Ndërlikohen planet e trajnerit të Milanit, Vinçenco Montela, në prag të derbit. Alesio Romanjoli nuk është stërvitur në ditën e djeshme, teksa në “Milanello” nuk ka mundur të jetë edhe Gustavo Gomez, i cili nuk ka mbërritur dot në kohë nga grumbullimi i Paraguait. Italiani, i cili u detyrua të dilte në fundin e pjesës së parë të sfidës Itali-Gjermani, iu nënshtrua dje vizitave mjekësore, të cilat konfirmuan një tërheqje modeste muskulore të muskujve të brendshëm të kofshës së djathtë.
Ndërsa vonesa e Gomezit rrezikon që të prishë planet e trajnerit të kuqezinjve lidhur me formacionin. Kundër Interit, në orët e fundit ka fituar terren Kristian Zapata, i cili mund të jetë titullar në fushë. Romanjoli është i dëmtuar dhe Montela nuk ka shumë alternativa në mbrojtje.
Gjithçka është vështirësuar edhe më shumë nga vonesa e Gomezit, i cili ka mbërritur në Milano dje, në orën 16:40, për shkak të një vonese ajrore, teksa avioni që ai po udhëtonte u vonua gjatë tranzitit në Paris. Lojtari është prezantuar 48 orë para derbit dhe kuptohet se lodhja mund ta detyrojë Montelën ta ulë në stol. Ndërsa Zapata është stërvitur rregullisht në dy javët e fundit dhe mund të startojë për të parën herë si titullar me Milanin në këtë sezon.
Për momentin, nga ajo që filtron në shtëpinë kuqezi, duket se janë të pakta shanset që Romanjoli të jetë në fushë. Pavarësisht se dëmtimi nuk duket i rëndë, gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes deri të dielën paradite, për të kuptuar nëse lojtari do t’ia dalë ose jo.
Prandaj, kaq ka mjaftuar për të vënë në alarm stafin mjekësor të kuqezinjve, por akoma më shumë trajnerin e Milanit, Vinçenco Montela, i cili nuk e kishte llogaritur absolutisht këtë dëmtim, që i prish jo pak plane. Mirëpo, ekziston edhe shpresa që ish-lojtari i Sampdorias të jetë në fushë. Këtë e ka konfirmuar Filipo Gali, i cili ka postuar dje një foto me futbollistin me mbishkrimin: “Po punojmë që Romanjoli të jetë gati për derbin”.