Largoni duart nga Milani im! Ky mund të ishte slogani i trajnerit Viçenco Montela në prag të ndeshjes Kievo-Milan. Trajneri i kuqezinjve nuk i ka pritur aspak mirë diskutimet e shumta që janë bërë për fitoren e Milanit ndaj Sasuolos, ndërsa ka kërkuar që vëmendja të përqendrohet te ndeshja e sotme ndaj të besuarve të Maran.
“Treguam temperament dhe bëmë një ndeshje spektakolare, por polemikat kanë nxjerrë në plan të dytë përmbysjen magjike të Milanit. Unë jam shumë i kënaqur për reagimin që tregoi skuadra, por të tjerët kanë hedhur baltë”, tha trajneri i Milanit. Ai e vlerësoi maksimalisht rivalin, duke thënë se është një skuadër shumë e fortë dhe duhet marrë në konsideratë. “Është një Juventus i vogël. Kanë agresivitet në fushën e tyre dhe kanë ndërtuar baza të forta. Duhet të bëjmë shumë kujdes”, tha trajneri i kuqezinjve.
Numri një i Milanit ka dyshime të forta mbi formacionin që do të zbresë në fushën e lojës dhe thotë se do t’i bëjë zgjedhjet pak orë përpara fillimit të ndeshjes. Balotazhi i parë është ai mes Lapadulës dhe Bakës, me të parin që është më i avantazhuar, ndërsa balotazhi i dytë mes Sozës dhe Lokatelit. “Lokateli ka besimin tim dhe e vlerësoj shumë. Ai që tani i ka në dorë çelësat e mesfushës, sepse ka luajtur në 4 ndeshje shumë të rëndësishme për Milanin. E kam të vështirë të zgjedh, sepse edhe Soza është një lojtar me shumë potencial. Në të ardhmen mund të luajnë më shumë”, shtoi më tej Montela.
Tekniku kuqezi ka besim se skuadra e tij do të arrijë në Kupat e Europës këtë herë. “Nëse gjërat shkojnë ashtu siç duhet, ndjej që mund të shkojmë në Europë. Diçka të tillë e kam thënë shumë javë më parë, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem se kemi potencial për të shkuar në Europë.
Montolivo? Është një mungesë shumë e rëndësishme për ne, sepse është një lojtar me vlera të mëdha teknike. Është i pazëvendësueshëm, por nuk dua të krijoj alibi për vete, sepse ne duhet të fitojmë edhe pa të në fushë”, theksoi Montela. Ndeshja e sotme mes Kievos dhe Milanit do të luhet në orën 20:45.