Fitorja të shtunën në mbrëmje ndaj Juventusit në “San Siro” ka kthyer entuziazmin në shtëpinë e Milanit dhe me të drejtë ka ridimensionuar objektivat e kuqezinjve në këtë sezon. Me gjithë progresin e jashtëzakonshëm të skuadrës së tij, Vincenzo Montella preferon të shmangë euforinë kur pyetet për titullin kampion. “Duhet të frenojmë euforinë. Tifozëve u lejohet të jenë euforikë, ndërsa ne si skuadër duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ka shumë vend për përmirësime. Ndaj Juventusit morëm një fitore të bukur, e cila erdhi duke vuajtur dhe dhënë shpirtin në fushë, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Montella.
Ndeshja e radhës është ajo me Genoan në transfertë dhe për Montellën nuk ka vend për vetëkënaqësi apo shpërqendrim. “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ajo që di është që kjo e radhës do të jetë një ndeshje shumë e vështirë në një ambient të ashpër dhe ndaj një skuadre që lufton fort e luan mirë taktikisht”, tha trajneri i Milanit.
Në rast suksesi në “Marassi”, Milani do të jetë në krye të klasifikimit për të paktën 24 orë. “Juventusi është skuadër marsianësh, ka futbollistë të mëdhenj dhe një staf teknik shumë të aftë. Ne duhet të ruajmë qetësinë, sepse edhe sezonin e kaluar skuadra të tilla si Interi dhe Fiorentina gjatë fazës së parë morën kryesimin, por në fund e dimë të gjithë se si shkuan gjërat. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne nuk duhet ta humbasin kurrsesi këtë ekuilibër të hollë që ndal suksesin me dështimin”, përfundoi Montella.