Jeta e një 12-vjeçari është ndërprerë në mes dje për shkak të një akti monstruoz të kryer nga një i afërm i tij, i droguar e me probleme mendore, por që lëvizte lirisht. Një krim makabër ka ndodhur në Palasë të Himarës, ku një 30-vjeçar me çrregullime mendore ka masakruar me thikë kushëririn e parë 12-vjeçar. Raportohet se 30-vjeçari i ka prerë kokën të miturit. Pikërisht me kokën në duar e kanë gjetur të sëmurin forcat e policisë. Ka qenë një makinë që tregtonte fruta-perime që ka gjetur trupin e të miturit anës rrugës, të mbuluar me çarçaf dhe ka njoftuar policinë. Me të shkuar në vendngjarje blutë e Vlorës kanë konstatuar trupin pa kokë, e kanë identifikuar dhe kanë dyshuar se autor mund të ishte kushëriri i tij, i njohur për problemet mendore dhe agresionin e shfaqur, pasi vetëm një vit më parë kishte rrahur keq edhe një bari të zonës. Pasi janë vënë në kërkim kanë gjetur të sëmurin mendor Jorgo Zani me kokën e kushëririt në dorë duke kryer veprime kanibale, (jo etike për t’u raportuar). Jorgo, siç bëhet e ditur, ka shfaqur gjithnjë probleme mendore, është shtruar disa herë në spitalin psikiatrik e më pas është lënë i lirë. 30-vjeçari shfaqte dhe shenja të nazizmit, pikturonte shpeshherë në ballë kryqin e thyer të nazistëve. Jorgo kishte 4 vite që ishte kthyer nga Greqia, ndërsa edhe atje ishte shtruar në spital psikiatrik. I mituri, Andrea Zani i masakruar nga kushëriri i tij i parë jetonte në Greqi dhe kishte ardhur për pushime tek gjyshërit. Policia sakaq arrestoi shtetasin Jorgos Zani, 30 vjeç, banues në Palasë, Himarë. “Arrestimi i tij u bë menjëherë, pasi rreth orës 10:34, rreth 25 m larg banesës së tij, dyshohet se ka vrarë shtetasin e mitur me të dhënat e mëposhtme: A.Z., rreth 12 vjeç, banues në Greqi. Shtetasi i mitur po qëndronte tek gjyshja e tij, shtetësja A.Z., në Palasë, Himarë. Autori i vrasjes është i afërm i viktimës, pasi rezultojnë në lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Jorgos Zani dyshohet të jetë i sëmurë mendor, pasi nga verifikimet e kryera ka qenë një herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës në datat: 27.10.2015–05.11.2015, me diagnozën ‘Çrregullime të theksuara të personalitetit’, pasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike. Gjithashtu nga Spitali Psikiatrik Vlorë, rezulton se shtetasi Jorgos Zani është kuruar edhe në shtetin grek për vite me radhë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në reagimin e policisë. Prindërit e 12-vjeçarit Andrea Zani ishin larguar 3 ditë më parë nga Palasa drejt Greqisë dhe e kishin lënë vogëlushin të qëndronte me pushime tek gjyshja në fshat. Por që dje Andrea Zani nuk jeton më sepse jetën ia mori në mënyrë kanibaleske një bashkëfshatar i gjyshes, kushëri i tij, që konsiderohej nga banorët e fshatit, i çmendur. Jorgo Zani ndodhet aktualisht në duart e policisë ku ka shfaqur tronditje dhe shenja jonormale. Për ta marrë në pyetje policia në ambientet e Policisë ka dhe një psikiatër.
Banorët: Jorgo i dhunshëm, therte kafshë, rrahu keq një bari
Banorët e fshatit tregojnë se Jorgo, personi që kreu krimin e rëndë njihej edhe për veprime të tjera të dhunshme, kryesisht ndaj kafshëve. “Rrinin bashkë me djalin në një godinë. Prindërit i ikën në Greqi ditën e hënë dhe e lanë tek gjyshja, ia bëri gjëmën. Ky Jorgo ka therur edhe kafshë të ndryshme në fshat”. Më tej, ata kujtojnë edhe rastin e bariut, të cilin e kishte rrahur keq para një viti.
Bariu: Para një viti më rrahu me bishtin e sëpatës
Jorgo Zani, është një personazh i njohur në fshati Palasë. Sadist, i droguar, me probleme mendore therte dhe dhunonte këlyshë qensh, me të cilët më pas ushqehej. Zani, i kthyer nga Greqia para pak vitesh dje kreu krimin më të rëndë që është dëgjuar vitet e fundit në Shqipëri. Në një intervistë televizive bariu i zonës me emrin Pirro N., që një vit më parë ishtë dhunuar në mënyrë brutale nga Jorgo Zani, shprehet i indinjuar për fatin e Andrea Zanit, 12 vjeç. Sipas tij, dhe ai vetë do të kishte pësuar të njëjtin fat nga Jorgo Zani, tanimë i arrestuar nga Policia e Vlorës. “Para një viti më rrahu me bishtin e sëpatës. U përleshëm. O do më vriste o do e vrisja. Mora policinë dhe i thashë që kapeni se ndryshe do e vras. Por ai u arratis, nuk e kapën. Që në momentin që më goditi unë u shmanga, po fati i keq, sot u gjet djali pa kokë”. Bariu tregon se Zani kishte bashkëpunëtor një fëmijë 9 vjeç me emrin Kiço Konomi. Sipas bariut, Kiço është kthyer në tmerrin e zonës, pasi duke qëndruar me Jorgo Zanin, grabiste dhe vriste kafshë. “Kiço Konomin e kishte bashkëpunëtor, 9 vjeç. Ky fëmijë çfarë nuk bënte në zonë. Ditët e fundit ka grabitur dhe një çift dhe është në kërkim prej dy ditësh”. Nga rrëfimi i bariut mësohet se Jorgo jetonte i vetëm në një banesë në Palasë. Aty u kap me kokën e djaloshit në duar. “Jetonte i vetëm. Prindërit i ka në Greqi, ka jetuar në Greqi, nuk e di pse është kthyer. Sa budallëqe ka bërë në fshat, të gjithë e dinë. Therte këlysha qensh dhe i hante vetë. Ishte i tmerrshëm. Thuhet se në të gdhirë djalin, Andrean e përzuri dhe pastaj e zuri e ndoqi në rrugicë afër shtëpisë, 150 metra larg dhe aty e ka therur me hanxhar. Kokën ia kanë gjetur brenda në banesë. Në atë banesë e gjetën autorin me kokën e djalit në dorë”, thotë bariu.
Dëshmitarja: Trupi u gjet në rrugë, autori me probleme
Një banore e zonës ku ndodhi ngjarja e rëndë në të cilin i afërmi i mori jetën në mënyrë makabër nipit të tij, ka thënë se trupin e pajetë të të miturit e kishin gjetur në mes të rrugës, shumë afër banesës në të cilin ndodhi ngjarja. Sipas saj, të parët që kanë konstatuar trupin e pajetë pa kokë të 12-vjeçarit kanë qenë dy punëtorë, të cilët po punonin tek rruga dhe që më pas kanë njoftuar policinë. Ajo shton se, i afërmi i viktimës njihej si person problematik në zonë, pasi shpeshherë kryente veprime jo normale. Ndërkohë, për djalin e vogël, ajo shton se ai vinte çdo vit për të kaluar tek gjyshërit pushimet verore bashkë me nënën dhe babain e tij. “Kjo është hera e parë që ka ndodhur. Ne jemi njerëz të urtë, njerëz me kulturë e edukatë. Ky është një rast i jashtëzakonshëm dhe jemi të prekur shumë. Djali ishte një djalë shumë i mirë, një minoren shumë i edukuar. Ai vinte këtu çdo vit për të kaluar pushimet verore. Ndërsa autori i krimit, është një njeri me të meta mendore. Ai ishte problematik në fshat, pasi bënte gjëra jo të mira. Ai nuk ishte i rregullt. Ai punonte, por nuk e merrje vesh sesi vepronte. Ne na thanë dy punëtorë që punojnë afër rrugicës së shtëpisë së tyre se aty ishte një trup i pajetë. Ata e kanë gjetur trupin. Familja e tij kishte ardhur nga Greqia për të bërë pushimet, djalin e lanë me gjyshen e gjyshin. Gjyshërit e tij ishin shumë të edukuar”, tha ajo.