Monumenti “Muret e Portës” përfshihet mes 11 më të rrezikuarve në Europë

Monumenti “Muret e Portës” është përfshirë në listën paraprake të edicionit të këtij viti të programit “7 më të Rrezikuarit”, që u shpall nga “Zëri Europian i Shoqërisë Civile të Përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore”, e njohur si Europa Nostra, në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve (EIB).

“Përzgjedhja u krye në bazë të rëndësisë së shquar për trashëgiminë dhe vlerës kulturore të secilit monument, si edhe rrezikut serioz me të cilin ata përballen sot”, shkruhej në komunikatën e shpëndarë për mediat.

Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë “Muret e Portës” në Porto-Romano Durrës, u përfshi në listën e ngushtë me monumentet më të rrezikuara në Europë, e cila do të rishikohet dhe në muajin prill parashikohet të njoftohen 7 përzgjedhjet finale.

Propozimi u dorëzua nga Qendra Amfora, e përfaqësuar nga aktivisti i ri tek “Europa Nostra”, Heldi Kodra, që prej 30 shtatorit 2023. Programi përzgjedh 7 objekte të trashëgimisë kulturore në Europë që përballen me rreziqe nga dëmtimi si pasojë e neglizhencës apo faktorëve të tjerë.

“Propozimi synon nxitjen për të vepruar të strukturave shtetërore dhe të institucioneve europiane në fushën e kulturës, për monumentin antik që u shkatërrua pjesërisht dhe rrezikon të zhduket”, tregoi drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri.

“Pjesa simbolike ku dikur ngrihej porta është rrafshuar gjatë punimeve për ndërtimin e portit të ri të hidrokarbureve, por mund të shpëtohet një kullë e mbetur, një linjë muri fortifikimi dhe të vlerësohet rikuperimi i monumentit”, përfundoi Emiri.

Sc
Infografikë ilustruese për linjën e shembur të monumentit. Përgatiti: Media Amfora

Sipas komunikatës për shtyp të “Europa Nostra”, në takimin e zhvilluar më 30 janar është prezantuar lista me 11 objektet në rrezik, ndër të cilat rezulton dhe monumenti “Muret e Portës”, i vetmi monument nga Shqipëria.

“Përzgjedhja përbën një lajm të mirëpritur dhe shënon një hap kyç dhe të rëndësishëm në fushatën për mbrojtjen e monumentit. Mund të konsiderohet si vlerësim i punës dhe angazhimit të aktivistëve dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, rrëfeu aktivisti i ri i “Europa Nostra”, Heldi Kodra.

“Nominimi do t’i japi monumentit një rëndësi jo vetëm në nivel lokal, por edhe në rrafshin europian. Shpresojmë që të rritet ndërgjegjësimi qytetar dhe njëkohësisht mekanizmat ligjore dhe shtetërore të vihen në lëvizje për zbatimin e ligjit dhe pse jo, restaurimit të pjesës së dëmtuar të monumentit”, përfundoi ai.

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” u shkatërrua pjesërisht dhe u rrethua nga kompania “Porti MBM”, e cila përmes një koncensioni të vitit 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, realizoi punimet për ndërtimin e portit të hidrokarbureve.

Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, deklaroi gjatë takimit se monumentet e përzgjedhura të trashëgimisë janë të kërcënuara nga shembja, zhvillimi i papërshtatshëm, ndikimi shkatërrues i fatkeqësive natyrore, neglizhenca dhe mungesa e financimit.

“Trashëgimia e Europës duhet të mbrohet jo vetëm si dëshmi e të shkuarës sonë të përbashkët, por dhe si një katalizator për një të ardhme të qëndrueshme, kohezive dhe të paqtë”, shtoi ai.

Niveli i angazhimit të komuniteteve lokale, përkushtimi i publikut dhe palëve private të interesuara për të mbrojtur këto monumente u konsideruan si vlera thelbësore të shtuara. Një tjetër kriter përzgjedhje ishte dhe potenciali i këtyre monumenteve për të shërbyer si katalizatorë të një zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Për dekanen e Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Shiva Dustdar, trashëgimia kulturore është një burim kyç i identitetit europian, atraktivitetit dhe rritjes ekonomike.

“Ne shpresojmë t’i shohim monumentet të restauruara dhe të mbrojtura për brezat e ardhshëm”, u shpreh ajo.

DJI 0878
Linja e fokusuar tregon gjurmën e mbetur të monumentit. Përgatiti: Media Amfora

Programi “7 Më të Rrezikuarit” është pjesë e fushatës së shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës. Ai rrit ndërgjegjësimin, përgatit vlerësime të pavarura dhe rekomandime për veprim.

Aplikimi mori edhe mbështetjen e Qendrës Art Kontakt, Grupimit Informal “Skena e Pavarur Kulturore” dhe organizatës “GO2 Albania”, si një rast që cenon identitetin kombëtar, me shkatërrimin e fortifikimit të vetëm në veri të Durrësit.

Media Amfora zbuloi në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, se një zinxhir institucionesh të drejtësisë, kulturës dhe të territorit, dështuan të ndalonin punimet e paligjshme për ndërtimin e portit të hidrokarbureve në Porto-Romano. Teksa Prokuroria e Durrësit hetonte për dëmtimin e mundshëm të monumentit antik, ai u shkatërrua nga kompania koncesionare.

“Europa Nostra”, është zëri europian i shoqërisë civile i përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Së fundmi në programin “7 Më të Rrezikuarit” ishte përfshirë ura monument kulture në Milot, e njohur si “Ura e Zogut”./amfora.al/

Artikulli paraprakReforma zgjedhore/ Alibeaj: Votën e japim për propozimet tona, opozita të ketë platformë të përbashkët
Artikulli tjetërSHËNIM/ Ndonëse ka 11 vite në pushtet që ka dështuar me arsimin, Edi Rama flet sikur të ishte opozitë që pret ndryshimin e qeverisë për të ndërmarrë reforma