Shqipëria mbajti vlerësimin B1 të borxhit nga agjencia e vlerësimit Moody’s, por vendi mbetet para sfidave të mëdha të menaxhimit të borxhit për shkak të madhësisë së tij, thotë raporti i shërbimit të investitorëve të Moody’s. Agjencia e ka lënë të pandryshuar vlerësimin për borxhin e Shqipërisë.
“Ne presim që raporti i borxhit të qeverisë së Shqipërisë të arrijë në 69% të PBB-së në vitin 2017″, thotë Evan Wohlmann, asistent i zëvendëspresidentit në Moody. “Shqipëria gjithashtu përballet me kërkesa të konsiderueshme për huamarrje bruto”, shtoi ai
Për më tepër, qeveria vazhdon të mbështetet me likuiditet nga sistemi bankar vendas, i cili tashmë është i rënduar nga kreditë me probleme për të financuar veten.
Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme për reforma administrative dhe në drejtësi duhet të përmirësojnë dukshëm mjedisin e biznesit në vend, vlerëson Moody.
Rekomandimi i Komisionit Europian për të hapur formalisht negociatat, i kushtëzuar nga zbatimi i reformës gjyqësore, reflekton progresin e Shqipërisë në adresimin e korrupsionit dhe përparimin e reformës së sektorit publik.
Për më tepër, vazhdimi domethënës i progresit në sektorin e energjisë, me mbështetjen e Bankës Botërore, pritet të parandalojë rikrijimin e detyrimeve të prapambetura në këtë sektor dhe të mbështesë rritjen ekonomike në afatin e mesëm, sipas agjencisë vlerësuese.
Konsolidimi fiskal dhe ripagimi i pagesave të prapambetura në bazë të marrëveshjes tre vjeçare me Fondin Monetare Ndërkombëtare vazhdon të rimëkëmbë fuqinë fiskale pas përkeqësimit të shpejtë në prag të zgjedhjeve të qershorit 2013, përfundon Moody’s.