Morati pa “frena”

Masimo Morati flet pa frena rreth Interit të tij. Në një intervistë për “Quotidiano Sportivo”-n, ish-presidenti zgjon edhe njëherë sukseset e skuadrës nën menaxhimin e tij, duke e nisur padyshim nga tripleta e titujve.
“Zhoze Murinjo diti të ndërtojë një skuadër fantastike, e cila varej nga fjalët e tij dhe që pranonte të bënte çdo sakrificë. Dhe kështu mundi që të fitojë gjithçka, nis deklaratën e tij miliarderi milanez, i cili më pas shpreh të gjithë besimin e tij në lidhje me presidencën aktuale. Dëgjoj vetëm që flitet për pasurinë e grupit ‘Suning’, por unë kam njohur personalisht zotin Zhang Jindong, i cili më foli për programet e tij dhe për të ardhmen e Interit me një njëjtin pasion që kisha edhe unë për sa kohë qëndrova në drejtimin e skuadrës.
Ai nuk është i interesuar me spekulimet financiare, që ta përdorë Interin për reklamimin e markës së tij, por për ta bërë skuadrën tonë edhe më të madhe sesa është sot, ta bëjë një lider edhe në vendlindjen e tij, të ringjallë mitin zikaltër”.
Masimo Morati gjithsesi nuk tërhiqet nga kritikat që meriton skuadra e sotme, pas rezultateve me të cilat jeton sot, ndonëse shpëton nga përgjegjësitë trajnerin Stefano Pioli. “Kur u bë emri i tij, unë mendova se ai ishte personi i duhur për t’i dhënë shkëndijën e duhur skuadrës. Pioli është një interist i apasionuar, por aktualisht nuk është ai fajtori për situatën. Cilët janë fajtorët? Lojtarë me emër kemi mjaft, shumë madje, por asnjëri nuk është deciziv si Mauro Ikardi, i vetmi që bën sakrifica për skuadrën e tij.
Një gjë është të kesh emra të mëdhenj, një gjë tjetër është që të gjithë këta të vendosin të luajnë si skuadër. Si zgjidhet kjo situatë? Nuk e di, jo gjithçka varet nga trajneri. E mbani mend Italo Alodin… Ai ishte një lojtar që nuk linte asgjë t’i shpëtonte. Ai ishte tutori i skuadrës, por edhe i trajnerit. Bluza e Interit i vishte kompetenca dhe pasion dhe këtë duhet të nisin të kenë lojtarët aktualë”.
Ish-padroni zikaltër bën edhe një pasazh të historisë së trajnerëve zikaltër, nga Helenio Herrera që donte me çdo kusht shitjen e Mario Korsos deri te Marçelo Lipi, që nuk pati një raport të mirë me Roberto Baxhon.
“Dhe të mendosh se Baxho bëri dy gola në Verona që na dërguan në Champions, por të dy së bashku nuk e gjetën kurrë gjuhën e përbashkët dhe kështu që u ndamë. Po Maxarri e De Bur? Valter Maxarri më pëlqente, dinte të punonte mjaft mirë, por nuk pati fat. Milano është një qytet i ashpër për trajnerët. Ndërsa Frenk De Bur ishte një ide e re, ndoshta shumë e re dhe moderne për gustot e italianëve”, përfundoi 71-vjeçari.

Artikulli paraprakMesi, në ndjekje të Kristiano Ronaldos dhe golit numër 100
Artikulli tjetërMarketi zhgënjen, Strakosha e “kërcënon”