Në momentin më delikat të sezonit, Reali i Madridit humbet shërbimet e Alvaro Moratës. Pas një dëmtimi të pësuar në kofshë në ndeshjen miqësore mes Anglisë dhe Spanjës, talenti i Los Blancos duhet të qëndrojë për rreth 1 muaj jashtë fushave të futbollit. Një lajm shumë i keq ky për trajnerin Zidane, i cili gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë as shërbimet e mesfushorit Toni Kroos.
Duke parë edhe formën jo të mirë që kalon bomberi francez, Karim Benzema dëmtimi i Moratës vjen në momentin më të papërshtatshëm për Realin e Madridit. Ish-sulmuesi i Juventusit do të humbasë në këtë mënyrë të gjitha sfidat e rëndësishme që do të zhvillojnë merengues-it. Nga derbi i kësaj fundjave ndaj Atleticos së Madridit e deri tek dueli ndaj Borussias së Dortmundit në Champions. Në mes është edhe superpërballja me Barcelonën me Moratën, që nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Zidane as në El Clasico. Trajneri francez kishte gjetur te Morata një alternativë shumë të mirë për treshen e famshme BBC. 24-vjeçari është aktivizuar në 17 takime me Los Blancos në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni, duke realizuar dhe 8 gola.
Derbi i Madridit është kthyer në qendër të vëmendjes gjatë viteve të fundit dhe kjo për meritë të Atleticos, që ka arritur t’i kundërvihet skuadrës më të suksesshme të qytetit. Gjithsesi, kjo është një sfidë që përherë ka krijuar spektakël, tension dhe gola, sepse bëhet fjalë për dy skuadra që kërkojnë të ndajnë territorin e një qyteti gjigant. Por, cilët janë 10 emrat më influentë të kësaj sfide ndër vite? Në kampin “Los Blancos” i pari në radhë sigurisht, që është ish-kapiteni Raul Gonzalez. Ish-sulmuesi ka arritur të shënojë me një vazhdimësi të frikshme, duke u bërë “macja e zezë” e “Rojiblancos” me 15 gola të shënuar. Spanjolli ndiqet nga Cristiano Ronaldo, i cili në sezonin 2011-2012 realizoi plot 5 gola në dy sfidat sezonale.
Atletico Madrid ka qenë viktimë e preferuar edhe e Ronaldos, që ka shënuar 7 herë në portën e bardhekuqve, por ai do të mbahet mend gjatë për atë gol në sekondën e 14. Në krahun tjetër, ndoshta është më e vështirë të gjesh emra kaq të suksesshëm, por i pari që rreshtohet në radhët e Atleticos mund të konsiderohet Diego Costa. Goli në derbin e kupës së vitit 2013 i dha fund mallkimit të bardhekuqve, që nuk arrinin të siguronin një fitore që prej 14 ndeshjesh. Griezmann është sigurisht njeriu i momentit në derbin e Madridit. Francezi e gjeti rrugën e rrjetës edhe në sfidën e fundit në kampionat. Ndërkohë, një tjetër lojtar vendimtar për Atleticon ka qenë edhe Arda Turan, që në sezonin 2014-2015 shënoi golin e barazimit.