Milan kërkon fitoren ndaj Pescarës. Humbja në mesjavë në transfertën kundër Genovas, ka lënë një shije të hidhur në radhët e kuqezinjve. Nisur nga kjo, trajneri i Milanit, Vincezo Montella kërkon që skuadra e tij ta lërë pas atë episod të hidhur dhe të rikthehet tek fitorja. Në qendër të vëmendjes tashmë është Pescara. Në daljen e tij përpara mediave, tekniku 42-vjeçar u shpreh se, skuadra e tij duhet të fokusohet maksimalisht tek takimi kundër ekipit të Massimo Odos:
“Humbjet janë pjesë e futbollit. Ndaj Genoas rezultati nuk reflekton atë çka ne dhamë në fushën e blertë. Sidoqoftë ky është një moment, të cilin tashmë e kemi harruar dhe vëmendja është e fokusuar vetëm në ndeshjen kundër Pescarës. Është një skuadër e rrezikshme, pasi nëse nuk jep maksimumin mund të ndëshkojë. Kështu që, na nevojitet një qarkullim më i shpejtë i topit dhe të jemi konkret në mënyrën tonë të lojës. Duhet të nxjerrim, në pah aftësitë tona teknike, ku sigurisht jemi në nivel më të lartë se kundërshtari”.
Më pas, tekniku u pyet nesë do të ketë rotacion në formacion apo kërkon t’i qëndrojë besnikë futbollistëve që ka aktivizuar gjatë këtyre javëve dhe nga përgjigja e dhënë, ai la të hapur mundësinë që mund të ketë ndryshime.
“Është shumë e vështirë që për javë të tëra të aktivizosh të njëjtët futbollistë. Sigurisht, që një formacion me të njëjtët lojtarë i jep përparësi ekipit por, pavarësisht kësaj në momente të caktuara është mëse e nevojshme të bëhen disa ndryshime”.
Përsa i përket formacionit, tekniku i Milanit nuk preferoi të zbulonte asnjë detaj. Ai u shpreh se, kundër Pescarës do të luajnë futbollistët, të cilët më japim sa më shumë garanci.