Alvaro Morata dëshiron rikthimin tek Reali Madridit. Goli i shënuar në finalen e Kupës së Italisë kundër Milanit, ndoshta është i fundit për Moraten me fanellën e bardhezinjve. Sulmuesi spanjoll në një intervistë të dhënë së fundmi u shfaq shumë i qartë përsa i përket të ardhmes së tij. 23-vjeçari i pyetur në lidhje me një rikthim të mundshëm tek Reali i Madridit, nuk hezitoi të përgjigjej se dëshira e tij është që të fitojë sa më shumë tituj me fanellën e Los Blancos. Gjithashtu ai shtoi se në radhët e Klubi Mbretëror ka shumë lojtarë cilësorë dhe se synimi i tij është që të ndihet një futbollist i rëndësishëm nëse transferohet.
Nga ana tjetër, trajneri i Juventusit Masimiliano Alegri shpreson që Alvaro mos të largohet por, nisur nga fjalët e sulmuesit duket se lamtumira është e pashmangshme: “Sot jam një tjetër sulmues nga ai që isha kur u transferova tek Juventus. Jam rritur shumë në aspektin taktik. Besoj se tani jam gati për të luajtur për një skuadër të madhe. Shpresoj që e ardhmja ime të mbyllet brënda datës 13 qershor”, u shpreh Morata.
Përveç Realit të Madridit që ka të drejtën e riblerjes së kartonit të sulmuesit, në drejtim të Moratës ka oferta edhe nga Anglia. “Kam pasur oferta disa oferta nga Premier League. Me karakteristikat që kam unë transferimi im në Angli do të ishte një hap i madh në karrierën time. Jam 23 vjeç dhe dëshira ime është të luaj dhe të mësoj sa më shumë nga shokët e skuadrës”, tha ai.
Ndërkohë, lamtumira e Zlatan Ibrahimoviç ka bërë që drejtuesit e Paris Saint Germain të hidhen në sulm, për të afruar një tjetër yll të madh te kampionët e Francës. Për largimin e një lojtari të madh, nevojitet një zëvendësues i të njëjtit kalibër dhe për këtë arsye ëndrra e presidentit të klubit, Nasser Al-Khelaifi është braziliani Neymar. Të vetëdijshëm që pista drejt Cristiano Ronaldos është një rrugë pa krye, parizienët po i përqendrojnë të gjitha forcat te sulmuesi i Barcelonës, duke zhvilluar biseda për afro katër orë me përfaqësuesit e futbollistit. Takimi në kryeqytetin francez i shërbeu enturazhit të Neymar që të përcaktonte kushtet për transferimin. Pika e parë ishte çështja financiare, me lojtarin që pretendon 25 milionë euro pagë vjetore, por edhe garancinë e një projekti me një skuadër të denjë për të fituar Champions-in. Kërkesat duket se janë pranuar nga drejtuesit e Paris Saint Germain, të cilët janë shprehur të gatshëm të paguajnë edhe klauzolën me vlerë 190 milionë euro për të prishur kontratën e lojtarit me Barcelonën. Megjithatë, për të marrë autorizimin përfundimtar për arritjen e marrëveshjes nga babai i Neymar, që shërben edhe si menaxher i sulmuesit, duhet kaluar pengesa që lidhet me të drejtat e imazhit.