës Frederik, ashtu si mbreti i Britanisë Charles III, njihet për pasionin e tij për mjedisin. Ai është zotuar të “udhëheqë anijen” e Danimarkës në të ardhmen.
Gruaja e tij, Princesha Mary, u rrit në ishullin australian të Tasmanisë dhe punonte si avokate kur u takuan në vitin 2000, në një bar në Sidnei gjatë Lojërave Olimpike.
Ajo në një intervistë është shprehur se nuk e dinte se Frederik ishte princi i Danimarkës kur u takuan, duke thënë: “Gjysmë ore më vonë dikush erdhi tek unë dhe më tha: “A e dini kush janë këta njerëz?”
Ata konsiderohen nga disa se përfaqësojnë vlera moderne dhe janë përpjekur t’u japin katër fëmijëve të tyre, një vajzë, një djali dhe binjakëve, një edukim sa më normal, duke i dërguar kryesisht në shkollat shtetërore.
Ndryshe nga tradita mbretërore britanike, nuk do të ketë ceremoni formale kurorëzimi për princin e kurorës Frederik. Në vend të kësaj, pranimi i tij do të shpallet nga Kështjella Amalienborg në Kopenhagë atë ditë.
Ai do të bëhet Mbret i Danimarkës dhe kreu i shtetit në vend – i cili është një monarki kushtetuese – si dhe në Grenlandë dhe Ishujt Faroe.
Margrethe II
Mbretëresha Margrethe II është mbretëresha e vetme në fuqi në botë dhe monarkja aktuale me shërbimin më të gjatë në Evropë, duke marrë fronin pas vdekjes së babait të saj, mbretit Frederik IX në 1972.
83-vjeçarja zbuloi se vendimi ishte marrë pas një periudhe reflektimi pas operacionit në shpinë të saj në fillim të vitit 2023.
“Kirurgjia natyrshëm më bëri të mendoj për të ardhmen – nëse kishte ardhur koha për t’ia lënë përgjegjësinë brezit të ardhshëm,” tha ajo.
“Kam vendosur që tani është koha e duhur”, shtoi ajo dhe falënderoi publikun danez për mbështetjen e tyre ndër vite.