Donald Trump ka thënë në një tubim në Michigan se ai “mori një plumb për demokraci”, teksa iu referua atentatit të dështuar të 13 korrikut.
Ky ishte tubimi i parë i Trump me kandidatin e ri për nënpresident JD Vance – dhe i pari që kur i mbijetoi atentatit.
Mes duartrokitjeve, Donald Trump tha se ishte gati të “marrë përsëri Shtëpinë e Bardhë”.
Në fjalimin e tij, Trump falënderoi mijëra e mijëra njerëz që erdhën për ta parë atë “pothuajse saktësisht” një javë pas atentatit.
“Unë qëndroj para jush vetëm falë Zotit të plotfuqishëm,” tha ai, duke përsëritur besimin e tij se mbështetja hyjnore e shpëtoi atë nga vdekja.