Mos e harroni Hysenin, por shikoni perlën turistike që ka grabit Gjiknuri, 20 ha në Shën Vasil, Karaburun

Një prej blerësve më të mëdhenj të tokave në plazhin e Shën Vasilit, në Karaburun, është një emër i njohur në biznesin vlonjat, njëkohësisht dhe kushëri i Ministrit Damian Gjiknuri.
Theodhori Gjiknuri, zotërues pronash të shumta në Vlorë dhe familjar i ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, rezulton të ketë blerë rreth 20 hektarë në zonën, për të cilën kërkohet konfiskimi.
Prokuroria e Vlorës, në përfundim të gjykimit të dosjes ”Karaburuni”, nuk bën të qartë se si është përfshirë në këtë mega blerje një familjar i një prej ministrave më të pushtetshëm të qeverisë Rama si dhe drejtues i fushatës së Vlorës për Partinë Socialiste Damian Gjiknuri. Është e habitshme se si në përfitime dhe falsifikime kaq të mëdha gjenden gjithmonë njerëz të afërt të pushtetarëve.
Ministri Gjiknuri, kushëriri i Theodhoriut poseduesit të 20 hektarëve tokë, drejtoi të ashtuquajturën ”Zona e Parë operative” në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Rezultati ishte spektakolar edhe pse shpesh i akuzuar se ka apsur lidhje të ngushta dhe financime nga klani Habilaj. Megjithse ndaj Saimir Tahirit pati dhe nisje procedimi penal, dhe thuajse ju mbyll kariera politike, për zotin Gjiknuri ka vetëm ngjitje edhe pse akuzat në qytetin bregdetar e përfshijnë atë dhe tarafin e tij njësoj si Tahiri edhe në tregun e lëndëve narkotike. Eksponentë lokal të opozitës shkojnë deri aty sa thonë se zoti Gjiknuri ka lidhje më të forta me klanin Habilaj dhe jo vetëm.

”Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive dosjen e plotë të prokurorisë, në të cilën janë të shënuar emrat e personave që kanë blerë tokë nga grupi i fallsifikatorëve, të drejtuar nga Rajmond Mëzi. Në ditët e ardhshme Boldnews do të publikojë edhe skemën dhe mënyrën e blerjes së pronave nga zengjinët e pushtetit.
Mbyllja e dosjes nga Prokuroria e Vlorës për grabitjen me anë të falsifikimit të pronave shtetërore në Karaburun, ka përfshirë dhe deputetin e Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Ky i fundit sipas Prokurorisë ka blerë rreth 90 hektarë tokë.
Prokuroria bëri të ditur se, pas hetimeve nuk është provuar ende që zoti Ylli të jetë i përfshirë në aferën e falsifikimit. Edhe pse ka shumë pikëpyetje lidhur me mënyrën e përfshirjes së tij në këtë transaksion. A nuk e dinte deputeti që 90 hektarë në Karaburun kishin një vlerë më të lartë se 180 mijë euro?! Nuk dihet se çfarë e lidh zotin Fidel Ylli deputet i Kuvendit të Shqipërisë me falsifikatorë të këtyre përmasave të pronës publike.

Fidel Ylli është një tjetër emër publik që ka blerë tokë nga Rajmond Mëzi, për të cilin Prokuroria ka kërkuar 21 vite heqje lirie. Kompania e Yllit, “House of Arts”, së bashku me kompaninë “Digital Networks” kanë blerë rreth 90 hektarë tokë, me vlerë 180 mijë euro. Ndoshta dënimi me vendim të formës së prerë të autorëve të grabitjes do të bëjë që ata ta hapin gojën dhe të flasin edhe për skemën se si zyrtarë në nivele kaq të larta mbërrinin deri në marrëveshje me falsifikatorë për të përfituar prona publike me çmime të lira.
Ndaj deputetit Ylli ka pasur akuza edhe në të shkuarën për përvetësim të pronave publike në kryeqytet. Një mik i vjetër i Kryeministrit Rama, uzurpoi një tokë publike tek Akademia e Arteve, gjatë kohës që Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. I përfshirë dikur në biznesin e shitjes së vizave, ish-bodiguardi i ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi është sot një nga oligarkët e vendit, që propozon dhe krijon ligje për të favorizuar oligarkët dhe për të varfëruar edhe më tej shqiptarët.

Exit mobile version