Alvaro Morata u ka komunikuar dje drejtuesve të Real Madrid se ka ndërmend të largohet nga kjo skuadër për të luajtur më rregullisht. Ndonëse të gjithë i kishin kërkuar që të rrinte edhe një tjetër sezon te madrilenët, përfshirë edhe trajnerin Zidan, sulmuesi nuk ka ndërmend të qëndrojë në klubin ku e ka pasur shumë të vështirë të gjejë hapësira. Huanma Lopez, menaxheri i futbollistit, është takuar dje me drejtorin sportiv, Hoze Angel Sançez për t’i bërë të qartë dëshirën e Moratës për të qenë në një klub ku shihet si pjesë e rëndësishme e projektit.
E ardhmja e tij, pavarësisht tentativave të ditëve të fundit të Milanit, është vetëm te Mançester Junajtid. Zhoze Murinjo thuhet se e ka kontaktuar personalisht për ta bindur që të bëhet pjesë e projektit të tij në klubin anglez, duke i premtuar rolin e protagonistit që ai kërkon. Mesa duket, ka një akord mes palëve, ndërsa tani kanë filluar negociatat për vlerën e kartonit të sulmuesit spanjoll. Sipas “The Telegraph”, Real Madrid kërkon 90 milionë euro për shitjen e sulmuesit, ndërsa Mançester Junajtid ofron vetëm 70 milionë euro.
Ndërkohë, Zinedine Zidane do të rinovojë kontratën me Realin e Madridit deri në vitin 2020. Suksesi i dyfishtë në La Liga dhe Champions, e ka bindur kupolën drejtuese të klubit më të titulluar në Spanjë që t’i kërkojë francezit zgjatjen e bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera, me kontratën aktuale që përfundon pas një viti. Vendimet e Zizu gjatë dy sezoneve të fundit janë vlerësuar si vendimtare në arritjen e objektivave madhorë, ndaj dhe do të jetë në qendër të projektit për të ardhmen e afërt.
Me zgjatjen e kontratës do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të pagës, që do ta bëjë francezin ndër më të paguarit në Europë. Si klubi ashtu edhe trajneri pritën përfundimin e sezonit për ta zgjidhur çështjen e rinovimit të kontratës, duke qenë në sintoni të plotë në çdo vendim. Që kur e mori drejtimin e skuadrës në janar të 2015, Zidane ka koleksionuar 65 fitore, 15 barazime dhe vetëm një humbje. Në vetëm 1 vit e gjysmë në këtë detyrë, ka fituar dy Champions League, një titull kampion në La Liga, një Superkupë të Europës dhe një Botëror për Klube. Plot 5 trofe të rëndësishëm që i shtohen palmaresit të Realit. 44-vjeçari ka marrë disa vendime të rëndësishme në aspektin sportiv, që e kanë rritur autoritetin e tij para drejtuesve.
Shembullin e parë e dha në portë, kur vendosi që numri një të jetë Keylor Navas, pikërisht atëherë kur bisedimet për të marrë De Gean nga Manchester United ishin në fazë të avancuar. Gjithashtu la në stol James Rodrigezin, por edhe Iscon, duke i marrë më të mirën këtij të fundit në momente vendimtare të sezonit. Sa i përket merkatos, Zidane pëlqen shumë talentin francez Mbappe, por edhe nëse Reali do të blejë 18-vjeçarin, ka planifikuar të lërë një vit në huazim te skuadra e Principatës. Prioritet për Zidane janë rinovimet e kontratave me elementë thelbësorë të ekipit si Benzema, Marcelo, Carvajal dhe Isco.