Montela: Kërkojmë zëvendësues të Montolivos, jo Fabregas

Në listën e dëshirave të Milanit të ri me investitorë kinezë është Cesc Fabregas, megjithatë trajneri Vincenzo Montella i mbyll derën mesfushorit. Drejtuesi i stolit kuqezi theksoi se, “ekipit i nevojitet një lojtar me karakteristikat e Montolivos, që është i aftë të luajë edhe në mesfushë me dy lojtarë”.
Për spanjollin Montella tha: “Fabregas nuk i zotëron ato cilësi që kërkojmë”. Tekniku është i shqetësuar nga dëmtimi i Montolivo-s, duke e cilësuar mesfushorin të pazëvendësueshëm, sepse jep garanci si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese, ka peshë brenda ekipit dhe në dhomat e zhveshjes.
Trajneri u shfaq i kënaqur me startin e sezonit të Milanit, duke mos e fshehur gëzimin që ndjen besimin e klubit, në një skuadër që sipas Montella-s ka ende mundësi të përmirësohet, ndërsa për momentin loja që kuqezinjtë praktikojnë vlerësohet edhe nga tifozët.
Në fund, nuk mund të mungonte edhe një batutë për presidentin Berlusconi. “Kur më merr në telefon, pyetja e parë që më bën është se cilët janë dy sulmuesit që do të luajnë. Ndërsa unë i përgjigjem: Pra, nuk mund të luajmë me tre në sulm?”, zbuloi Montella.

Artikulli paraprakMarketi: Strakoshës i dërgova sms
Artikulli tjetërGjermania s’ndalet