Monika Kryemadhi, e cila prej 24 korrikut do të jetë zyrtarisht Zonja e Parë e vendit, do të kishte preferuar si president Petrit Vasilin ose Arta Daden më shumë sesa bashkëshortin e saj. Duke folur për mediat pas votimit të Metës president, Kryemadhi tha se rrethanat ishin të atilla, duke shtuar se nuk duam në Shqipëri një Maqedoni të dytë. “Kam votuar si një deputete e thjeshtë. Zonja e Parë nuk ekziston në Kushtetutën e Shqipërisë, mos u shqetësoni se Shqipëria nuk është një vend aq i pasur sa të krijojë institucione të tilla. Jam deputete e Kuvendit”.
– Do të jeni deputete dhe pas 18 qershorit?
Sigurisht. Do të jem në listë, do të drejtoj qarkun që kam marrë përsipër deri në fund.
– Do të kandidoni për drejtimin e LSI?
Për të drejtuar LSI duhet të hysh në një anëtar një votë. Nuk e kam menduar akoma, më lini të marr pak veten. Vasili është zëvendëskryetar i parë, normalisht që do të marr pjesë në garë. Kemi një mbledhje Kryesie tani shpejt, do të shikojmë se çfarë do të bëjmë.
– E uruat bashkëshortin?
Akoma s’e kam uruar se nuk jam e kthjellët për çfarë ndodhi. Mendoj se vendi ka nevojë për stabilitet dhe garanci për të mos u bërë Shqipëria Maqedoni. Dhe ju nuk do të ishit të kënaqur që gazetarët të ngelin në Parlamentin shqiptar herë pas here si në Parlamentin maqedonas. Unë do t’i uroj që t’i japë Zoti kthjelltësi, mençuri që pozicionin, të cilin ai e mori ta bëjë ashtu siç duhet bërë. Shqipëria ka nevojë për shumë stabilitet dhe zhvillim të fuqishëm ekonomik. Ka nevojë për një stabilitet politik. Mua do të më pëlqente Petrit Vasili dhe Arta Dade, por nganjëherë pakica i nënshtrohet shumicës.
– Meta do drejtojë fushatën e LSI?
Sipas Kushtetutës ai bëhet President më 24 korrik 2017, momentin që betohet.