Nga Agim Baçi
“A mbijeton dot demokracia kur ne nuk u besojmë liderëve tanë?”. Kështu pyet politologu dhe kryetari i Qendrës për Strategjitë Liberale, Ivan Krastev, në një esse të gjatë analizuese për fatin e demokracive sot.
Një pyetje që na vjen në mend pasi sondazhet televizive tregojnë mospëlqimin dhe refuzimin e publikut për të gjithë liderët politikë. Madje, në mënyrë paradoksale, mospëlqim të fortë ka për liderët opozitarë.
Po kujt i shërben ky mosbesim ndaj liderëve politikë? Kë bën më të fortë, më të pushtetshëm, sondazhet që tregojnë mospëlqimin e tyre?
Sipas politologëve, çdo qëndrim që i vendos politikanët në nivelin e kontestimit apo refuzimit publik, favorizon vetëm atë që është në pushtet, pasi në thelb, një politikë e tillë mbjell vetëm dekurajim mes qytetarëve, duke krijuar idenë se vota e tyre është e parëndësishme, se qëndrimet dhe opinionet e tyre nuk vlejnë për të ndryshuar realitetin.
Kjo politikë sondazhesh duket se ka vlerë edhe për vendet e zhvilluara, por për vende si Shqipëria, ai mbetet është jetik sidomos kur qeveria ka pak gjëra për t’u krenuar gjatë mandatit apo mandateve të saj qeverisëse.
Ndaj dhe në ligjërimin e tij politik dhe mediatik Kryeministri investohet në çdo qëndrim, me qëllim që ndaj kundërshtarit të tij politik të ketë më shumë mosbesim, më shumë kontestim, pasi kështu qeveria zë pozicionin e së “keqes më të vogël”.
Po të ishin formuluar disa pyetje të tjera në këto sondazhe, të tilla si: Sa mendojnë qytetarët se është e korruptuar qeveria? Sa nga ne besojnë se parlamenti, si pushteti më i lartë i një republike parlamentare, arrin t’i kërkojë llogari kryeministrit dhe ta kontrollojë atë? Apo përse vijohet të mbështetet kryeministri kur shkel në mënyrë arrogante Kushtetutën, duke deklaruar se ai nuk dëshiron të aprovojë komisionet hetimore?- fare lehtë do kishim një panoramë krejt ndryshe të situatës së qeverisë së sotme përballë publikut. Për të vazhduar me të tjera pyetje: A ndërhyn apo jo qeveria në pavarësinë e gjyqësorit? Sa besim kanë njerëzit në institucionet e drejtësisë?, pasi situata mund të jetë edhe më e errët lidhur me mbështetjen që në të vërtetë ka sot qeveria në publik.
Gjithkush e merr fare lehtë me mend se qeveria do ishte më në siklet përballë qytetarëve nëse do kishim shumë emisione politike apo sondazhe ku do të flitej më shumë për punën e qeverisë, e sidomos nëse do pyeteshin qytetarët se sa e angazhuar është mazhoranca në zbatimin e ligjit. Emisione apo sondazhe të tilla mund të sillnin një ndryshim të opinionit publik, ndaj qeveria prej kohësh ka shmangur praninë në debate televizive, duke lënë në qendër të debatit krahasime vetëm me opozitën, a thua se në këto 10-11 vite të qeverisjes së Ramës ka pasur po aq pushtet në vendime edhe mazhoranca edhe opozita.
Padyshim që opozita është një element i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë, dhe si e tillë duhet gjykuar në atë që shfaq, në mënyrën sesi ia kërkon besimin publikut për të ardhur në pushtet. Është po kaq e rëndësishme që opozita të pyesë vetveten se ku përfundon ajo pjesë e shoqërisë që nuk mbështet qeverinë, por që nuk arrin të jetë as në krah të tyre, siç treguan zgjedhjet e Majit.
Gjithsesi mbetet absurde që të kërkosh të njëjtën përgjegjësi publike tek opozita sesa te mazhoranca, pasi është kjo e fundit që merr vendime për fatin e qytetarëve.
“Demokracia në të cilën njerëzit e kanë humbur shpresën se zëri i tyre demokratik mund të sjellë ndryshime dhe t’i shërbejë synimit të tyre kolektiv, është një demokraci në krizë” shkruan Krastev, duke vënë theksin se në një shoqëri demokratike nuk mjafton vetëm ekzistenca e institucioneve, por besimi se këto institucione funksionojnë dhe se mund të vetërregullohen.
Pikërisht këtu qeveria jonë duket se është e interesuar ta zhdukë këtë shpresë, ndaj dhe investon gjithçka në politikën e mosbesimit.
Ndaj gjuha e Kryeministrit është tallëse, kontestuese, bullizuese, pasi në interesin e tij është që qytetarët të mos besojnë se kanë fuqi të ndryshojnë.
Ndaj dhe që pas ardhjes në pushtet Rama është përpjekur të bindë publikun se ai është fati ynë.
Qoftë edhe duke lozur në sondazhe ku ai rezulton ende “e keqja më e vogël”. Strategjia dekurajuese dhe kontestimi ndaj kundërshtarit ka qenë jetik për Ramën, edhe pse, fatkeqësisht, opozita ja ka dhënë këtë shans me moskorrigjimin e vetvetes.