E ardhmja e Alvaro Moratës në dilemë. Prej javësh dukej se sulmuesi spanjoll do të niste një aventurë të re tek Manchester United, por trasnferimi i Romelo Lukaku në radhët e “Djajve të Kuq” i ka shuar njëherë e përgjithmonë këto zëra. I ndodhur në këto kushte, 24-vjeçarit do t’i duhet të marrë në shqyrtim ndonjë ofertë tjetër që vjen në drejtim të tij.
Qëndrimi tek Reali i Madridit nuk përjashtohet, por duket disi i vështirë, pavarësisht dëshirës që ka Alvaro për t’i qëndruar besnik klubit “Los Blancos”, minutat e pakta që atij i vihen në dispozicion, e detyrojnë në njëfarë mënyre të kërkojë një ambient të ri, ku shanset për të qenë protagonist të jenë më të mëdha. Morata kërkon me çdo kusht që këtë sezon të ri futbollistik të ketë më shumë hapësira, në mënyrë që të fitojë dhe një vend si titullar me kombëtaren spanjolle për në botërorin “Rusi 2018”.
Ofertat për sulmuesin nuk mungojnë. Në Angli Chelsea vazhdon të mbetet në garë. Me largimin e Diego Costas, tekniku i “Bluve të Londrës” është në kërkim të një sulmuesi. Kampionët e Anglisë kanë paraqitur ofertën e tyre në disa raste. Gjithashtu nuk përjashtohet dhe një rikthim tek Juventusi. Thjesht një hipotezë, pasi deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Nga ana tjetër, Reali i Madridit e ka bërë të qartë, kushdo që kërkon të ketë në dispozicion shërbimet e 24-vjeçarit duhet të paguajë jo më pak se 80 milionë euro.
Gareth Bale mund ta vazhdojë karrierën në Francë nëse largohet nga Real Madrid. Sipas portalit të njohur sportiv spanjoll, “Don Balon”, Paris Saint-Germain po udhëheq garën për transferimin e Gareth Bales. Nëse ish-futbollisti i Tottenhamit largohet nga Real Madridit, Franca do të jetë destinacion i mundshëm për të.
Më herët është raportuar se nëse Real Madridi transferon Kylian Mbappe nga Monaco, Bale do të largohet nga Los Blancos. Madje, edhe Real Madridi është i gatshëm ta shesë lojtarin nëse merr një ofertë prej 100 milionë eurosh. Përveç gjigantit nga Franca, Bale kërkohet edhe nga Manchester United.
Pas Jesus Vallejo, të cilin e ka rikthyer nga Eintracht Frankfurt, skuadra e Real Madridit është afër që ta sigurojë përfitimin e radhës. Fjala është për yllin e Real Betisit, Dani Ceballos. Ky i fundit është i gatshëm të transferohet te kamioni i Spanjës dhe Evropës, shkruan “AS”.
Real Madridi i ka dhënë ultimatum 24 orë mesfushorit të talentuar që t’i përgjigjet po ose jo ofertës së Los Blancos. Dhe ky ultimatum ka dhënë rezultate, pasi Ceballos i ka thënë “Po” kalimit të Los Blancos. Ky përforcim pritet t’i kushtojë Real Madridit 15-20 milionë euro.