Në Bologna për të dalë nga tuneli me Milanin që nuk fiton prej 4 ndeshjesh në kampionat, 5 me gjithë atë të Kupës kundër Juventusit. Vicenzo Montella është gjithsesi i kënaqur që luan sërish takimin e prapambetur në program këtë të mërkurë vetëm, pak orë pas dushit të ftohtë që i ofroi të dielën Sampdoria, pasi në të tilla raste rikthimi sa më shpejt në fushë duket se i bën mirë skuadrës për reagimin në aspektin psikologjik. 3 pikët, ndërkohë janë në dispozicion të Milanit, pasi të gjithë rivalët e drejtpërdrejtë nuk luajnë dhe mund të ngushtohet distanca nga vendi i pestë dhe i 6 që janë 5 pikë larg.
“Fakti që luajmë menjëherë përbën një avantazh të madh, pasi pa këtë ndeshje të prapambetur klasifikimi nuk është i vërtetë. Sa më shpejt të luajmë aq më mirë, pasi kemi të gjithë dëshirë për të reaguar”, u shpreh Montela.
Në ditët e fundit është folur shumë për një çështje Bacca te Milani, por për trajnerin diçka e tillë nuk ekziston. “Aty para në sulm, fati nuk ekziston, dua të shoh gjithmonë të njëjtin personalitet dhe duhet të jemi më vendimtarë në zonë. Nuk ka ndonjë luftë me Bacca-n, jemi kuptuar dhe sqaruar. Unë doja të dija se çfarë po i kalon nëpër mendje dhe ai e ka kuptuar se kishte dalë paksa jashtë kufijve, duke kërkuar të falur”, tha trajneri i Milanit.
Montella shprehet se nuk është i shqetësuar për momentin që po kalon skuadra, madje nuk ka ngurruar t’u përgjigjet kritikave që nuk kanë munguar kohët e fundit.
“Detyra ime është të vlerësojë objektivat që më ka vënë klubi, të rrisim të rinjtë, të shkojmë në Europë dhe të provonim të bënim mrekullinë në Superkupë. Do të thoja që jemi në rrugën e duhur, ndaj nuk duhet të humbasim ekuilibrin. Ka ardhur momenti të tregojmë të gjithë, edhe unë, se kemi krenarinë për të stërvitur dhe për të luajtur te Milani, tha Montela.
Në fund, Montella sqaroi edhe çështjen e kapitenit, duke u shpehur se Zapata ka jo vetëm më shumë kohë që luan, por edhe sjelljen e duhur ndaj do të vazhdojë të mbajë shiritin.